Krerët e shtetit falënderojnë NATO-n për ndërhyrjen ushtarake gjatë vitit 1999

Kryeministri Kurti falënderoi NATO dhe vendet e anëtare të saj për siç u shpreh “që na u bashkuat në përpjekjen tonë të gjatë për liri”

Me rastin e 12 qershorit,  24 vjetorit të çlirimit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti, organizuan pritje shtetërore për korin diplomatik të akredituar në Kosovë dhe mysafirë të tjerë të shumtë.

Kryeministri Albin Kurti deklaroi në fjalën se tij se 12 qershori është datë e rëndësishme që erdhi pas një përpjekje e lufte për çlirim, vetëvendosje e pavarësi.

Ai tha se shpërbërja e Jugosllavisë filloi në Kosovë dhe solli edhe fundin e okupimit të Serbisë.

Kryeministri Kurti u shpreh se demonstratat e studentëve e grevat e minatorëve u shndërruan në lëvizje popullore.

“U udhëhoqe kjo lëvizje nga intelektualë, shkrimtarë e disidentë e ish të burgosur politik që u bën përfaqësues të luftës çlirimtare”, tha kryeministri Kurti.

Ai shtoi se çlirimi erdhi pas shumë dhimbjeve, humbjeve e vuajtjeve të Kosovës, pas sakrificës së  familjes Jashari e luftës së UCK-së e masakrave, që u ndalua nga aleanca më e madhe ushtarake e botës demokratike dhe njerëzimit, NATO.

“Historia e popullit shqiptar është e mbushur me heronj e heroina e ku nën çdo okupim e shtypje, kishte kryengritje për çlirim e pavarësi’, tha kryeministri Kurti në fjalën e  tij.

Ai më tej u shpreh se populli ynë është Ilir për nga rrënjët dhe i lirë për nga qenia.

“E duam fort lirinë, e duam edhe për të tjerët e jo vetëm për vete sepse siç thotë presidenti amerikan Abraham Lincoln, ata që ua mohojnë lirinë të tjerëve, nuk e meritojnë atë për vete”, tha kryeministri.

Kurti tha se luftërat në ish Jugosllavi, të ndezura e të prira nga Serbia e Slobodan Millosheviqit dhe e rrethit të tij të errët, shkaktuan gjenocide dhe krime kundër njerëzimit më të llahtarshëm në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Ai tha se sikurse popujt liridashës kishin forcat e tyre të rezistencës, shqiptarët në Kosovë kishin UÇK-në.

Kryeministri Kurti më tej tërhoqi paralele me zbarkimin e trupave aleate në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore me atë të zbarkimit me 11 e 12 qershor 1999, të forcave britanike, amerikane, kanadeze, norvegjeze e të tjera në Kosovë.

“Distanca e saktë në muaj e kohë nga qershori në qershor nga viti 1944 në qershor 1999, ishte 55 vjet”.

Kryeministri Kurti falënderoi NATO dhe vendet e anëtare të saj për siç u shpreh “që na u bashkuat në përpjekjen tonë të gjatë për liri”.

“Ju faleminderit që iu bashkëngjitët rrugëtimit tonë për liri, asaj rruge të skuqur nga gjaku i dëshmorëve dhe martirëve dhe artikuluar me UÇK-në, lufta e drejtë e së cilës nuk mund të njollosët dhe as të shpërfytyrohet sepse ajo e ka vetëm një fytyrë, e kjo është fytyra e lirisë”.

Ndërkaq, presidentja Osmani deklaroi se me 12 qershor 1999, Kosova fitoi të drejtën thelbësore të ekzistencës e cila formoi identitetin dhe përmbushi aspiratën shekullore dhe përcaktoi fatin kolektiv.

Ajo tha se Dita e Paqes, që njihet  edhe si Dita e Çlirimit është datë e rëndësishme në historinë e re të Kosovës.

“Kjo ditë shërben si një kujtesë e triumfit të shpirtit njerëzor mbi prangat dhe sakrificën e pareshtur për liri”, tha presidentja Osmani, në fjalën e  saj.

Ajo theksoi se kjo ditë përmbyllë një kapitull të errët të së kaluarës. “Dhe është dëshmi e vullnetit të paepur të atyre që luftuan për çlirim dhe të durueshmërisë së atyre që duruan tmerret e robërisë”, tha presidentja e shtetit.

