Bashkësia Islame e Kosovës ka organizuar pritjen tradicionale për liderët shtetërorë me rastin e Fitër Bajramit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, me rastin e festës së Fitër Bajramit. Ajo ka uruar besimtarët në këtë ditë feste të bekuar.
“Ishim këtu bashkë me bashkëpunëtorët e mi për të uruar kryemyftiun dhe bashkëpunëtorët e tij dhe nëpërmjet tyre edhe shumë qytetarëve të Republikës sonë për këtë festë të bekuar për të thënë edhe njëherë lutjen gjatë muajit të Ramazanit janë të pranuar dhe për të falënderuar për rolin që Bashkësia Islame luan në mënyre që shteti ynë, qytetarët tanë të ecin përpara”, tha Osmani.
Ajo ka përmendur rolin e BIK-ut, që ka luajtur në kohë të rëndësishme për Kosovën, si dhe ka falënderuar BIK-un për përkrahjen që ka dhënë për familjet në nevojë.
“Unë dua t’i falënderojë për bashkëpunimin edhe kryemyftiun edhe bashkëpunëtorët e tij që sfidat që ballafaqohet shteti ynë t’i tejkalojmë sa më parë dhe sa më mirë, dhe të falënderoj për kontributin që kanë dhënë edhe gjatë muaji të ramazanit, duke dhënë përkrahje dhe ndihma të gjithë atyre që kanë nevojë. Do të vazhdojmë të punojmë se bashkë në të mirë të qytetarëve tanë, ne të mirë të shtetit tonë të dashur”, u shpreh Osmani.
Konjufca i falënderon BIK-un për organizimin e jetës fetare në Kosovë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një vizitë në Bashkësinë Islame të Kosovës, ku është takuar me myftiun Naim Tërrnava dhe ka uruar gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.
“Falënderova myftiun për kontributin e jashtëzakonshëm e shumë pozitiv që e ka dhënë gjithmonë BIK për organizimin e jetës fetare, por edhe organizimin e islamit në shoqërinë tonë. Ky rol pozitiv i BIK ka qenë tradicionalisht kështu”, tha Konjufca.
Tutje, kryeparlamentari gjithashtu falënderoi BIK që po vazhdojnë të kultivojnë solidaritet e mbarësi.
Kurti kujton hoxhallarët e rënë në luftë.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar 37 hoxhallarë të cilët ranë si dëshmorë në luftën e fundit në Kosovë, në ditën e Fitër Bajramit.
Pas pritjes tradicionale në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK), Kurti përpara mediave ka falënderuar BIK-un për kontributin dhe bashkëpunimin.
“Iu dëshiroj Bajram të gëzuar, në paqe e me begati. E falënderoj BIK-un për rolin, kontributin dhe bashkëpunimin. Muaji i Ramazanit ishte muaj i sakrificës dhe solidaritetit. E dimë nga historia që solidariteti dhe sakrifica janë mirësi që sjellin mbarësi. Në këtë pranverë, për çdo ditë po përkujtojmë përvjetor mbi masakrat e kryera mbi popullin tonë, por njëkohësisht kujtojmë 37 hoxhallarët të cilët janë dëshmorë të kombit nga lufta e fundit”, ka thënë Kurti.
Haxhiu uron Fitër Bajramin: Gëzime e mbarësi për të gjithë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka uruar festën e Fitër Bajramit. Haxhiu në Facebook me këtë rast uroi gëzime dhe mbarësi për të gjithë.
“Me fat Fitër Bajrami! Gëzime dhe mbarësi për të gjithë”, shkroi Haxhiu.