Ulërima e 300 spartanëve dhe mbretit Lenoidhas, i trimërohet e me cinizëm i buzëqesh vdekjes, tash e 2500 vjet.
Shaljanët, mund të kenë dëgjuar për betejën e Termopileve në tokën e Greqisë së lashtë.
Mbreti Leonidhas për ta mbetet, Shemsi Ahmeti.
Mali i Majdanit në Shalë të Bajgorës ngushtica e Termopileve, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ideali.
Të rinjë në moshë, jo më shumë se 25 shaljanë në krye kishin një komandant. E ndiqnin nga pas, verbërisht besonin në të, aq sa së bashku gjatë prillit të 99-s, vdekjes i buzëqeshnin për çdo ditë. Gjashtë pjesëtarë të kësaj njësie u përjetësuan në histori.
Ranë dëshmorë.
Ngjarja ndodhi në zonën e përgjegjësisë të Brigadës 141 Mehë Uka, Zona Operative e Shalës.
Për luftëra të ashpra me armikun shquhej një njësit elitar.
Beteja finale e këtyre djemve që e ëndërronin lirinë, vështirë është të përshkruhet me fjalë e çka guxuan të bëjnë është e vështirë të paramendohet edhe në ëndrra.
U nisën me 19 prill nga kazerma në Bare, kishin marrë një urdhër nga komanda e obligim kishin ta ndalnin një ofensivë të shfrenuar të ushtrisë serbe, që kishin mësy Shalën e Bajgorës.
Komandanti Shemsi Ahmeti me ushtarë zbritën këtu në “Qafë të Pretenit” në agun e mëngjesit e u pozicionuan skaj kodrës.
Përballë kishin Kodrën e Majdanit, që edhe në kuptimin bukfal nënkupton një fushë beteje.
Asnjëri nuk e dinte se në këtë zonë po i prisnin mbi 300 ushtarë serbë. Vija e vdekjes u vendos, rreth 2 kilometra e gjatë nga qafa e Pretenit, pika më fundore në këtë luginë.
Në kullën shekullore të Cenovitve, kërciste shkëmbi nga predhat e armikut. Mbi pullazin e kullës vrojtonte një djalë i njom’ rreth të 20-ve. Bajram Peci, këtë Luginë e kishte kthyer në varrezë për të guximshmit e frontit tjetër.
“Prej pjesës time po them tog e lartë, jo ekip ose 3 veta ose 7 veta por kanë qenë tog, ka qenë raste kur jemi pa edhe me sy, po përafërsisht mundem me thënë e lartë ka pasur raste kur edhe i kam pa me sy që edhe i kanë tërhqur me lloj litari metalik sajlle e kam pa tu ja ngjit kolegës vet edhe automatikisht tu e ngreh te poshtë”, ka thënë snajperisti i UÇK-së, Bajram Peci.
Rezistenca nisi të shtrihej shpatit të malit, në këtë pozicion u vendosën 3 snajperistë.
Sovjetikët gjatë pushtimit të Finlandës u njohën me snajperistin me nofkën “Vdekje e bardhë”, mbi 800 rusë vdiqën nga dora e tij.
Edhe këtu moti ishte pothuajse i ngjashëm, forcat armike me një vetëbesim të tepruar, shpërfillën aftësitë e njësitit special të UÇK-së.
“Kemi pasur pamje të mirë në forcat armike, ka qenë befasi për ta as që e kanë pritur, jemi pozicionuar të gjithë edhe e kemi pritur urdhrin, ka qenë mëngjes forcat armike kanë qenë tuba tuba shumica kanë qenë nëpër disa shatorë të shtrirë edhe faktikisht dy granat dy kolegë të mitë Ninaj Musa edhe Bejtë Ferizi i kanë gjuajtur prej qafës në pozicione të tyre…Në livadhe kanë mbetur forcat serbe, forcat armike të vrara edhe ato viktimat tek në fund të ditës kur ka fillu me u errësu, me sy kemi parë plot serbë që kanë qenë të unifrmouar normal që kanë qenë të vrarë”, ka thënë snajperisti tjetër, Haki Istrefi.
19 prilli nuk ishte zbarkim i aleatëve në Normandi ashtu siç pretendonte ushtria e Serbisë.
Dita ditës armiku e merrte guximin t’i afrohej pozicioneve, por nuk kthehej asnjë i gjallë.
