Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri, Albin Kurti, me rastin e festës së Kurban Bajramit kanë uruar qytetarët duke thënë se kjo festë është mundësi reflektimi mbi solidaritetin, sakrificën e tolerancën.
Në njoftimin e presidencës thuhet se festa e Kurban Bajramit është mundësi për t’i çmuar lidhjet familjare dhe miqësore, si dhe për të zgjatur dorën e mirësisë ndaj atyre në nevojë.
“Derisa sot mblidhemi së bashku për të festuar, le të kujtojmë frymën e unitetit dhe harmonisë që simbolizon kjo festë. Me shpresën që kjo festë të sjellë te ju, familjet dhe të afërmit tuaj të mira e begati, ju uroj edhe një herë me fat Kurban Bajramin”, thuhet në urimin e presidentes.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti ka thënë se sakrifica gjithmonë ka për synim tjetrin, jo veten.
“Të mirën e përgjithshme, jo të mirat vetanake. Ajo është shërbim dhe përkushtim, që nganjëherë të pakëson, por gjithmonë të lartëson. Përmes saj heq dorë nga të qenit në qendër, për t’u bërë qendra e të tjerëve.
Në festën e sakrificës, le të bëhemi edhe më solidarë e më zemërgjerë me të tjerët, për të mirën e përgjithshme, me ata që na rrethojnë. Sot, nesër, çdo ditë të vitit”, shkroi Kurti.