Kryeministri grek nuk e ftoi në takim, Rama: S’e marr personale, por s’do veproja si ai

"As nuk e imagjinoj që në një situatë të njëjtët të bëja të njëjtën gjë. Të lidhet me këtë qëllim të madh për të dërguar një mesazh mua, Shqipëria, çfarëdo rëndësie ka Greqia, nuk është kjo mënyra"

Kryeministri grek nuk e ftoi në takim, Rama: S’e marr personale, por s’do veproja si ai

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për herë të parë ka folur në lidhje me vendimin e kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, për të mos e ftuar në mbledhjen me liderët e rajonit të Ballkanit Perëndimor në Athinë.

Në një intervistë të dhënë për median greke “Kathimerini”, me gazetarin Pavlos Papadhopulos, Rama është shprehur se nuk merr për personale asnjë vendim politik, ndërsa shton se nuk do të vepronte si Mitsotakis.

“Kam mësuar në jetë se të ndihesh i ofenduar personalisht nuk është diçka e mirë. Kur bëhet fjalë për politikën, ka vendime që mund të bëjnë keq, politika është një bishë e rrezikshme. Mund të të tërheqë poshtë, jo nuk jam i ofenduar. Thjesht nuk duhet të bënte atë që bëri. As nuk e imagjinoj që në një situatë të njëjtët të bëja të njëjtën gjë. Të lidhet me këtë qëllim të madh për të dërguar një mesazh mua, Shqipëria, çfarëdo rëndësie ka Greqia, nuk është kjo mënyra. Miqtë duhet të përballen me njëri-tjetrin të përpiqen që të kuptohen, të flasin. Kyriakos ishte një mik që e pëlqeja dhe akoma është një mik që e pëlqej. Kyriakos do të jetë gjithmonë mik”, ka thënë Rama.

Intervista e plotë:

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për gazetën greke “Ekathimerini”, me gazetarin Pavlos Papadopoulos, i cili pak ditë më parë publikoi një artikull kritikues për kryeministrin, në lidhje me çështjen “Beleri”.

Gazetari: Ju faleminderit për ftesën! Ju faleminderit për këtë intervistë për Kathimerinin! Do të doja të nisja me një pyetje për ju si udhëheqës i Shqipërisë. Shumë njerëzve iu ngjani si hero nga letërsia, si personazh romani, për shembull, nga Milan Kundera. Jeni një artist i guximshëm, që u rebelua ndaj komunizmit. Më pas jetuat në Paris dhe pastaj u kthyet për t’u bërë politikani më i suksesshëm i brezit tuaj. Në të vërtetë, ju jeni kryeministri më i suksesshëm në kujtesën e gjallë të shqiptarëve. I vetmi që jeni rizgjedhur tri herë dhe Prodhimi i Përgjithshëm bruto i Shqipërisë është rritur me 50 për qind gjatë 10 vjetëve të fundit, qëkur ju jeni zgjedhur si kryeministër. Shqipëria nuk ka qenë kurrë më mirë, siç do thoshte Tony Blair, miku juaj. Para pak vitesh, në një intervistë për gazetën “The Guardian”, ju keni thënë se synimi juaj është ta çoni vendin tuaj në një zonë sigurie nga mallkimi i historisë. A ia keni dalë? Më 10 shtator bëhen 10 vjet qyshse u bëtë kryeministër. Do të doja të më thoshit diçka me të cilën krenoheni dhe diçka për të cilën jeni pishman.

Kryeministri Edi Rama:  Faleminderit për këtë prezantim tërheqës, por së pari, dua të them se nuk ndihem hero dhe kjo është ajo që mendoj vërtet, sinqerisht. Modestia nuk është pika ime e fortë, kështu që duhet të më besoni, nuk ndihem hero. Unë kam lindur me një shpirt trazimtari. Jam një kombinim i çuditshëm i një gjysheje katolike, gjyshërish ortodoksë, prindërish ateistë. Pastaj, me bekimin e të jetuarit në dy botë krejtësisht të ndryshme, Shqipërisë së izoluar dhe vendit tanimë të lirë që po rreket të zotërojë vetveten. Po, jam shumë krenar për mjaft gjëra që ia kemi dalë të bëjmë, por arsyeja që më shtyn të shkoj përpara është se nuk jam i lumtur, jam i pakënaqur. Unë jam  shumë kritik me veten, edhe pse nuk duket kështu, por më besoni që jam dhe gjykatësi më i ashpër i vetvetes ose le të themi, gjykatësi im më i ashpër jashtë shtëpisë është vetja ime, ndërsa brenda shtëpisë është gruaja ime. Kështu që jam krejt i mbrojtur nga rreziku i mendimit se jam hero, se bëj mrekullira, e kështu me radhë. Kemi bërë shumë. Ia kemi nisur nga një pozitë shumë e keqe dhe tani jemi në një pozitë goxha më të mirë, por ka ende shumë për t’u bërë.

Gazetari: Shumë gjëra për t’u bërë, sigurisht. Zoti Kryeministër, çfarë ndryshimi në thuajse pesë muaj për Shqipërinë dhe Greqinë! Më 21 mars, ju ishit në Zappeion, në Athinë, për çeljen e ekspozitës suaj krah Kryeministrit Mitsotakis dhe Sekretarit të Jashtëm asokohe, Nikos Dendias. Sipas asaj që kam lexuar, shumë prej punimeve artistike që prezantuat në Zappeion janë piktura që i bëni gjatë orarit të punës në mënyrë spontane. Më tundon pyetja nëse keni bërë ndonjë pikturë gjatë muajve të fundit, e cila ilustron njëfarësoj përkeqësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona.

Kryeministri Edi Rama:  Këtë e kam bërë ndërkohë që po ju prisja. Është ende në fillim, por do të ngjyroset dhe do përpiqem ta ngjyros me të bardhë, blu, të kuqe dhe të zezë. Të shohim ç’do dalë dhe, nëse del mirë, do jua dërgoj.

Gazetari: Në rregull.

Kryeministri Edi Rama: Shpresoj që kryeredaktori juaj të mos mendojë se ju kam korruptuar me këtë dhe të mund ta mbani.

Gazetari: Patjetër mund ta botojmë në gazetë, që ta shohin të gjithë grekët. Z. Kryeministër, u ndjetë i fyer personalisht që Mitsotakis nuk ju ftoi në Athinë në darkën joformale të së hënës së kaluar me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor? Sigurisht, ju u përgjigjët në Tëitter se ai është ftuar në tetor në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë. Çfarë tjetër doni t’i thoni Kryeministrit Mitsotakis?

Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, pikë së pari, gjatë gjithë këtij rrugëtimi në jetë, kam mësuar se të ndihesh i fyer personalisht nuk është diçka që të bën të jetosh mirë. Ndaj, nuk e marr kurrë personale, kur bëhet fjalë për politikën, për gjëra që ndodhin e që mund të jenë të pakëndshme për ty a që mund të të bëjnë të ndihesh keq. Sepse, tek e fundit, politika është një bishë e rrezikshme, që mund të të tërheqë poshtë e të të bëjë të thuash a bësh gjëra për të cilat nuk je krenar, kështu që, jo, nuk jam i fyer personalisht. Thjesht, unë nuk do ta bëja (atë që bëri ai) e as nuk e imagjinoj të vihem në të njëjtën pozitë për të bërë diçka të tillë. Madje, për më tepër, mendoj se qëllimi i takimit dhe e nismës që ndërmori Qirjakosi lidhet me diçka shumë të madhe shumë të madhe. Kështu, të lidhësh këtë qëllim kaq të madh, të lidhësh një nismë kaq të rëndësishme me dërgimin e një mesazhi për mua, për Shqipërinë  Për çfarë? Çfarëdo rëndësie t’i japë pala greke kësaj çështjeje, që e dimë të gjithë se me çfarë ka të bëjë, nuk është kjo mënyra për të vepruar. Mendoj se, sidomos kur ndodhin gjëra të pakëndshme midis miqve, miqtë duhet të përballen me njëri-tjetrin, të flasin me njëri-tjetrin, të përpiqen të kuptojnë, ta nderojnë miqësinë duke qenë shumë të hapur e në të njëjtën kohë pa harruar asnjëherë se janë miq. Qirjakosi ishte një mik që e pëlqeja dhe e respektoja, e vazhdon të jetë një mik që e pëlqej dhe e respektoj. Shpresoj që kjo gjë do të ndreqet, por edhe nëse nuk ndodh, Qirjakosi do të mbetet gjithnjë një mik që e pëlqej dhe e respektoj. Pastaj, politika, siç e thashë, mund të jetë një ndikim shumë i keq; mund të të bëjë të thuash e të bësh gjëra që, me kalimin e kohës, kupton që nuk ishin gjërat e duhura.

