Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim deputetin e Parlamentit të Ukrainës dhe njëherit, anëtarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Oleksiy Goncharenko.
Në këtë takim, deputeti Goncharenko ka njoftuar presidenten se në Parlamentin e Ukrainës është krijuar grupi i deputetëve “Miqtë e Kosovës”, të cilët do të shërbejnë si platformë për thellimin e bashkëpunimin parlamentar mes dy vendeve.
Me rastin e këtij takimi, Osmani ka theksuar mbështetjen e Kosovës për Ukrainën që nga fillimi i luftës në shkurt të këtij viti. Presidentja ka potencuar se Kosova është në anën e BE-së, ShBA-së dhe vendeve demokratike dhe se e njëjta i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.
Krahas kësaj, Osmani ka përmendur përjetimin e luftës në Kosovë duke thënë se Populli i Ukrainës po kalon një periudhë jashtëzakonisht sfiduese dhe të vështirë në përballje me agresionin ushtarak dhe krimet e njerëzimit.
Zyra e Presidencës bën të ditur se Presidentja Osmani ka theksuar se populli i Kosovës ka hapur zemrën dhe derën për të strehuarit nga Ukraina me ç’rast, ajo ka përmendur strehimin e një grupi të gazetarëve të Ukrainës.
Në takimin me Presidenten, Deputeti Goncharenko ka shprehur mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe se i njëjti, do të angazhohet në zgjerimin e mbështetjes për Kosovën brenda Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.