Kryeipeshkvi Vincenzo Paglia është nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa” nga universiteti “Haxhi Zeka”.
Në një ceremoni solemne të mbajtur në Hotel Dukagjini në Pejë, Paglia pranoi çmimin dhe u shpreh i emocionuar me nderimin që iu bë.
Mes figurave të shumta shtetërore e fetare, Paglia ua dedikoi çmimin dy personaliteteve, ish presidentit Ibrahim Rugova dhe Nënë Terezës.
“Ndihem pak shqiptar dhe krenar që kam qenë mik i kësaj gruaje të madhe. Rugovës në veçanti ia dedikoj këtë çmim, sepse ai ishte një mik i shenjtë, një burrë me të cilin ndaja të njëjtin vizion. Mbaj mend kur më tha: ‘Kosova është një shtet laik.’ Ai gjithashtu besonte se në Ballkan, pavarësisht ndasive, të gjithë jemi të vegjël dhe se duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë. Sot, fjalët e tij tingëllojnë më vizionare se kurrë. Rugova për mua është Gandii i Ballkanit”, ka thënë Vincenzo Paglia, kryeipeshkv.
Puglia kishte ndihmuar në lehtësimin e rrethanave për takimin në mes Rugovës e Papa Gjon Palit II, moment kyç në afirmimin ndërkombëtar të vendit.
E një mbështetje të tillë, ia kishte ofruar edhe Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Në vitet ’90, Kosova përballej me dhunën sistematike të Serbisë, shkollat u mbyllën dhe shprehja e identitetit tonë kombëtar ndëshkohej. Në një kohë kur jeta nuk kishte kuptimin e saj të mirëfilltë, Imzot Paglia, brenda mureve të Vatikanit, hidhte dritë mbi gjendjen e Kosovës, duke e sjellë atë në vëmendjen e Papës. Ai ishte ai që organizoi takimin e parë mes Presidentit Ibrahim Rugova dhe Papa Gjon Palit II. Më vonë, ai lehtësoi edhe takimin tim me Papa Françeskun, një nga momentet më mbresëlënëse të karrierës sime politike”, ka thënë Albin Kurti, Kryeministër në detyrë i Kosovës.
Për kontributin e Paglias, foli edhe rektori Armand Krasniqi, që në emër të universitetit “Haxhi Zeka” ia përcolli titullin.
“Një zemre që ka rrahur për drejtësinë dhe një mendje që kuptonte kuptimin e jetes. Në kohët më të vështira të Kosovë, ju zgjodhët të flisnit kur rrugët ishin të mbyllura, ishit të parët që ndihmuat që fëmijët të ktheheshin në shkolla, ishit ju që bëtë ura, ju që nuk lejuat që dinjiteti njërëzor të shuhej. Ju vazhdoni të qëndroni udhërrëfyes”., ka thënë Armand Krasniqi, rektor i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë.
Ky titull vlerëson rolin e Mons. Vincenzo Paglia në promovimin e paqes, dialogut ndërfetar dhe mbështetjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare.