Një krim i rëndë ka tronditur Mitrovicën e Veriut, mëngjesin e kësaj të premte.
Në rrugën Karl Petri, një person me inicialet M.B, dyshohet të ketë privuar nga jeta babain dhe vëllain e tij binjak.
Viktimat janë gjetur brenda banesës së tyre, ndërsa në trup kanë pasur plagë të shkaktuara me thikë.
Ngjarjen e ka konfirmuar edhe Drejtoria e Policisë Rajonale në Veri të Mitrovicës.
Zëdhënësi rajonal, Branislav Radovic, ka treguar për rastin, derisa ka thënë se dy viktimat dhe i dyshuari për vrasje nuk kanë pasur ndonjëherë probleme me ligjin.
“Rreth orës 5.30 të mëngjesit në banesën në rrugën “Krajl Petri“ në Mitrovicë – Veri, i dyshuari M.B., për motive tani për tani të panjohura ka privuar nga jeta babain e tij M.B., dhe vëllaun binjak U.B., ku me këtë i dyshuari ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173. Jo asnjëherë nga ata nuk kanë pasur dosje në Polici”, ka deklaruar rreth rastit, Radovic.
Motivet e kësaj vrasjeje nuk dihen ende.
Ndërsa me zbulimin e rrethanave që çojnë në kryerjen e këtij krimi të rëndë po merret Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
Ndërsa është bërë e ditur se i dyshuari është arrestuar.
‘’I dyshuari është arrestuar nga policia, dhe me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë, dhe ndaj të njëjtit brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë. Të dyshuarit me urdhër të Prokurorisë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, derisa pritet vendimi i Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit’’,thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, gjithë këtë ngjarje e ka cilësuar si vrasje të rëndë, nga neni 173 i Kodit Penale të Kosovës.