Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar për Ditën e Çlirimit të vendit.
“Gëzuar Ditën e Çlirimit”, ka shkruar kreu i qeverisë në Facebook, të martën e 29 nëntorit.
Edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka uruar Ditën e Çlirimit të atdheut.
Me anë të një postimi në Facebook, Nikolla ka shkruar se vlerat e antifashizmit dhe të lirisë, të cilat triumfuan në Shqipëri më 29 nëntor 1944, janë të pacenueshme.
“Prej 78 vjetësh festojmë Ditën e Çlirimit, me krenarinë e ligjshme që ushqen rreshtimi i me Kolacionin e Madh Antifashist dhe fakti se Shqipërinë e çliruan partizanët, luftëtarët dhe populli shqiptar”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, më 29 nëntor nderohen çlirimtarët e Shqipërisë, partizanët, luftëtarët, heronjtë dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, veteranët dhe pasardhësit e tyre.
“Vlerat e antifashizmit dhe të lirisë, të cilat triumfuan në Shqipëri më 29 nëntor 1944, janë të pacënueshme, janë themeli i shoqërisë demokratike e perëndimore që po ndërtojmë. Shqipëria evropiane i ka rrënjët në Shqipërinë antifashiste”, shtoi Nikolla.
Ndërkaq, krerët qeveritarë bashkë me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, pritet të marrin pjesë në ceremoninë e homazheve.
Kjo në nder të dëshmorëve të rënë në Luftën Nacional Çlirimtare.
Shqipëria, të martën e 29 nëntorit, feston Ditën e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, më 1944.
29 nëntorit, është data zyrtare e kujtimit të kësaj dite.
Shkodra ishte qyteti i fundit për t’u marrë, në mënyrë që të përmbushej misioni.
Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej te çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij.
Ndonëse, aksioni i partizanëve në Shkodër, shtrihej për disa ditë radhazi, megjithatë, momenti vendimtar ishte mesnata e 28 nëntorit të vitit 1994.
Në të njëjtën datë, kishin nisur goditjet në të gjitha anët.
Ura e Muxharit ishte një ndër pikat kryesore.
Mëngjesin e 29 nëntorit, Shkodra u zgjua e çliruar. Rreth 44 partizanë kishin rënë dëshmor në këtë përpjekje.
29 nëntori, jo vetëm Shkodrën, por zyrtarisht, të gjithë Shqipërinë, e gjeti të çliruar nga pushtuesi nazifashist.
Si e tillë, Shqipëria do të ishte vendi i vetëm i Ballkanit, i cili do të çlirohej me përpjekje vetjake.
Që atëherë, 78 vjet më parë, Shqipëria ishte shtet sovran dhe i lirë.