“Zakonisht tentimi i tyre për çdo ditë në këtë vijën e frontit ka qenë për me i marr me i thy, realisht duke përfshi edhe këtë pjesën lartë ku kanë të vendosur. Në këtë pjesën që ka qenë si mal kanë tentur me shfrytëzu qato rrugët e këmbësorëve për me ardh drejt pozicioneve tona. Realisht me fol asnjëherë nuk kanë mundur me arrit milimetër me i lëviz këto pozicioni edhe ata pjesëtarë kanë qenë grupe ekip i thonë 3-4 veta, niel skuadre deri 8-9 veta, ata që në start atje posht, e kemi kry punën me ta edhe nuk kanë mundur me dal nalt kurrë”, ka shtuar Istrefi.
Në ditën e tretë të luftimeve, në terren zbarkuan trupat elitare të Jugosllavisë.
Përforcime të hatashme, jo-zyrtarisht edhe njësia speciale “Beretat e Kuqe”, apo siç njihen edhe si Frenki Boys. (Franko Simatoviq, komandonte – shef i disa operacioneve të mëdha në Bosnjë dhe Kroaci.)
Borë, shi, mjegull, vdekje, një copë buke gjithë ditën, nganjëherë edhe pa bukë.
Në këto kushte, në këtë terren ditën e 26 prillit në vëzhgim ishin futur 4 pjesëtarë të UÇK-së.
Tre nga ta ishin pjesëtarë të Batalionit të Tretë nën përgjegjësinë territoriale e të cilit binte kjo zonë, bashkë me ta ishte edhe një pjesëtarë i Njësisë Speciale.
Me ta humbi kontakti e fati i tyre nuk dihej. Siç e do rendi i një ushtarakut të rrekur, Shemsi Ahmeti kishte dhënë një urdhër, “hyjmë e s’kthehemi” derisa t’i gjejmë gjallë a vdekë.
“Jemi tubuar 19 veta jemi kësaj pjesës këtu lartë, për me e pastru këtë pjesën lartë të Majdanit..Unë kam qenë në këtë pjesën e 14 që jemi mbet këtu pesë shokë tonë kanë hyrë me urdhër të komandantit”, ka shtuar Haki Istrefi.
Njësia u nda në dy grupe, një e komandonte Shemsi Ahmeti e të dytën Sabri Haziri.
“Ferdi Preteni e ka ditur se është i rritur në këtë pjesë e ka ditur terrenin ai ka ecur përpara nesh. Nuhi Sejdiun e kemi pasur prapa edhe duke ecur e kemi preku njëri tjetrin edhe na ka thënë që armiku ka mbetur prapa, thotë kemi hy në rreth. Tu e prej njëri tjetrin, thotë armiku kur e pyes ku është armiku ai thotë qyre aty, do të thotë ne kemi hy brenda rrethit edhe ai ka qenë shumë i sigurt se armiku na mbetur prapa neve. Ne kemi hyrë brenda rrethit. Jemi tërhequr e kemi gjetur një pozicion të përshtatshëm për neve edhe kemi dëgjuar. Tash armiku që u dëgjuar herën e parë është kull pak, më nuk është dëgju. Kam fillu ana e majt e armikut me e marr pozicionin. Atëherë Ferid Preteni ka pasur mitralezin 84 armë e krahut edhe ka gjujt në to, atë natë krismat e para kanë qenë prej mitralezit të Ferid Pretenit, edhe pas anej ka vazhdu te komandati ku ka mbetur me 14 ushtarë ku kanë mbetur me komandantin”, ka thënë komandanti i Togut të parë, Sari Haziri.
Gjithmonë printe Shemsi Ahmeti. Rreth orës 20:00 nisi pastrimi i terrenit.
“Ka qenë Haki Istrefi, Musli Musa, Bahri Hyseni, Basri Fazliu, Miftar Kurti, Ismajl Istrefi, Bastri Zeneli, Eset IbIshi…krahu i djathtë kanë qenë Sabri Haziri, Baki Peci, Sadat Ferati, Nuhi Sejdiu”, ka thënë ish-pjesëtari i Njësisë Speciale, Mustafë Ibishi.
Mustafë Ibishin dhe ushtarin e armatës së Millosheviqit, e ndante vetëm trupi i një lisi.
Heshtjen e theu, zhurma e siguresës së granatës.
