Krusha e Madhe nuk është vetëm simbol i dhimbjes por edhe i qëndresës. Sakrifica e të rënëve në Krushë është udhërrëfim se si të ecet përpara pa u ndalur.
Kështu u tha në tubimin përkujtimor me rastin e 26 vjetorit të masakrës në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se nuk do të harrohet kurrë sakrifica e Krushës.
Ajo rikujtoi këtë masakër ku mbetën të vrarë burra, gra e fëmijë e ku shumë prej tyre ende janë të zhdukur.
Osmani tha se familjet e tyre jetojnë çdo ditë më mallin e një pritje që nuk merr fund asnjëherë, duke përmendur edhe veprimtarin Ukshin Hotin për të cilin tha se ende nuk dihet asgjë, raporton KosovaPress.
“Masakra e Krushës së Madhe nuk është vetëm një krim i tmerrshëm i para 26 vitesh, është e përditshmja jonë është e sotmja jonë sepse dhimbja vazhdon edhe sot sikurse para 26 vitesh. Ajo është një betejë e hapur për drejtësi, prandaj nuk mund të lejojmë që gjaku i atyre që ishin të pafajshëm të mbetet pa zë e që sakrifica e tyre të harrohet. Ne nuk duhet të heshtim, ne nuk duhet të ndalemi nuk duhet të lejojmë që drejtësia të vonohet pafundësisht sepse drejtësia për Krushën e Madhe është drejtësi për gjithë ata që dhanë jetën për lirinë tonë, për heronjtë e UÇK-së dhe për martirët e lirisë. Krusha e Madhe nuk është vetëm simbol i dhimbjes por edhe i qëndresës”, tha Osmani.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se forcat e Serbisë zhdukën me dhunë 64 krushianë dhe dogjën mbi 700 shtëpi bashkë me institucionet fetare e kulturore. Ai shtoi se brenga më e madhe e Serbisë ka qenë djegia e kufomave dhe zhdukja e gjurmëve të krimit.
Kurti theksoi se rënia dhe sakrifica e tyre është udhë-rrëfim se si të ecet përpara pa u ndalur. Ai potencoi se janë krahë për krahë e këmbëngulës drejt rrugës për drejtësi.
“Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq. Përkundër kësaj drejtësia ende nuk ka vepruar dhe kryesit nuk janë dënuar. Është evidente që ushtarët dhe policët e Serbisë kanë pasur urrejtje të madhe dhe plan të qartë për të kryer krimet ku brenga e tyre më e madhe ka qenë zhdukja e kufomave./Telegrafi