23 vjet pas luftës synohet që për herë të parë përmes një ligji të themelohet Instituti për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve e Luftës së fundit në Kosovë.
Një institut i ngjashëm, por jo përmes ligjit, ishte themeluar në vitin 2011, por me vendim të Qeverisë ai është mbyllur në vitin 2018.
Ministria aktuale e Drejtësisë është duke punuar në projektligjin për këtë institut.
Neni 2 i këtij projektligji i cili gjendet në diskutim publik, përcakton kohën e fushëveprimit të institutit.
“Ky ligj zbatohet për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, nga 1 janar 1998 deri më 20 qershor 1999” thuhet në projekt ligjin për Institutin e krimeve të luftës.
Mirëpo, kjo periudhë duhet të zgjatet, sipas Bekim Blakajt, drejtorit të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë.
“Koha është e kufizuar, pra koha që e merrë parasysh ligji e që mbaron me 20 qershor 99, ne mendojmë që ajo periudhë duhet të shtrihet më gjerë deri në fund të vitit 2000 që ti trajtoj krimet edhe pas qershorit 99”, ka thënë Blakaj për RTV Dukagjinin.
Ndërsa, ky institut sipas projektligjit do të funksionojë si Agjenci brenda ministrisë së drejtuar nga Albulena Haxhiu. Por Blakaj nuk pajtohet as me këtë dispozitë të projektligjit.
“Ne mendojmë që ndoshta një institut i tillë do të duhej të ishte nën ombrellën e një institucioni tjetër jashtë politik, mund të jetë Universiteti i Prishtinës, mund të jetë Biblioteka Kombëtare apo Arkivi Shtetëror”, është shprehur Blakaj.
Institutin e kaluar e ka drejtuar Ismet Salihu, i cili tregon arsyet që çuan në mbylljen e tij.
“Në vitin 2011 është themeluar me një dekret, nga një vendim i kryeministrit të atëhershëm, për këtë arsye ka ardhur deri tek mbyllja e atij instituti, tani kjo nuk mund të ndodhë për shkak që po themelohet me ligj”, ka thënë Salihu, ish-drejtori i Institutit për krime lufte për RTV Dukagjinin.
Ndër të tjera, projektligji në nenin e tij të 6 saktëson informacionet që do të mblidhen.
“Instituti Dokumenton krimet e kryera gjatë luftës duke siguruar të dhëna të sakta të humbjeve në njerëz, dëmeve fizike dhe emocionale, dëmeve ekonomike, pronës kulturore, dhe pasojat e tjera të shkaktuara nga krimet e kryera gjatë luftës”, thuhet në projektligjin për Institutin e krimeve të luftës.
Salihu, që ka qenë profesor i së drejtës penale, thotë se drafti i projektligjit ka mangësi.
“E pash një mangësi të draftit egzistues ku fare nuk flitet për hulumtimet që janë bërë nga personat individual, veprimatërët këtë po e thekssoj sepse që nga mbarimi i luftës ka pasë individ, veprimatë entuziast që kanë bërë punë në hulumtimin e krimit të luftës”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se në hartimin e Projektligjit për Institutin kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve, si dhe organizata jo-qeveritare dhe grupe tjera të interesit.