“E ka gjuajtur bombën këtu, këta lisa kanë qenë shumë të mëdhenj edhe bomba ka prekur në degën e tyre edhe unë jam plagosur në shpinë, në krahun e djathtë konkretisht edhe më ka thënë komandanti vazhdo Mustafë më lartë, i kam thanë nuk po mundem e kemi një pozicion, kam ardhur këtë zhagas edhe e ka një bombe tjetër më është ndalur në këmbën e djathtë, e tash kur e kam njehur me sekonda 1-2-3, 1-2-3, thash mos është guri ka qenë bombë po fatmirsisht se ka pasur ndezësin”, ka shtuar Ibishi.
Beteja vazhdoi, ndonëse 19 vjeçari atë kohë mbeti i plagosur.
“Komandant Shemi e ka gjuajtur me tromblon këtë pjesë edhe e ka ekzekutu serbin, por fatkeqësisht ka pasur shumë forca edhe nuk kemi mundur me vazhdu më lartë”, ka treguar ish-pjesëtari i Njësisë Speciale.
“I kam plagët e bombës së dorës i kam tri plagë, i kam copat ende nuk i kam hequr i mbajë si kujtim. Sa herë ndërron koha të bjen ndër mend për diçka kurgjo mos të raft ndër mend, të bjen ndër mend për ata shokë që na u kanë vra në krah”, ka treguar më tej Ibishi.
Ky ish pjesëtar i UÇK-së që në kohë lufte ishte 19 vjeçar me plagë në trup qëndroi deri para orës 23, deri sa shokët e tërhoqën poshtë malit.
Me pak ushtarë sa kishte në krahë beteja vazhdoi, si gjithmonë printe Shemi. Forcat armike kishin armatim, ushqim e pajisje edhe për vëzhgim gjatë natës, ushtarët e UÇK-së jo.
Dallimin e bënte guximi.
“Armiku ka qenë 5-6 metra më së shumti, këtu edhe plumbat në mes vete janë rrokur, kemi mujt me e pa njëri tjetrin në mes të flakës së armëve…Ma ka sha nanën ‘Jebemti majko shqiptarsko’ kanë sha, ata e kanë pasur të shamen gjithmonë”, ka thënë ish-pjesëtari tjetër i Njësisë Speciale, Bahri Hyseni.
Poizionet serbe ishin të vendosur…
“Qaq luftë që ka qenë e ashpër e fort nuk u dike kush po shpëton, dahi (flaka) e mitralozit të armikut deri këtu ma ka zdrit (ka ardhur flaka), unë kam qenë me mitraloz, Enveri me mitraloz, këta janë kanë me kallasha edhe ka qenë Esat Ibishi me mitraloz”, ka shtuar Hyseni.
Përnjëherë u ndërpre breshëria, ushtarët prisnin urdhrin e ri.
“Kur jam kthy e kam pa komandantin atje, i kam dy veta me të thash që po shkoj me pa kur jam shku e kam pa Bastri Zenelin edhe Ilaz Berishën”, ka treguar më tej Hyseni.
“Ai mitrolim e goditi edhe komandantin tonë Shemin u rrëzu në këtë pjesën këtu edhe bash në këtë pozitë ka qenë. Ka qenë i goditur në gjoks jam afru afër nuk kam mund me e lëviz se ka mbi një shkurre e kam thirr Bahri Hysenin për ndihmë. Ka ardhur Bahria afër edhe çka u bo tha, i thash komandanti u vra. Tha jo nuk është vra është plagosur edhe janë ardhur Ilaz Berisha”, ka thënë Bastri Zeneli, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale.
“Hiqma helmetën ka thënë. Bastria nëse nuk gaboj e ka hequr shlemin edhe e kam kapur e kam qitë mbi, por jo me u qu në këmbë e kam qitur në këtë pozitë në krah i kam edhe njollat e gjakut të Shemit edhe Arsimit”, ka shtuar Hyseni.
“Kemi diskutuar e vetmja ka qenë se qysh me u tërhjek kshtu si në heshtje kape, kape, kape…jemi taku me Arsim Muzaqin u kanë Bastri Fazliu edhe Lutfi Bunjaku tu marr e me marr për me e tërhjek”, ka treguar ish-pjesëtari i Njësisë Speciale, Ilaz Berisha.
Shemi me plagë në gjoks, Muzaqi me plagë në kokë e bashkë me ta rënd i plagosur kishte mbetur edhe Ismajl Istrefi, që për fat të mirë mbijetoi.