Gazetari: Më 22 dhjetor 2022, ju mirëpritët Mitsotakis në fshatin Derviçan, pak orë pasi ai kishte bërë fushatë me Belerin në Himarë. A kishit folur ndonjëherë me Mitsotakis për rezervat që kishit për Belerin?

Kryeministri Edi Rama:  Jo, jo dhe nuk mendoj që ai bëri realisht fushatë, mendoj që ai ishte për vizitë atje dhe…

Gazetari: Ishte në podium me Belerin.

Kryeministri Edi Rama:  Po, po ai mund të jetë me kë të dojë, unë nuk i gjykoj miqtë e mi kështu. Ne ishim në Derviçan, po, dhe isha shumë i kënaqur që isha me të, e ndërkohë, po përgatisim bustin që do të vendoset atje për nder të babait të tij të ndjerë, Kryeministrit Konstandin Mitsotakis, i cili përpara sesa të vinte Qirjakosi ishte kryeministri i parë dhe i fundit grek që pati ardhur të takonte qytetarët me kombësi greke në atë zonë, ndaj është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm në historinë e atij komuniteti atje. Unë nuk kam dhënë urdhër që të ndalet puna me bustin. Po pres rezultatin dhe duam të vendoset atje përpara 28 tetorit. Ju keni një datë të rëndësishme më 28 tetor, apo jo? Ndaj, kushdo që do të ketë mundësinë të vijë në atë datë nga Greqia për vizitë, do të gjejë Konstatinos Mitsotakis aty në shesh. Sheshi, ndërkohë, po rindërtohet. Kemi bërë një projekt. Kështu mendoj se nderohet lidhja  mes shqiptarëve dhe  grekëve, natyrisht, jo vetëm me këtë, por besoj ky është një shembull i vogël i asaj sesi unë mendoj që duhet të jetë.

Gazetari: Doni të thoni që do të përuroni këtë bust në tetor?

Kryeministri Edi RamaA:  Dhe ju lutem, ju lutem, ndaluni, ndaluni, ndaluni ju dhe kushdo tjetër që komentoni për ekspozitën (time) duke fajësuar Qirjakosin dhe Nikosin pse u treguan mikpritës, sepse ata mirëpritën një artist, mirëpritën një moment të bukur për artin, për kulturën.

Gazetari: Absolutisht, nuk kam shkruar asgjë kundër ekspozitës

Kryeministri Edi Rama:  Jo, jo, mundem t’jua them juve “ndaluni”, sepse e kuptoni nga fytyra ime që nuk e kam me ju, por e kam me të gjithë ata, edhe me ca të opozitës, që u çuan e folën. Kur shoh sesi debaton në Greqi opozita dhe qeveria, ndihem si në vendin tim, thjeshtë ashtu. Po nuk është ide e mirë t’i përziesh të dyja. Sipas meje pra, ata s’bënë asgjë të gabuar, në të kundërt. Ekspozita ishte e bukur, sepse hapësira është e jashtëzakonshme.

Gazetari: Ishte një gjest i shkëlqyer, ishte një ekspozitë e shkëlqyer dhe ishte nder për ne që patëm pikturat dhe skulpturat tuaja në Athinë. Pashë në Ëikipedia që ekspozita juaj e parë ishte në Korfuz, në vitin 1990, është e saktë?

Kryeministri Edi Rama:  Korfuzi qe vendi i parë ku shkela si individ i lirë për të udhëtuar sepse më parë kisha udhëtuar, po nuk kisha udhëtuar si njeri i lirë, por si lojtar i ekipit kombëtar të basketbollit, kur duhej të luanim jashtë në ato pak raste dhe ishte e vetmja rrugë për të dalë jashtë shtetit. Më tej, përpara se të shembej regjimi, por pasi kishte ndodhur ngjarja e madhe e kapërcimit të mureve të ambasadave, kur shqiptarët kërkuan azil politik, çka shënoi plasaritjen e parë në murin e regjimit, nisën t’u lëshoheshin pasaporta për të udhëtuar jashtë, njerëzve që kishin të afërm matanë dhe nëna ime, e cila ishte nga Vunoi, Himarë meqë ra fjala, kishte të afërm në Korfuz, kështu që shkova në Korfuz. Më kujtohet që, kur mbërrita, të afërmit tanë na pritën në shtëpi dhe më pyetën se ç’doja të bëja të nesërmen, të dilnim në pazar, të uleshim për një akullore apo të shkonim në plazh. Po, të haje akullore ose të shkoje për pazar ishte shumë tërheqëse, por iu thashë se doja të shkoja në një bibliotekë dhe të takoja një prift. M’u kthyen e më thanë, “mirë, bibliotekën e kuptojmë, po priftin?” Iu thashë: “Ndoshta më kuptoni ose ndoshta jo. Dua të shkoj në një bibliotekë, sepse për herë të parë në jetën time do të mund të shoh në një bibliotekë a në një librari, të gjithë autorët, që mund t’i prek, t’i nxjerr nga raftet, t’i shoh dhe ta bëj lirisht, sepse në Shqipëri shumë prej tyre nuk lejoheshin, ishin të ndaluar. Të shihja Platonin, Sokratin, Aristotelin, Kantin ose të gjithë shkrimtarët, Prustin, Kafkën e të tjerë si ata ashtu lirisht, për mua, ishte një ngjarje e madhe në jetën time. Më pas, iu thashë “dua të shoh një prift”. Nuk kisha parë kurrë në jetë një prift, sepse feja në Shqipëri ishte e ndaluar dhe doja vetëm të shihja një prift, sa për ta parë, sa për të kuptuar si dukej një prift. Vlera e shtuar ishte se prifti kishte mjekër të gjatë, më të gjatë se e imja, por po kaq të bardhë. Ju do të qeshni tani, po nuk është shaka, ishte mjekra e parë që shihja në jetën time, sepse deri përpara vitit 1990, mjekra ishte e ndaluar në Shqipëri.

Gazetari: Vërtet?

Kryeministri Edi Rama:  Po, mjekra, flokët e gjata ishin të ndaluara. Mustaqet ishin një element që vetëm njerëz që ishin krejt të padyshimtë mund ta mbanin, si burrat në moshë ose shkrimtarët, ose veteranët e luftës, pleqtë në fshatra, por jo ne, jo të rinjtë. Meqë ra fjala, do ju tregoj diçka – dhe nuk është shaka, ishte diçka që vinte nga ndikimi i Revolucionit Kulturor kinez – ne kishim në aeroportin e Shqipërisë, i cili në atë kohë kishte shumë pak fluturime, Shqipëria kishte vetëm disa mijëra turistë dhe ishin thuajse të gjitha grupe marksiste-leniniste që vinin për të bërë pushimet këtu. Në aeroport kishte një dyqan berberi. Çdo turist që kishte mjekër ose flokë të gjata duhej të shkonte te berberi për të hequr mjekrën dhe për të prerë flokët. Kështu që edhe vetë Karl Marksi nuk do mund të hynte në Shqipërinë marksiste pa u rruar mirë e pa prerë flokët. Pra, ja pse isha në Korfuz. Më pas, bleva bojëra e letër dhe nisa të bëja piktura në ballkonin e asaj shtëpie shumë të bukur të të afërmve të mi dhe hyra në kontakt me dikë, që s’e kam takuar më, një piktor nga Korfuzi, i cili quhej Spiros Surxhinos. Atij i pëlqyen dhe më tha: “Pse nuk bëjmë një ekspozitë?” I thashë: “Uau, fantastike”. Kësisoj, unë çela një ekspozitë atëherë në dimër, në dhjetor, në sallën e ekspozitave të Teatrit të Korfuzit dhe kjo ishte ekspozita ime e parë jashtë.

