Shumë deputetë të Parlamentit Evropian kanë shprehur vërejtje dhe kritika të ashpra për procesin zgjedhor që u mbajt në Serbi në dhjetorin e vitit të kaluar, dhe për zhvillimet edhe pas këtyre zgjedhjeve.
Për situatën politike në Serbi është diskutuar më 23 janar në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian. Aty folën edhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe të Shërbimit të veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS). Edhe ata thanë se zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore në Serbi, që u mbajtën më 17 dhjetor, nuk u zhvilluan në kushte të barabarta.
Zëvendësdrejtori menaxhues, Marko Makovec, që foli në emër të EEAS-it, rikujtoi deklaratën e përbashkët të cilën e kishin dhënë përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, dhe komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi, se janë të shqetësuar për disa çështje që duhet të hetohen e adresohen dhe se janë të domosdoshme reformat.
Makovec tha se sundimi i ligjit mbetet në qendër të procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Ai rikujtoi se Serbia duhet të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun për normalizim të raporteve me Kosovën, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.
“Viti 2023 ishte një vit me zhvillime të përziera në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Pamë përshkallëzime serioze, sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it në maj dhe sulme të dhunshme në Banjskë më 24 shtator. Por, pamë edhe përparim në disa fusha”, tha ai, duke nënvizuar se viti 2023 përfundoi me disa hapa pozitivë, siç ishte çështja e targave të makinave dhe ajo e energjisë.
Megjithatë, Makovec konstatoi se, sipas vlerësimit të BE-së, sa i përket situatës në veriun e Kosovës, e banuar me shumicë serbe, nuk ka pasur përparim ashtu siç është pritur.
“Zbatimi i marrëveshjes nga dialogu, pa vonesa dhe pa parakushte, mbetet kusht i qartë. Të gjithë duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të nxisin tensionet”, theksoi ai.
Makovec, po ashtu, deklaroi se duhet të ketë përgjegjësi për sulmin në Banjskë të Zveçanit.
Më 24 shtator, një grup i armatosur serbësh sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues serbë. Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Për sulmin, Kosova ka fajësuar Serbinë, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.
Makovec tha se Serbia po ashtu duhet të përshtatë politikën e saj të jashtme me atë të BE-së dhe mospërshtatja, sa i përket vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainë, tashmë ka prodhuar pasoja për procesin integrues evropian të Serbisë. Ai, po ashtu, theksoi se Serbia po vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me Serbinë.
David Muller, nga Komisioni Evropian, tha se pret që Serbia të zbatojë të gjitha vërejtjet sa i përket procesit zgjedhor, që do të jenë pjesë e raportit të misionit vëzhgues zgjedhor të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Ai, po ashtu, shprehu keqardhje që Serbia nuk ka bërë hapa përpara në procesin e negociatave të anëtarësimit me BE-në.
“Dua të them se kanë kaluar dhjetë vjet prej kur i kemi hapur negociatat e anëtarësimit me Serbinë. Por, hapi i fundit ka qenë në vitit 2021. Serbia po bashkëpunon me BE-në në aktivitetet për të parandaluar shmangien e sanksioneve nga Rusia. Por, fakti që Serbia nuk është përshtatur me sanksionet ndaj Rusisë është pengesë serioze”, tha ai.
Disa eurodeputetë thanë se delegacioni vëzhgues i zgjedhjeve në Serbi nga Parlamenti Evropian ka qenë dëshmitar i manipulimeve në zgjedhje, dhe kur ky delegacion ka raportuar parregullsitë është sulmuar verbalisht nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe qeveria serbe. Ligjvënësit evropianë kërkuan nga Komisioni Evropian dhe shërbimi diplomatik i BE-së të dënojnë sulmet e tilla.
Deputeti nga Sllovenia, Klemen Groshelj, që ishte shef i misionit vëzhgues të PE-së për zgjedhjet në Serbi tha se “çështja është shumë e thjesht, sepse e zgjedhjet e lira janë kriter bazë për BE-në dhe Serbia nuk e respektoi këtë standard”.
“Nuk mund të pretendojmë se institucionet në Serbi, që janë përgjegjëse vetë për këto parregullsi, do të hetojnë të njëjtat. Ata nuk do ta hetojnë vetveten”, tha ai.
Misioni ndërkombëtar që monitoroi zgjedhjet, tha pas votimeve se partia e Vuçiqit, Partia Progresive Serbe, kishte përfituar avantazh të padrejtë përmes mediave të njëanshme, përmes ndikimit të Vuçiqit dhe po ashtu kishin vërejtur parregullsi në votime sikurse blerja e votave.
Autoritetet serbe kanë mohuar të gjitha këto akuza.
Gjatë debatit të 23 janarit, deputetja nga Gjermania, Viola von Cramon, tha se për 12 vjet ka qenë vëzhguese e zgjedhjeve të ndryshme, por asnjëherë nuk kishte parë diçka si ajo që ndodhi në zgjedhjet serbe.
“Ky nivel i mashtrimeve zgjedhore është i papranueshëm”, tha ajo.
Ndërkaq, ligjvënësi nga Kroacia, Tonino Piculla, i quajti parregullsitë zgjedhore në Serbi si përkeqësim të demokracisë në këtë shtet dhe veprimet e Beogradit i cilësoi si rrezik edhe për vendet fqinje, sikurse Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.
Gjatë muajit shkurt pritet që në Parlamentin Evropian të diskutohet dhe miratohet edhe një rezolutë e veçantë për zgjedhjet dhe situatën politike në Serbi./REL