Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, ka takuar kryeministrat e dy shteteve të Benelux-it, atë të Holandës, Mark Rutte, dhe të Luksemburgut, Xavier Bettel.
Me dyshen, Rexha ka thënë se ka biseduar për tema të ndryshme, në mesin e të cilave ka folur për tentimin e qeverisë për, siç tha, “mbylljen e Klan Kosovës”.
“I nderuar të takoj kryeministrat e Holandës dhe të Luksemburgut, Mark Rutte dhe Xavier Bettel. Pata rastin të bisedoj për gjendjen e lirisë së mediave në Kosovë, pritjen e gazetarëve ukrainas dhe afganë – ngrita shqetësimin për sigurinë e gazetarëve në veriu dhe tentimet e Qeverisë për të mbyllur Klan Kosovën”, tha Rexha në një postim në Twitter.
Qeveria e Kosovës, gjegjësisht ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), më 14 qershor njoftoi se ia ka pezulluar certifikatën e biznesit kompanisë Klan Kosova sh.p.k.
Ky vendim ishte anuluar disa më pas, për t’u shfuqizuar sërish anulimi i vendimit, e për t’u rikthyer në fuqi vendimi i parë.
Veprimet e qeverisë janë kritikuar gjerësisht, si nga vendorët, ashtu edhe nga ndërkombëtarët.
Klan Kosova ka dërguar ankesë në ARBK, për çka mund të informoheni në artikullin në vijim. /Klan Kosova