Gazetari: Kjo ishte ekspozita e parë. Mirë, histori shumë interesante. Le t’i kthehemi çështjes së nxehtë, që është çështja “Beleri”. Pyetja ime e parë për këtë histori është: “Pse zgjodhët të sulmonit personalisht një kandidat për kryetar bashkie?” E keni quajtur analfabet, maskara, të pafytyrë. Ju jeni, sigurisht, Kryeministri dhe duke marrë parasysh rolin dhe pozicionin tuaj, a ishte ndërhyrja juaj një thirrje për institucionet, për policinë dhe gjyqësorin, për ta veçuar, për ta vënë në shënjestër këtë kandidat?

Kryeministri Edi Rama:  Mirë, faleminderit për pyetjen. Para së gjithash, siç e thashë, ndonjëherë, në politikë, mund të thuash gjëra për të cilat nuk je krenar dhe në këtë fushatë, po, kam thënë disa gjëra për të cilat realisht nuk ndihem mirë, por nuk ndihem mirë, sepse kjo u lidh me atë që ndodhi, që nuk ka fare lidhje, fare. Arsyeja pse u tregova i ashpër me të ishte se ai bëri disa deklarata shumë, shumë të papranueshme, të tilla si “do të çonte përpara procesin e ndërprerë të helenizimit të Himarës”. Kjo është diçka që nuk mund të thuhet në Europë, në këtë Europë. Kjo vjen nga një e shkuar e errët dhe shumë e largët. Pastaj, sigurisht, edhe të tjera që nuk ishin realisht aspak të mira. Fliste sikur ishte atje për të çliruar Himarën, nuk e di prej kujt, po mund të flasim për këtë. Sidoqoftë, po ju bëj një pyetje retorike: “Nëse unë do të kisha dijeni që kishte një hetim të nisur nga denoncimi i dikujt dhe të angazhuar nga prokuroria, do ta ekspozoja veten me një gjuhë kaq të ashpër? Po ta dija që ai do të arrestohej, do ta ekspozoja veten me një gjuhë kaq të drejtpërdrejtë? Mendoj që, jo, sepse mund të mos jem njeriu më i mençur në botë, por nuk jam edhe më budallai në botë dhe ky do të ishte një budallallëk i madh. Arrestimin e tij e mora vesh kur policia ishte vënë në veprim dhe telefonova drejtorin e policisë e i thashë: “Çfarë është kjo?” Më tha: “Kemi një mandat arresti nga prokuroria dhe bazohet mbi prova bindëse për blerje votash”. I thashë: “Dëgjo, bëni mirë të jeni të sigurt për atë që po bëni, sepse kjo mund të marrë shumë për keq dhe duhet të mbështetet mbi prova bindëse. Megjithatë paçi fat”. Kjo nuk ishte diçka në të cilën isha i përfshirë, aksioni po zhvillohej tashmë. Tani, më bëni pyetjen tjetër.

Gazetari: Ka një mundësi dhe dua ta diskutoj me ju që të dyja vendet kanë  humbur disi gjatë përkthimit sa i takon “helenizimit”. Miq të Belerit dhe të tjerë në Greqi këmbëngulin se ai nuk ka folur asnjëherë për “helenizimin” ai ka folur për atë që në greqisht është “elinismos”, që janë “helenët”, “grekët”. Ai iu tha njerëzve atje se fitorja e tij do të ishte në të mirë të “elinismos”, për njerëzit që jetonin në Himarë. “Elinismos” janë njerëzit që jetojnë në Kanada, në Australi e kudo. “Ekselinismos” do të thotë “helenizim”. Pra kjo “eks-elinismos”. Pashë një dokumentar në televizionin shqiptar, Top Channel me titra në anglishte, në të cilin gazetari u shpreh se Beleri kishte dhënë një intervistë për një portal grek,  “Protothema” ku bënte thirrje për “ekselinismo”, për helenizim, por ai nuk ka bërë asnjëherë thirrje për këtë. Në intervistë, ai u bënte thirrje “elinismos” që do të ishin më mirë me të si kryetar bashkie. Ndoshta, ekziston ky ndryshim në përkthim.

Kryeministri Edi Rama:  Dëgjoni, në fund të fundit nuk është vetëm kjo dhe, në përgjithësi, çfarëdo të përfaqësojë ky njeri, që është një këndvështrim krejt ndryshe i botës nga i imi, nga i yni, sepse ne ishim kundërshtarë në fushatë, nuk ka të bëjë aspak me atë çfarë ndodhi. Këtë mund t’jua garantoj. Keni fjalën time dhe unë mund t’ju jap shumë arsye pse duhet t’i besoni fjalës sime. Përtej politikës së gjithë kësaj dhe përtej saj, nuk është vetëm ajo fjala (helenizimi), por një veprimtari e tërë, shumë gjëra, po deri këtu jemi në politikë, kjo është politikë. Ama çfarë ndodhi më pas nuk është politikë. Është sundim i ligjit dhe ka të bëjë me institucionet tona! Mund të diskutojmë lidhur me këtë, sepse e di që mendoni të kundërtën dhe duhet t’i shohim faktet në sy.

Gazetari: Po ju ndjek dhe po ju dëgjoj me shumë kujdes, por mendoj që do doja t’ju jepja të panoramën e plotë të ngjarjes ashtu siç është, e parë nga Athina. Më lini t’ju shpjegoj se pse Athina është zhgënjyer nga ju. Të gjithë e pranojmë se jeni një udhëheqës reformator. Reformat tuaja në gjyqësor janë mbresëlënëse, sidomos procesi i vetting-ut. Shumë pak vende kanë marrë kurajën për ta bërë një gjë të tillë, por, prapë, problemet në gjykata vazhdojnë të jetë të pranishme. Sipas burimeve të mia në Athinë, trajtimi i çështjes Beleri nga institucionet shqiptare kërcënon emrin e Shqipërisë në BE për tri arsye: E para, ne e dimë që Beleri nuk u arrestua në skenën e krimit të dyshuar.Po, e dyta është që atij i është mohuar leja e posaçme për të bërë betimin. E treta, ai mbahet ende i burgosur, edhe pse nuk mundet ta përsëritë krimin e dyshuar, sepse nuk ka zgjedhje që të ndikohen, pyetja e dëshmitarëve ka përfunduar, ndaj ai nuk mund të ndërhyjë aty dhe është kryetar bashkie i zgjedhur, kështu që pse të arratiset jashtë vendit. Për rrjedhojë, Athina thotë se kemi një arrestim të gabuar, burgosje të gabuar dhe mohim të të drejtave të dikujt. Ja pse Athina ka marrë këtë qëndrim lidhur me këtë çështje.