“Arsim Muzaqin e kam marr edhe janë ardhë shokët qysh kemi mund e kemi tërhequr nga vendi i ngjarjes e kemi ngrehur zhag mundësitë kanë qenë zhag se nuk ke pasur mundësi me e qit në krah për arsye se nëse je vërejt në target të armikut je kanë edhe ti i vrarë”, ka shtuar Fazliu.
Pjesa tjetër me të plagosurit kishte mbetur poshtë malit. Haki Istrefi kthehet për të përforcuar pozicionet, por ndalet në rrugë të fshatit Vllahi.
“Më ka thënë komandanti u vra, bashkë me Arsim Muzaqin edhe mundesh me marr me mend atë ndjenjë jam afru i kam parë ata trupa edhe komandatin Shehim e kam kapur dy herë për uniforme sen nuk kam besu, e kam shkundur dy herë edhe i kam thënë nuk je vra ti je gjallë, po faktikisht ish kanë i vdekur”, ka theksuar snajperisti Istrefi.
Mësymja e tërbuar e forcave serbe pos shpatit të Majdanit vinte edhe nga fushat në kullën e gurit te Cenovit.
“Edhe shpërthejnë granatat fati i jonë që kur dal në bunker me kshyr prej shokëve të mi jamë kthy në atë oxhakun për me shpëtu vetën më ka zënë granat detonimi edhe jam gju brenda tek pas një kohe ai shoku tu thirr”, ka treguar snajperisti tjetër Peci.
Të vetëm përballë një ushtrie. Plagë nga predha e fuqishme që shkundi “Kullën e Gurit”.
Për Bajramin dhe shokët kur plagoseshin, si thonë vdekja ishte më afër se këmisha, por ishte dikush që ua mjekonte plagët.
Infermieri Nehat Peci shëronte plagët, natë e ditë, në shi e borë, në prapavijë e në vijën e parë të frontit.
“Granatimet në këtë kërshin në Preten kemi qenë edhe një detonim shumë afër na patë rënë, edhe normalisht na pati gjuajtur diku nja 10 metra ose më shumë. Faktikisht serbët kanë dalur në këto pozicione këtu edhe me snajperka unë kah shkojsha ata edhe me snajperka na kanë sulmuar vijshin plumat”, ka treguar infermieri i luftër, Nehat Peci.
Një armatë e tërë kundër pak më shumë se 20 luftëtarëve. Beteja vazhdoi edhe më 27, 28 e 29 prill të 1999’tës.
Në këtë vend në Qafë të Pretenit, as në milimetra nuk po lëviznin dy luftëtarë. Shemsi Istrefi e Enver Musa, t’betuar për hakmarrje për shokët, rezistuan e u përjetësuan në pavdekshmërinë për liri.
10 ditë betejë epike, qindra ushtarë serbë kundër ca djemve shqiptarë që numëroheshin në gishta.
“Gjatë betejës është vrarë edhe komandanti, Shemsi Ahmeti, më datë 26, atë moment është vrarë edhe Arsim Muzaqi, të njëjtën ditë kah mesdita është vrarë Rrustem Hyseni (historiani), Hacan Cilimi, Xhemajl Haxha, Ahmet Haxha, dy ditë më herët është plagosur Faruk Beqiri që ka ndërru jetë shkaku i plagëve më datë 2 ka vdekur. Më datën 27 afërsisht këtu ku jemi kanë rënë edhe dy dëshmorë Enver Musa Divi edhe Shemsi Istrefi. Në ditën e fundit kanë rënë edhe pjesëtarë të batalionit Qazim Cimili, Esat Meholli edhe Sokol Preteni”, ka thënë Sabri Haziri.
Gjatë një aksioni në Rahovë më herët ishte vrarë Hajrullah Sinani. (Vlerësoje a do me e përfshi)
Ata që mbetën gjallë, u tërhoqën bregut, nga guri i Melenicës vështronin ushtrinë serbe, ushtrinë e Kserksit të Termopileve, legjenda për persët që fituan betejën por asnjëherë luftën, po përjetësohej para syve të tyre.
Pa këto sakrifica liria nuk do të vinte, ëndrra shekullore do t’plakej e do t’vdiste.
Kreshnikët e UÇK-së kanë heshtur qe 25 vjet. Luftën e vazhduan, u tretën, askush nuk i njeh, e prapë heshtin, por kthehen për çdo vit, e nëse duhet, kthehen prap në fushën e betejës, në Majdanin e Shalës së Bajgorës apo kudo ku vatani i thërret.