Kriminelët dhe huliganët serbë gjatë ditës së premte kanë sulmuar gazetarët që po qëndronin pranë komunës së Leposaviqit.
Në pamjet e siguruara nga Dukagjini, shihen gazetarët duke ikur, teksa pjesëtarët e KFOR-it i pengojnë që të largohen nga kriminelët serbë që po i sulmonin me gurë dhe shok-bomba.
Për këtë sulm ka reaguar edhe kryeparlamentari Gluk Konjufca, duke theksuar se me këtë sulm Beogradi dëshmon se nuk ka asnjë urdhër dhe shenjë ndaj këtyre grupeve që i menaxhon për ta qetësuar situatën në veri të Kosovës.
Konjufca e ka dënuar ashpër këtë sulm dhe ka kërkuar që kriminelët të vihen para drejtësisë.
“Edhe sulmi i sotëm i grupeve të maskuara kriminale ndaj gazetarëve të medieve kosovare, tregon se Beogradi nuk ka dhënë asnjë urdhër dhe shenjë ndaj këtyre grupeve që i menaxhon për ta qetësuar situatën në veri të Kosovës. E dënoj ashpër këtë sulm mbi gazetarët dhe kërkoj që kriminelet të vihen para drejtësisë”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
Gjithashtu, ka reaguar edhe Ambasada e Britanisë në Kosovë, duke e quajtur si të papranueshme dhe të pajustifikuar dhunën ndaj gazetarëve.
Ambasada u ka bërë thirrje udhëheqësve të protestës t’i ndalin sulmet ndaj gazetarëve që janë aty vetëm për të raportuar mbi zhvillimet e ngjarjeve.
“Dhuna ndaj gazetarëve është e papranueshme dhe e pajustifikuar. Ne u bëjmë thirrje atyre që udhëheqin protestat të parandalojnë dhe dënojnë dhunën ndaj atyre që punojnë për të raportuar mbi ngjarjet”, thuhet në njoftim.