Kryeministri Edi Rama:  E kuptoj, e kuptoj, por nuk bie dakord. Nuk bie dakord me asnjë prej këtyre. Së pari, nuk jam dakord që një vend i huaj, një qeveri e huaj të bëjë komente të thella rreth veprimeve të sistemit të drejtësisë së një vendi tjetër, edhe duke qenë vende mjaft mike. Sipas meje, kjo nuk është europiane! Si fillim, duhet të bazohemi në atë që ne dimë, sepse nuk dimë gjithçka. Do marrim vesh çdo gjë kur prokuroria e posaçme të paraqesë provat e plota në gjykatë dhe ende nuk kemi shkuar aty. Por, mbështetur në atë që dimë, ai u kap në flagrancë, pra u kap në veprim e sipër të blerjes së votave, sigurisht me rrjetin e tij të blerjes së votës. Së dyti, leja – sepse këtu është përqendruar vëmendja tani – e drejta për të marrë leje për të bërë betimin. Pikë së pari, në këtë pikë të dytë, askund në legjislacionin shqiptar nuk ekziston kompetenca e qeverisë ose e kryeministrit të nxjerrë leje për një të ndaluar në paraburgim – në paraburgim (e theksoj) – që të dalë nga burgu. Kjo nuk ekziston. Nga ana tjetër, ai, avokatët e tij apo kushdo qoftë duhej të kalonin përmes gjykatës për ta kërkuar këtë gjë, e cila më duhet t’ju rithem nuk ekziston në legjislacionin shqiptar. Nuk ka diçka të tillë që dikush të marrë leje për të bërë betimin, ndërkohë që është në paraburgim për një krim në flagrancë dhe gjykata e ka refuzuar tashmë. Së treti, ju thatë se arsyeja e tretë, nëse nuk e kam gabim, ishte burgosja e një kryetari të zgjedhur bashkie, kështu?

Gazetari: Po. Mbahet i burgosur ndërkohë që nuk mund ta kryejë të njëjtin krim sërish.

Kryeministri Edi Rama:  Po, por çështja është se mbështetur në sa mund të kuptojmë nga ajo që ka ndodhur sa i takon procesit, ai është burgosur sepse në të tria nivelet e gjyqësorit të Republikës së Shqipërisë, në shkallëm e parë, në apel dhe në Gjykatën e Lartë, ai nuk u la i lirë. Ndaj, pyetja ime është shumë e thjeshtë: “Ku hyj unë dhe ku hyn qeveria shqiptare në të gjithë këtë?” Tani, do ju jap pak kontekst. Ky sistem, që do të thotë Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, janë krijuar në zbatim të një reforme në drejtësi që, nga “A”-ja në “Zh”, u konceptua, u hartua, u miratua dhe nisi të zbatohej nën monitorimin e rreptë të Bashkimit Europian dhe me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, përfshi Greqinë dhe janë këto organizma që kanë vendosur për paraburgimin, të katër a pesë ish-kryetarëve të bashkive të Partisë Socialiste të Shqipërisë, nëse nuk gaboj numërimin. Tri ditë përpara nisjes së fushatës, një kryebashkiak i Partisë Socialiste të Shqipërisë, i cili ishte kandidat, u arrestua dhe u la në paraburgim dhe nuk jam i sigurt nëse, që atëherë, është çuar përpara gjykatës.

Gazetari: Ata ishin kryetarë në detyrë, ishin kryetarë tashmë.

Kryeministri Edi Rama:  Po, po, ishin në detyrë, por po e them gjithë këtë…

Gazetari: Ata janë gjykuar për krimet që kanë kryer gjatë mandatit të tyre si kryetarë bashkie.

Kryeministri Edi Rama:  Jo, jo, po jua them gjithë këtë, sepse dua të kuptoni se këto struktura janë tërësisht të pavarura nga çdo ndikim dhe nga çdo ndërhyrje e mundshme nga unë dhe nga qeveria. Ky është një zotim që e kemi marrë dhe ju sfidoj të gjeni qoftë edhe një koment të vetëm, një koment të vetëm timin dhe unë jam Kryeministri i Shqipërisë, nuk jam Kryeministri i Greqisë! Unë jam Kryeministri i Shqipërisë dhe kurrë nuk i kam komentuar veprimet e këtyre institucioneve të reja. Kjo nuk do të thotë se jam i kënaqur me të gjitha veprimet e tyre dhe se nuk kam idetë e mia për një veprim a një tjetër. Unë i kam thënë partisë sime, u kam thënë njerëzve: “Kjo do të jetë e dhimbshme, kjo nuk do të jetë e përsosur. Po ndërtojmë nga zeroja në Shqipëri një sistem gjyqësor që nuk ka ekzistuar kurrë më parë, kurrë në historinë e Shqipërisë, jo vetëm për këtë pjesë të historisë, por qyshse kemi një shtet shqiptar, nuk ka pasur as edhe një rast kur një person i lidhur me pushtetin, qoftë nën monarki, nën diktaturën komuniste, nën qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, të ketë shkuar në burg (pavarësisht dëshirës së pushtetit). Asnjë, nuk ka as edhe një rast”. Sot, ndërkohë, nuk kemi pak, as nuk i mbaj mend sa janë bërë dhe do të vazhdojmë kështu. Tani, a është e përsosur? Asgjë nuk është e përsosur. A kam unë shqetësime, a kam mendime që mund të jenë ndryshe në një mënyrë a një tjetër, për një rast apo një tjetër? Ndoshta, por kjo është ajo që duhet të bëjmë. Duhet të durojmë dhimbjen, duhet të durojmë papërsosmëritë dhe duhet të  vazhdojmë përpara, sepse ky është një moment në histori kur po provojmë diçka të paprovuar ndonjëherë dhe që kur është provuar, jo kështu, po në një nivel shumë më minimal, është tretur, sepse nuk është e lehtë të kesh një gjyqësor të pavarur në një vend ku jemi të gjithë kushërinj. Po të gërmojmë, dalim të gjithë kushërinj. Duhet të dini edhe ju diçka për këtë, sepse, edhe pse Greqia është më e madhe, jemi i njëjti soj, kemi të njëjtat lidhje fisnore, familja është e rëndësishme, kushërinjtë janë të rëndësishëm, fqinjët janë të rëndësishëm, të njohurit e të njohurve janë të rëndësishëm, por na duhet ta ndërtojmë (drejtësinë). Jua solla këtë si kontekst për bisedën tonë dhe ka edhe njerëz të tjerë në këtë vend që kanë bërë gjëra të tmerrshme. Nuk janë nga partia ime, nuk janë prej atyre që sot janë në qeveri dhe mbeten ende të paprekshëm. Na duhet të presim, të tregojmë durim,  duhet të shohim, është punë në ndërtim e sipër. A mendoni se ka një vend ndryshe, se duhet të ketë një drejtësi ndryshe, se duhet të ketë një trajtim ndryshe për dikë që, po, është me kombësi greke.

Gazetari: Jo, aspak.

Kryeministri Edi Rama: Por që është qytetar shqiptar, i cili duhet t’i bindet ligjit dhe duhet të kalojë në të njëjtat kanale. Kjo është përgjigjja ime dhe jo pra, nuk ka… E di që faktet ndonjëherë nuk mjaftojnë, sepse kur dikujt i është ngulitur një ide, vazhdon t’i qëndrojë asaj, por ka diçka që dua ta theksoj dhe që mendoj se qytetërimi ynë, bota në të cilën ne besojmë e ka zgjidhur që nga koha e Romës: Është barra e akuzuesit dhe jo e të akuzuarit për të paraqitur prova. Tani, i akuzuari jam unë dhe nuk më takon barra për të sjellë prova. Unë përpiqem të sjell argumente, por nuk kam parë asnjë provë, asnjë provë që do të mbështeste njëfarësoj argumentin se është Edi Rama që po e bën këtë, ai po tregohet kokëfortë dhe ai po qëndron në të tijën, se ai është kështu e ai është ashtu. Ka pasur komente në Greqi për të cilat më ka ardhur keq, deri edhe të tipit “ai është bishti i Erdoganit, po bën sipas Erdoganit.”. Dëgjoni, kjo është e tepërt dhe nuk e nderon Greqinë, nuk e nderon gazetarinë greke, nuk e nderon politikën greke.

Gazetari: Do t’ju pyesja për Presidentin Erdogan.

Kryeministri Edi Rama:  Po, më pyesni. Kjo është bisedë e lirë dhe, më pas, sigurisht, ju do bëni punën tuaj për ta redaktuar dhe do ta botoni, po tani po flas me ju.

Gazetari: Po, absolutisht, tani po flasim së bashku. Kam edhe dy pyetje të tjera, veçanërisht për Belerin. Një prej tyre është: “Në Athinë, qeveria greke ka theksuar se Beleri është i vetmi që mbahet i ndaluar për këtë krim specifik në Shqipëri. Ndëshkimi është shpërpjesëtimor për afro 300 euro. Ka pasur edhe 31 incidente të tjera ku janë dhënë para në të njëjtën ditë, ditën e zgjedhjeve, në maj, por të gjithë janë të lirë. Kandidatë që paguanin votuesit për të votuar për ta – 31 incidente. Tridhjetë prej tyre janë të lirë dhe i vetmi kandidat i akuzuar për këtë vepër penale të  dyshuar është në burg. Ky është një detaj tjetër për të cilin flasin në Athinë.

Kryeministri Edi Rama:  Të kuptoj dhe përgjigjja ime është shumë e thjeshtë. Së pari, as arrestimi dhe burgosja e njërit, as lënia e të tjerëve të lirë nuk ka të bëjë me qeverinë ose me mua, por ajo çfarë mund t’ju them është, duke qenë se e kam dëgjuar këtë argument dhe kam pyetur…

Gazetari: Zyrtarët tuaj.

Kryeministri Edi Rama:  Këtu çështja është se kjo ka ndodhur me presh në duar. Rastet e tjera janë denoncime nga të tjerë dhe nuk ka kandidatë, nuk ka asnjë kandidat të vetëm apo kryebashkiak në detyrë, që të jetë kapur duke e bërë një gjë të tillë dhe të jetë lënë i lirë. Ka njerëz për të cilët ka akuza bazuar në një video, në një mesazh zanor a në diçka tjetër dhe të gjitha këto janë çështje në hetim, ende të papërfunduara, kështu që krahasimi nuk qëndron.

Gazetari: Po, nëse mundem t’ju them…

Kryeministri Edi Rama:  Po, sigurisht që mundeni.

Gazetari: Sipas informacioneve tona dhe sipas një videoje të postuar në Facebook, kur është arrestuar, Beleri ka qenë në një restorant tjetër nga vendi ku është kryer krimi i dyshuar nga dikush që punonte për të. Ai ishte në një restorant tjetër duke folur me kushëririn dhe avokatin e tij dhe më pas është arrestuar, pasi dikush që punonte për të ishte arrestuar më parë, gjysmë ore ose një orë më parë në një restorant tjetër, një lokal akulloresh, i dyshuar se po jepte para. Avokatët e Belerit shprehen se dokumentet ose dokumentet gjyqësore thonë se Beleri nuk ishte në vendngjarjen e krimit. Megjithatë, do të doja ecja më tej…

Kryeministri Edi Rama:  Më lejo të them diçka këtu. Së pari, askush, përveç prokurorëve, nuk i njeh provat e plota, sepse ato nuk janë bërë publike. Provat e plota janë ende pjesë e sekretit hetimor deri në momentin që do të hapet gjyqi dhe do nxirren përpara gjyqtarit. Kur të ndodhë kjo, atëherë kjo çështje do t’i bëhet me dije publikut dhe pastaj çdokush mund të gjykojë nëse kjo është e gjitha apo vetëm një pjesë, nëse është mirë apo është keq, diçka që unë nuk e di, zotëri i nderuar, nuk e di. Unë përgjigjem bazuar vetëm tek ajo që di dhe atë që s’e di, s’e di. Nëse nuk ka prova dhe e gjitha kjo është një farsë, do ta marrim vesh dhe, më pas, mund të diskutojmë sërish, por, gjithësesi, une nuk do të komentoj. Unë nuk bëj kurrë komente mbi atë çfarë bëjnë këto institucione të reja dhe më besoni, ndonjëherë, do doja të komentoja, por vetëpërmbahem dhe askush në partinë time, në qeverinë time nuk bën komente rreth vendimeve të drejtësisë, sidomos për këtë pjesë, sepse reforma duhet të vazhdojë me zyra prokurorie në çdo qark e me gjëra të tilla, por në këtë pjesën e re ne nuk hyjmë absolutisht. Ne duam t’i mbështesim këto institucione, duam ta mbështesim këtë reformë dhe na duhet të paguajmë çmimin për të, qoftë kur shohim njerëz të partisë sonë që arrestohen, qoftë kur kemi gjëra për të thënë dhe mbyllim gojën. Kështu i shërbejmë ne kësaj (kauze të drejtësisë), në të kundërt, mund të dështojë sërish, sepse nëse shndërrohet në diçka politike, mund të dështojë sërish dhe prokurorët e gjyqtarët nuk do të ndihen më të mbështetur dhe nuk do të duan më të bëjnë punën e tyre. E vetmja ndërhyrje qeveritare që kur reforma në drejtësi ka nisur rrugën e saj është ndërhyrja e qeverisë greke. Nga qeveria shqiptare nuk ka asnjë ndërhyrje.

Gazetari: Athina i ka kërkuar Tiranës ta lejojë Belerin të bëjë betimin. Ka një alternativë për këtë. A jeni gati të mbështesni politikisht alternativën që ai ta bëjë betimin në burg përpara një noteri?

Kryeministri Edi Rama:  Dëgjo, është shumë interesante kjo, “Athina i ka kërkuar Tiranës”. Kush është Tirana në këtë rast?

Gazetari: Kryeministri.

Kryeministri Edi Rama:  Tirana nuk është kryeministri. Kryeministri është i ulur këtu dhe unë jam në qendër të Tiranës, mund ta konfirmoj, por pushteti im është krejtësisht i ndarë nga pushteti i atyre të cilët duhen pyetur dhe janë pyetur e kanë thënë “jo”, që do të thotë, se janë pyetur përmes procesit dhe kanë thënë “jo”. Nga ana tjetër, nëse më gjeni një rresht në legjislacionin tonë që i hap edhe dritaren më të vogël bërjes së betimit në burg përpara një noteri, atëherë le ta flasim. Nuk ka asgjë të tillë.

Gazetari: Ka një precedent në Tiranë. Ekspertët ligjorë në Athinë dinë se ka një precedent në Tiranë. Më 14 nëntor 2019, Arta Vorpsi, gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese, tejkaloi kundërshtimin e Ilir Metës për ta pranuar, duke e bërë betimin përpara një noteri.

Kryeministri Edi Rama:  Dëgjoni, së pari, ajo ishte njeri i lirë, që pati idenë ta bënte një gjë të tillë. Pati disa njerëz që menduan se kjo ishte e mundur dhe më pas gjëja ra poshtë. Së dyti, po flasim për një njeri, i cili është në burg për një krim, nuk po flasim për dikë që bën eksperimente.

Gazetari: Krimi nuk është provuar.

Kryeministri Edi Rama:   E pra çfarë ajo zonja bëri në atë rast ishte vendimi i saj, veprimi i saj dhe nuk funksionoi, por në rastin për të cilin po flasim bëhet fjalë për një të ndaluar, për dikë që është në burg. Kur vjen puna për bërjen e betimit si kryetar bashkie, ligji është shumë i qartë: betimi bëhet përpara këshillit bashkiak, në prani të prefektit e me radhë. Nuk ka në ligjin tonë asgjë të tillë si betimi përpara një noteri, nuk ka. Edhe njëherë, kjo është ajo për të cilën bëhet fjalë. Ju thoni një gjë, unë them një tjetër, por në fund të fundit ka vetëm një vend ku kjo mund të  vendoset dhe kjo është gjykata. Gjykata tha “jo”, kështu që për çfarë po flasim?

Gazetari: Drejtori i burgut nuk është pjesë e gjykatës.

Kryeministri Edi Rama:  Po drejtori i burgut nuk e ka të drejtën të japë një leje të tillë, sepse drejtori i burgut nuk mund t’iu japë leje personave të paraburgosur, nuk ekziston kjo. Të paraburgosurit nuk mund t’i jepet leje nga drejtori i burgut, por vetëm nëse ai e kërkon dhe e merr nga gjykata.

Gazetari: Nga gjykata, në rregull.