Ajo tha se në një ditë si kjo, kujtohet me respekt kontributi i jashtëzakonshëm i heronjve tanë, martirëve, vajza dhe djemve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë.

“Aleatëve tanë që e bën të mundshme, realizimin e ëndrrës sonë për liri e për shtet”, tha presidentja Osmani. “Faleminderit të gjithëve. Liria jeni Ju”.

Duke rikujtuar përpjekjet e shumë gjeneratave të patriotëve shqiptarë të ngritur kundër shtypjes dhe për të drejtat njerëzore, Osmani tha se shumë nga ta janë bërë gur themel për lirinë tonë.

“Nga Isa Boletini e Hasan Prishtina, te presidenti historik, Ibrahim Rugova e komandanti i UÇK-së, Adem Jashari me familje, kombit dhe republikës i shërbyen me nder e pa kursyer asgjë, duke u shndërruar në simbole të shpresës, guximit e  qëndrueshmërisë”.

Në fjalën e saj, presidentja Osmani nuk la pa përmendur e falënderuar edhe aleatët e Kosovës, më në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Lirinë e çmuar e arritëm me solidaritetin dhe mbështetjen e miqve tanë nga e gjithë bota”, tha Osmani.

Ajo tha se aleatët tanë ishin avokatët e Kosovës në ditët më të errëta dhe luajtën rol të jashtëzakonshëm në mbështetjen e luftës sonë për liri.

“Sot e përjetësisht u jemi mirënjohës”, tha presidentja Osmani.

Në fjalën e  tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se 12 qershori 1999, është ndër datat më të rëndësishme për popullin tonë.

“Përveç ditë e rëndësishme e çlirimit nga Serbia, kjo është ditë e falënderimit dhe kujtimit dhe reflektimit tonë”, tha kryeparlamentari Konjufca.

Sipas tij, në këtë ditë kujtohet rruga e gjatë dhe e vështirë që është kaluar në përpjekjet shekullore për t’i dhënë fund okupimit dhe për ta përmbysur padrejtësinë.

Konjufca tha se përpjekja, rezistenca dhe lufta për çlirim nga pushtimi serb, ishte e drejta e popullit autokton që e meritoi lirinë në tokën e vet historike.

“Prandaj ne kujtojmë sot të gjithë ata që u sakrifikuan më së shumti për lirinë e vendit tonë. I kujtojmë të rënët, dëshmorët e heronjtë e Kosovës, gjaku i të cilëve është fuqia e pathyeshme e themeleve të shtetit të lirë e të pavarur të Kosovës”, tha Konjufca.

Ai më tej tha se në këtë ditë kujtohen të gjithë, por në veçanti, komandanti legjendar, Adem Jashari dhe rënien heroike të familjes Jashari.

“Projekti i çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës nuk ishte përpjekje kundër të tjerëve, por një kauzë  e barazisë për të gjithë popullin e Kosovës, pavarësisht përkatësisë kombëtare, etnike, gjuhësore apo religjioze”.

Konjufca tha se edhe pse lufta për çlirimin e Kosovës u bë nën flamurin shqiptar, projekti i Kosovës gjithnjë ka qenë projekt i lirisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët.

“Prandaj ne sot i kujtojmë para së gjithash, të gjithë ata veprimtarë, intelektualë, profesorë, studentë e shkrimtarë që na prinë në çdo fazë të popullit tonë në rrugën drejt lirisë e barazisë”, tha Konjufca.

“E kujtojmë veprimtarin ikonik, Adem Demaçi, presidentin historik, Ibrahim Rugova, intelektualin tribun Ukshin Hoti e strategun e rezistencës sonë paqësore, Fehmi Agani”.

Ai tha se në një ditë si kjo, është obligim i përhershëm për të falënderuar miqtë e Kosovës për kontributin dhe ndihmën e tyre për çlirimin e Kosovës.

“Projekti i Serbisë për gjenocid  e spastrim etnik të popullit të Kosovës, nuk do të  mund të ndalej pa ndihmën vendimtare të miqve dhe aleatëve tanë, SHBA-së, shteteve mike të NATO-s e BE-së”./RTK

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika