Në raport me një tremujor më parë rritja ishte modeste me vetëm 947 lekë, ndërsa në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë paga mesatare u rrit me 5 178 lekë.
Statistikat tregojnë për një rritje të ndjeshme të pagave për sektorët më pak të paguar në vend, si bujqësia, industria, ndërtimi, tregtia e shërbimet.
Paga për këto degë të ekonomisë ka qenë me gati 5 mijë lekë më e lartë se kundrejt një viti më parë, megjithatë sërish këto aktivitete vijojnë te mbetet më pak të paguarat në vend, shumë poshtë pagës mesatare në rang vendi.
Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, rritja ka qenë e papërfillshme. Kjo është edhe një nga arsyet që këta sektorë së fundmi veçanërisht po vuajnë edhe gjetjen e fuqisë punëtore, për shkak edhe të emigracionit të lartë.
Ndërkohë më të mirëpaguarit vijojnë të jenë të punësuarit në aktivitetet financiare dhe të sigurimit, ku paga e tyre mesatare është gati dyfish më e lartë se ajo mesatare në rang vendi. Një i punësuar në këtë sektor ka një pagë mesatare prej 119.1 mijë lekësh, duke u rritur me gati 10.5 mijë lekë kundrejt një viti më parë. Megjithatë në raport me një tremujor më parë paga e tyre është ulur ndjeshëm.
I njëjti trend këtë tremujor ka ndodhur edhe me pagën mesatare të atyre që punojnë në aktivitetet e informacionit dhe të telekomunikacionit që renditen të dytët më të paguar me një pagë mesatare rreth 94 mijë lekë. 8.7 mijë lekë është rritja e pagës mesatare për ta kundrejt një viti më parë. Të tretët më të paguar janë të punësuarit në administratën publike dhe në fushën e mbrojtjes me një pagë mesatare prej 71.6 mijë lekësh.
Ndërkohë, sipas INSAT sa i takon pagës mesatare për të punësuarit në grup-profesionet e menaxherëve, ligjvënësve, nëpunësve të lartë dhe drejtorëve ekzekutivë, paga e tyre është gati 63% më e lartë se mesatarja në nivel kombëtar. Për profesionet elementare ndërkaq, paga mesatare e tyre është 36% më e ulët se ajo në rang kombëtar, raporton TopChannel.