Kryeministri Edi Rama:  Kur je i burgosur, ke mbaruar punë me procesin gjyqësor dhe je aty dhe, larg qoftë, të vdes dikush në familje, kërkon leje dhe mund ta marrësh bazuar në sjelljen tënde e kështu me radhë. Këtë mund të bëjë drejtori, por ai nuk mund t’i japë leje një të paraburgosuri që të bëjë betimin në detyrë, ndërkohë që kjo nuk është fare e parashikuar në legjislacionin tonë.

Gazetari: Në rregull. Atëherë, Kryeministër a do të thërrisni zgjedhje të parakohshme për Himarën?

Kryeministri Edi Rama:  Këtu, ndoshta, mund të siguroni një lajm. Nuk jam i sigurt nëse duhet.

Gazetari: Do isha i lumtur po të siguroja një lajm.

Kryeministri Edi Rama: Nuk jam i sigurt nëse duhet ta merrni, sepse ende nuk jam i sigurt se si do të shkojë. Po, para së gjithash, nuk jemi ne, nuk është qeveria që thërret zgjedhjet e reja në Shqipëri, është Presidenti ai që i thërret. Ndërkohë, mënyra sesi shkon procesi është kështu: sipas ligjit tonë, nëse një person i zgjedhur nuk paraqitet për bërjen e betimit për çfarëdo arsye – nuk është e përcaktuar – pra, kur nuk paraqitet për t’u betuar brenda 90 ditëve, i takon qeverisë të veprojë duke shkarkuar personin dhe duke vendosur një kujdestar në detyrë derisa të zhvillohen zgjedhjet e reja, të cilat shpallen nga Presidenti. Iu kam kërkuar juristëve të mi të përgatisin një opinion dhe nuk e di cili do të jetë, por mendoj se ky rast është tejet specifik. Nuk ka një precedent për këtë, kur është hartuar ligji askujt nuk i ka shkuar ndërmend një situatë e tillë. Instikti im apo reagimi im i parë është se, ndoshta, do të na duhet të presim procesin gjyqësor, derisa të provohet nëse ai është fajtor apo i pafajshëm. Sidoqoftë, ky nuk është opinion ligjor, është thjesht një mendim i imi për faktin se nuk kemi realisht asnjë precedent dhe pastaj, kjo do të hapte shteg për shumë interpretime. Më duhet të pres departamentin ligjor, por kjo mund të shkojë qoftë në një drejtim, qoftë në tjetrin. Kjo është edhe përgjigjja e duhur, mund të ndjekim njërin apo tjetrin drejtim, bazuar në argumentimin e departamentit tonë ligjor.

Gazetari: Më lejoni ta bëj më të qartë, ju doni të thoni që, politikisht, mbështesni idenë se Beleri duhet të vazhdojë të jetë kryetar i zgjedhur deri në procesin e tij gjyqësor. E kuptova mirë?

Kryeministri Edi Rama:  Nuk është vetëm politikisht, sepse në këtë tryezë, duhet të marrësh vendime, në tryezën tuaj duhet t’i komentoni vendimet.

Gazetari: Po, patjetër. Është më e lehtë.

Kryeministri Edi Rama:  Në këtë tryezë, duhet të marrësh vendime dhe ka shumë gjëra që duhet t’i filtrosh e t’i kuptosh, por, në këtë rast, sigurisht, duhet të shohim opinionin ligjor dhe mendoj se ka një mundësi që të mos veprojmë derisa gjykata të marrë vendimin. Në këtë rast, u japim të gjithëve shansin që ta ndjekin deri në fund, nëse është e mundur. Nëse kjo është e pamundur ligjërisht, do të na duhet ta shkarkojmë, pra mund t’i ndjekim të dyja rrugët.

Gazetari: Kur do të vendosni për këtë?

Kryeministri Edi Rama:  Di që ka edhe një gjë tjetër që po interpretohet, se kur nis numërimi, pra nga cila ditë do të nisë numërimi? Dhe pastaj ka ca njerëz që bërtasin se do të vijnë në Himarë dhe vijnë mbajnë protestën më unike në historinë e Europës. Ca njerëz të zgjedhur në një vend tjetër, që vijnë këtu të protestojnë kundër autoriteteve të këtij vendi, ky është rast unikal.

Gazetari: Nuk është rast i vetëm Kryeministër. Bënë të njëjtën gjë në Stamboll, për Imamoglunë

Kryeministri Edi Rama:  Kush?

Gazetari: Kostas Bakojanis, kryetari i bashkisë së Athinës shkoi në Stamboll për të protestuar në mbështetje të Ekrem Imamoglusë, kryetari i bashkisë.

Kryeministri Edi Rama:  Jo! Jo, kjo është diçka tjetër. Kjo është ndryshe, nuk është e njëjta gjë. Megjithatë, ndoshta vjen nga Greqia e lashtë, nuk e di, prandaj ndoshta dhe ju e dini më mirë si diçka tipike greke. Nuk jam mësuar me këtë, por ajo që dua të them është se nuk jemi të të njëjtit mendim as për numërimin, kështu që nuk do të merremi me këtë dhe pastaj do të marrim vendimin tonë. Mund të shkojë në secilin drejtim.

Gazetari: Kam lexuar në të dhënat e biografisë suaj dhe ma thatë edhe ju më herët se nëna juaj është nga Vunoi, një fshat në rajonin e Himarës. A ndihesh ndopak himariot?

Kryeministri Edi Rama:  Himariot?

Gazetari: Po, ju personalisht.

Kryeministri Edi Rama:  Dëgjoni, në Shqipëri dhe nuk e di a e keni në Greqi, ka një shprehje që burri është gjithnjë nga fshati i gruas.

Gazetari: Po, thuhet edhe në Greqi.

Kryeministri Edi Rama: Unë kam lindur në Tiranë. Gruaja ime ka lindur në Tiranë, kështu që ndihem tiranas, por, po, kam një lidhje shumë të fortë me Himarën, me Vunoin. Një lidhje të fortë, shumë të fortë. Nëna ime ishte vunjotëse tipike dhe ka një thënie për Vunoin, temperaturën normale e kanë 38. Më pëlqen shumë.

Gazetari: Thatë “vunjotse”, dini greqisht?

Kryeministri Edi Rama:  Jo, nuk di greqisht. Im vëlla di më shumë, e mësoi pak kur ishte në Korfuz dhe më vjen vërtet keq që nuk jam në gjendje ta flas këtë gjuhë, sepse më tingëllon shumë bukur dhe pastaj është gjuhë e njerëzve të mëdhenj.

Gazetari: Duke qenë se keni ndjenja të forta për Himarën, a doni t’i përcillni ndonjë mesazh në këtë intervistë pakicës greke që jeton në Himarë?

Kryeministri Edi Rama:  Nuk kam asnjë mesazh për t’iu përcjellë. Mendoj se kushdo në Himarë apo në pakicën greke, kudo që jeton, e di shumë mirë, nëse nuk është i helmuar nga politika, se jeton në këtë vend plotësisht i barabartë me shqiptarët, me të mirat dhe të këqijat, me problemet e me kënaqësitë. Nuk di ende, mbase ju mund të më ndihmoni, që të ketë një problem të vetëm, sikur edhe një problem të vetëm që ta kenë vetëm grekët këtu. Nuk di të ketë asnjë të vetëm. Më thoni një.

Gazetari: Po, do t’jua them një. Nuk e dija, por më thanë që ka probleme lidhur me të drejtat e pronësisë së qytetarëve të Himarës. Në Athinë thuhet se qytetarëve të Himarës iu jepen titujt e pronësisë, vetëm nëse kanë rënë dakord tashmë t’ua shesin pronat investitorëve të mëdhenj strategjikë. Kështu, në 10 vitet që qeverisni Shqipërinë dhe tre vjet pasi Parlamenti miratoi ligjin e ri për pronat, a e dini sa tituj pronësie iu janë dhënë qytetarëve me banim në Himarë për prona që nuk janë shitur menjëherë pas kësaj?

