“Të them të drejtën, pala serbe veproi mirë. Fatkeqësisht, disa prej të tjerëve nuk ishin të përgatitur për të folur për specifika”.
Kjo deklaratë e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, e bërë pas një takimi me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, u komentua gjerësisht në opinion, por njohës të zhvillimeve politike, thonë se ajo i referohet vetëm një çështjeje të caktuar.
Dhe kjo, sipas Agon Maliqit, ka të bëjë vetëm me atë që insiston më së shumti Serbia, Asociacionin e Komunave me Shumcië Serbe.
“Pritshmëria e SHBA-së është që ndërkohë që e mbështesin Kosovën për shtrirjen e sovraniteti në veri pritshmëria është që Kosova të tregojë gatishmëri që të flas për çështjet që kanë të bëjnë me komunitetin serb në Kosovë dhe këtu bëhet fjalë edhe për asociacionin”, ka thënë Maliqi.
Deklarata thumbuese për Qeverinë Kurti sipas Maliqit tash mund të dëgjojmë më shpesh nga Ambasadori Hill.
“Vërejtja që i drejtohet Kosovës mendoj që SHBA e ka gjetur kanalin edhe kjo është një vërejtje të cilën administrata e ka ndaj Kosovës. Ndoshta është për ta që këtë ta thotë z. Hill sesa ta thotë z.Hovenier apo edhe Escobar të cilët kanë raporte pune me Qeverinë dhe kryeministrin Kurti”, ka shtuar ai.
Megjithatë qëllim tjetër i SHBA-së, sipas tij është edhe afrimi i Serbisë me Perëndimin.
Me këtë konstatim pajtohen edhe analisti serb, Ognjen Gogiq i cili shton se SHBA po dëshiron ta shmangë dhunën dhe përfshirjen e Rusisë.
“Hill nuk mendoj se po e kritikon palën kosovare por ai po tenton të tingllojë më shumë si balansues. Përderisa po e mbajnë Serbinë të hapur për kompromis ata po mundohen që të kenë lëshime apo ndonjë koncensus nga Kosova. Ne duhet ta kuptojmë se për amerikanët prioritet është që të shmangin çfarëdo situate që del nga kontrolli…Para së gjithash amerikanët po dëshirojnë ta parandalojnë dhunën sepse ata frikësohen se Rusia mund të infiltrohet”, ka theksuar Gogiq.
Gogiq pjesë e shoqërisë civile në Mitrovicën Veriore vlerëon se Serbia është treguar konstruktive në takimin e fundit, dhe po vazhdon të nxitet nga Christopher Hill.
Ndërkohë kryeministri Albin Kurti e ka quajtur të pavërtetë deklaratën e Ambasadorit se pala kosovare nuk ka qenë konstruktive në takimi me palën serbe.