Kritika por edhe vlerësime përmban Raporti i Progresit për Kosovën i hartuar nga Komisioni Evropian për sivjet, i cili pritet të miratohet të mërkurën.
Përmbajtjen e këtij drafti aktual e ka raportuar Evropa e Lirë, sipas të cilit, Kosova vlerësohet se ka bërë disa përparime.
Mirëpo në shumicën e rasteve progresi thuhet se ka qenë i kufizuar dhe se nevojitet më shumë punë.
Në këtë draft, Kosova vlerësohet për përshtatjen e qëndrimeve të saj me BE-në sa i përket agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës.
Komisioni Evropian edhe sivjet përsërit qëndrimin se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.Mirëpo kësaj radhe, në dokument theksohet se ekziston një ndjenjë që Këshilli i BE-së të merret me urgjencë me çështjen e vizave.
Pashmangshëm në draftin e raportit i është bërë vend edhe dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Aty përmenden takimet e rregullta mes kryenegociatorëve dhe ai i 18 gushtit ndërmjet dy liderëve. Pajtimi për udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjeve të energjisë dhe për udhëtimin vetëm me letërnjoftime janë pjesë e draftit poashtu.
Megjithatë nga të dyja vendet kërkohet urgjentisht arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.
“Kosova duhet të angazhohet në mënyrë më konstruktive dhe të bëjë përpjekje të tjera substanciale për implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në të kaluarën, si dhe të kontribuojë në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, për normalizimin e raporteve me Serbinë. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe kyçe për t’u mundësuar Kosovës dhe Serbisë avancimin në rrugëtimin e tyre përkatës evropian”, shkruhet në draftin e raportit të progresit.
Komisioni Evropian vlerëson pozitivisht stabilitetin politik në Kosovë, por jo edhe punën e Kuvendit të Kosovës.
“Puna e Kuvendit vazhdon të ndikohet negativisht nga atmosfera polarizuese politike dhe vështirësitë për të arritur kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje, përkundër faktit se Qeveria bazohet në një shumicë të fortë”, theksohet në draft.
Kurse situata në veri të vendit vlerësohet si “sfiduese”, për shkak të korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për lirinë e shprehjes.
Ndërsa funksionimi i gjyqësorit sikurse vitin e kaluar edhe sivjet vlerësohet si “i ngadalshëm, joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndikimeve të panevojshme”.
Reformat e planifikuara, Kosova këshillohet t’i bëjë së pari duke përdorur mjetet ekzistuese për ruajtjen e integritetit, pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor.
“Përkushtimi i Qeverisë që të implementojë në tërësi mendimin e Komisionit të Venecias për vettingun e gjykatësve dhe prokurorëve, në bashkëpunim të ngushtë me BE-në, është i mirëpritur”, thuhet në Draftin e Raportit të Progresit.
Në anën tjetër, Kosova vlerësohet pozitivisht për aktivitetin kundër radikalizmit dhe ekstremizmit.