Kryeministri Edi Rama:  Së pari, ky është komplet manipulim, sepse historia e titujve të pronësisë në Shqipëri është shumë e dhimbshme, shumë e dhimbshme. Na u desh të kalonim nëpër ferrin e shtetëzimit të plotë, pastaj të përjetonim purgatorin e tranzicionit, viktima e parë e madhe e të cilit ishin titujt e pronësisë; një katrahurë e madhe, një katrahurë në çdo kilometër katror të vendit. Po ju them që ende kemi probleme, probleme të mëdha në Veri, ku ka shumë prona, ku ka nevoja për zhvillim, ku kanë nevojë për të marrë fonde, kanë nevojë për të marrë subvencione dhe nuk mund të regjistrohen, edhe sot që flasim, prandaj na u desh ta miratonim këtë ligj. E dyta, të thuash që atyre iu njihet pronësia vetëm pasi kanë bërë marrëveshje me këdoqoftë është jologjike, sepse nuk mund të bësh asnjë marrëveshje, nuk mund të marrësh asnjë leje nga institucionet, nëse nuk ke titullin e pronësisë, kështu që duhet të kesh titullin. Kam dëgjuar këtë historinë (e pronave) “për një copë bukë” dhe është çmenduri. Ju e dini sesa shitet toka në Himarë dhe janë njerëzit atje që e shesin dhe e shesin tokën bazuar në dokumentet që kanë ose mbështetur në dokumente shumë të vjetra, (ruajtur) nga koha e komunizmit, ose që nuk janë as tituj pronësie, por ata janë pronarë dhe shesin. Sot, po ju them, në Himarë jemi në situatën ku prona shitet shumë më tepër sesa në shumë pjesë të Korfuzit. Dikush që punon dhe ndërton atje dhe që nuk është nga Himara më tha i kam blerë pronat tri herë, sepse nuk doja që askush, askush të thoshte që më lanë pa gjë.  Ata kanë probleme me njëri-tjetrin, për shkak të mbivendosjeve të pronës, për shkak të dokumentacionit të ndryshëm, dhe i kishte blerë tri herë e m’i tregoi dhe më tha “tani, po punoj të blej një pronë në Korfuz dhe është 10 herë më pak sesa ato që kam blerë në Himarë një herë të vetme”. Sot, në Himarë, gjeje pak sa është çmimi mesatar: 400, 500 euro për metër katror? Po flas aty ku është plazhi, jo në mal. Ka raste që mund të shkojë deri në 1 000 dhe është një transaksion mjaft i mirë në thonjëza, pasi është kryesisht jotransparent. Njerëzit marrin shumë para, pa i deklaruar siç duhet dhe këtë nuk e kemi vetëm në Himarë, e kemi kudo. Ne kemi ndërmarrë një sistemim të gjerë të titujve të pronësisë, por ka ende shumë për t’u bërë, sepse kanë ndodhur shumë gjëra të këqija më parë. Më lini t’ju them diçka tjetër. Titujt e pronësisë që i janë dhënë pakicës greke gjatë mandatit tim janë të panumërta. Krahasojini me çfarë ndodhte më parë. Zero, zero, jo një, zero! Sot, minoritarët grekë mund të shkojnë në kisha që kanë titujt e pronësisë dhe kishat nuk kishin tituj pronësie, qëkur komunizmi i kishte zhvehur prej tyre. Qeveria ime iu dha titujt kishave. Pata një bisedë me shoqatën, nuk e di si quhet, shoqata e himarioton e amerikës apo diçka e tillë. Ata ishin një zë i fortë, sepse kanë rrënjët e tyre në Himarë, ishin të mirëorganizuar, ishin mjaft të vendosur dhe më ishin kundërvënë bazuar në llafe. Më pas, shkova në Nju Jork, u ula me ta dhe u thashë, “shikoni, mos më dëgjoni mua, se unë do them atë që më vjen për mbarë. Dërgoni një ekip atje, dërgoni një ekip juristësh, të intervistojnë kë të duan. Le të shkojnë në vend, le të flasin me institucionet, le të mbledhin faktet dhe, pastaj, nëse është ashtu siç thoni ju dhe jo siç them unë, jam gati të marr ndëshkimin, domethënë ndëshkimin si gënjeshtari më i madh”. Një nga personat aty, një njeri mjaft i mençur, tha: “Dëgjo, nuk e kisha menduar kurrë që do të takohesha dhe do ndaja bukën me Edi Ramën. Kjo në vetvete është një gjë e jashtëzakonshme dhe tani po të them që, nëse po na manipulon, do të të qepem pas gjithë jetën” Në mënyrën greke, sigurisht, jo në mënyrë terroriste. “Por, nëse ti po thua të vërtetën, do të jem miku yt përjetë”. Sot, jemi miq përjetë. Dhe, kujdes, nuk po them që kjo e gjitha është vaj, nuk po them se nuk ka probleme, nuk po them këtë, por po ju them se problemet me pronën në të gjithë bregdetin shqiptar, që sipër në Shkodër e deri poshtë në Konispol, janë të njëjtat. Belaja është që ca njerëz, që me ç’duket janë më të zgjuar se të tjerët, dinë si ta përdorin flamurin grek si kartë krediti. Dinë si ta përdorin flamurin grek që të derdhin helm dhe dinë si t’i përdorin interesat e tyre shumë të vogla duke shfrytëzuar flamurin grek. Është diçka që në çdo popull ndodh, po, për Shqipërinë, e bëjnë duke përdorur flamurin e Partisë Socialiste apo flamurin e Partisë Demokratike, ose flamujt e partive të tjera, sepse nuk mund të pretendojnë se janë këtu një pakicë që po rrënohet apo një minoritar që po zhvatet. Kur vjen fjala për disa persona në pakicën greke, ata janë shumë të zotë ta manipulojnë Athinën dhe Athina nuk është e gatshme të kuptojë se shansi më i mirë që ka për të përmirësuar marrëdhëniet dhe jetën e pakicës greke nuk është një grek, po jam unë këtu. Jam unë, jo sepse unë punoj për grekët, po sepse punoj për të gjithë njësoj dhe mendoj se grekët në Shqipëri janë një pasuri dhe duhet ta çmojmë praninë e tyre, kaq. Megjithatë, ashtu siç ka disa shqiptarë me të cilët nuk jam i lumtur që ndaj një gjak, ka edhe disa grekë që ju realisht nuk duhet të jeni krenarë që ndani një gjak me ta.

Gazetari: Flisni për manipulim. Historia që anëtarë të qeverisë kanë mbështetur interesa të veçanta në Himarë është gjithashtu një manipulim? Po i referohem…

Kryeministri Edi Rama:  Më thuaj

Gazetari: Po i referohem historisë së Artan Gaçit, bashkëshorti i ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, pronar i AGTTC Hotel Management dhe që është shpallur investitor strategjik. Ka pasur një debat të tërë në Parlament dhe në Gjykatën e Lartë, më duket. Çfarë komenti keni për këtë, sepse është përmendur si një mënyrë ndërhyrjeje e qeverisë për interesa të posaçme…

Kryeministri Edi Rama:  Dëgjoni, nëse debatet në Parlament do të ishin prova, atëherë nuk duhet të ishit duke folur me mua, por duhet të informonit policinë se ku ndodhem dhe duhet të më mbani këtu derisa të vijë policia të më marrë.

Gazetari: Nuk e thashë që ju e mbështesni këtë. Po them që nuk e di nëse kjo është në dukje e ligjshme.

Kryeministri Edi Rama:  Jo, po them që nëse debatet në Parlament bëhen arsye për t’iu vënë njerëzve nga pas, atëherë duhet të më viheni mua, sepse unë jam më i rrezikshmi, më i pandershmi, jam ai i keqi fare, po të bazohemi te ato që thuhen në Parlament. Po sa të vërtetë ka kjo (që pyetët) dhe pse u bë kaq e madhe? Çfarë është në fund të fundit një investim strategjik? Investimi strategjik është një mjet thjesht për të garantuar, jo me para, po për të garantuar me anë të disa stimujve investitorët në sektorë strategjikë dhe, për ne, turizmi është një sektor strategjik. Ky instrument është përdorur sepse ishim shumë, shumë mbrapa. Nuk kishim një hotel, një hotel që meriton të quhet i tillë.  “Investitori strategjik” është një status që merret pasi gjithçka, gjithçka është në rregull mes teje dhe pronarëve të tokës e pasi paraqet planin, prezanton projektin e kështu me radhë. Ky ishte një projekt si shumë projekte të tjera në bregdetin tonë për hotele dhe ndërtesa banimi, të zakonta për vende si tonat. Çdo hotel në Shqipëri, që është buzë detit merr leje për të shfrytëzuar plazhin. Kështu, leja që është dhënë (për plazhin) është një mes mijëra e mijëra lejeve nga lart në Adriatik e poshtë në Konispol. Çështja nuk u ngrit nga pronarë që ishin zhvatur, sepse pronarët atje kanë bërë marrëveshjet e tyre dhe janë në rregull me marrëveshjet, si çdo pronar, sepse, nëse një pronar nuk është i kënaqur me marrëveshjen, nuk e bën marrëveshjen ose nëse pronari zhvatet, ai shkon në gjykatë, del në media e kështu me radhë. Nuk ka një gjë të tillë. Tani, pyetja ime është e thjeshtë: “Çfarë duan këta që flasin? Duan që njerëzit të cilët jetojnë në Himarë ta zhvillojnë pronën e tyre apo të jetojnë si Robinson Kruzoja?” Ky është thelbi. Nëse e zhvillojnë pronën e tyre, sigurisht, bazuar në plane, ata marrin para. Marrin shumë para. Këta që flasin ashtu e nënvlerësojnë shumë inteligjencën dhe aftësinë e qytetarëve në Shqipëri, shqiptarë apo grekë, për t’u marrë me punët e tyre. Njerëzit dinë të kujdesen mirë për punët e tyre, më besoni dhe nuk ka një çështje të tillë si “ne (qeveria) duam t’u bëjmë…”. T’u bëjmë çfarë? Çfarë duam të bëjmë ne në Himarë? Ne duam ta zhvillojmë Himarën, të zhvillojmë çdo cep të vendit, bazuar në ligj, bazuar në kontrata, bazuar në gjithçka të drejtë dhe nuk mund të më gjeni as edhe një rast të vetëm, sepse atëherë ky do të ishte problem, nëse kemi marrë toka, për të vendosur një investitor strategjik, aty ku nuk ka marrëveshje me pronarët, siç ju mund të bëni në Greqi, siç mund të bëjmë edhe ne në fakt bazuar në legjislacionin tonë, por nuk e kemi bërë kurrë. As edhe një herë të vetme. Sa herë vjen puna te pronarët, janë respektuar së pari pronarët, ndaj nuk e di vërtet për çfarë flasin këta njerëz!

Gazetari: Do të përfitoj nga rasti t’ju them, t’ju rrëfej respektin tim të thellë për shqiptarët që kam takuar, të cilët jetojnë në Greqi. Disa prej tyre janë votuesit tuaj. Janë njerëz shumë punëtorë, me integritet dhe vlera morale dhe kam respekt absolut për inteligjencën e tyre. E pranoj atë që thoni. Do doja, po ashtu, të thoja se ju jeni një udhëheqës me fjalë e vepra të guximshme. Së fundi, në Chatham House, keni thënë “luftoj për një vend të hapur dhe të lirë” dhe po kështu thatë “kam vënë jetën në rrezik për lirinë e fjalës” dhe unë i respektoj plotësisht këto deklarime tuajat. E njoh historinë dhe jetën tuaj, në art dhe në politikë këto 30 e kusur vjet, por, lidhur me Himarën, është rasti për t’ju kërkuar diçka tjetër. Do të ishte një gjest mjaft i guximshëm kundrejt grekëve të Himarës, nëse do të binit dakord që mësimet e dy viteve të fundit të shkollës së mesme private të Himarës të zhvilloheshin edhe në gjuhën greke. Do të ishit i gatshëm ta merrnit në konsideratë një gjest të tillë?

Kryeministri Edi Rama:  Nuk e njoh këtë çështje, sinqerisht, nuk e njoh. Është hera e parë që e dëgjoj. Do ta shoh dhe…

Gazetari: Të gjitha mësimet janë në gjuhën greke deri në dy vitet e fundit dhe dy vitet e fundit gjithçka është në gjuhën shqipe

Kryeministri Edi Rama:  Me dy vitet e fundit e keni fjalën derisa?

Gazetari: Dy vitet e fundit të shkollës së mesme, përpara se të shkosh në universitet, janë në gjuhën shqipe.

Kryeministri Edi Rama:  Pra, po thoni që në dy vitet e fundit të shkollës së mesme nuk është më gjuha greke.

Gazetari: Po, të gjitha mësimet janë në gjuhën shqipe.

Kryeministri Edi Rama: Nuk e njoh si çështje. Unë mendoj se është shumë bukur të mësosh greqisht, është shumë bukur të mësosh çdo gjuhë dhe të mësosh gjuhën e një fqinji është fantastike. Realisht, e besoj këtë. Jam shumë i vjetër tanimë për të mësuar greqishten, po do të më pëlqente shumë.

Gazetari: Mund të përpiqesh.

KRYEMINISTRI EDI RAMA:  Ndoshta mund të regjistrohem në një kurs në Himarë.

Gazetari: Mendoj se shumicën e pyetjeve i bëra, por do të doja të bëja edhe dy të tjera. Është e mirëdokumentuar se keni një bashkëpunim politik me Tony Blair-in dhe Alastair Campbell-in. Do ta pranonit Tony Blair-in si ndërmjetës midis jush dhe Mitsotakis për të zgjidhur çështjen “Beleri”?

Kryeministri Edi Rama:  Po çfarë do të bëjë Tony Blair-i. Çfarë mund të bënte? =

Gazetari: T’ju kthente sërish miqësinë.

Kryeministri Edi Rama:  Miqësinë? Jo, po ju them, dhe jam shumë i sinqertë për këtë, nuk kam asnjë lloj ndjesie të llojit “pse kam qenë mik me këtë njeri? Pse i kam besuar këtij njeriu?” Jo, e kam mik dhe i besoj. Ju thashë, politika mund të jetë një ndikim shumë i keq e, ndonjëherë, politika ka shkatërruar mendje shumë të bukura dhe zemra të mëdha…

Gazetari: Po, absolutisht.

Kryeministri Edi Rama:  Por nuk ndryshon ndjenjat e mia. Qirjakosi për mua është një udhëheqës modern dhe ajo çfarë po ndodh tani nuk është moderne, është antike dhe nuk duhet të ndodhë! Por nuk i di saktësisht motivet. Mendoj se kjo është shumë e thjeshtë, është shumë e thjeshtë dhe i gjithë ky dyshim, të gjitha këto teori konspirative, gjithë kjo ide e marrë se Himara është një arenë ku duhet të ndeshemi sesa grekë jemi apo sa shqiptarë jemi, e gjitha kjo nuk është e shëndetshme. Eshtë shumë e dalë boje.

Gazetari: Zoti Kryeministër, kjo është puna e Tony Blair-it, t’iu shpjegojë situatën të dyja kryeqyteteve

Kryeministri Edi Rama:  Qirjakosit? Nuk e di, nuk e di nëse mundet t’ia shpjegojë Qirjakosit, por nuk mendoj se na duhet një tjetër gjuhë në mes. Unë flas shqip, ai flet greqisht. Ai (Qirjakosi) flet anglisht më mirë se unë, por unë flas anglisht mirë mjaftueshëm, kështu që nuk na duhet një anglishtfolës që nuk di as shqip, as greqisht, për të bërë bashkë një grek dhe një shqiptar, sepse, pastaj, kam frikë se problemin do e ketë Tony, jo ne.

Gazetari: Më lini t’u pyes diçka të fundit, tërësisht ndryshe nga Himara dhe Beleri. Ka të bëjë me zonat detare. Në vitin 2010, si udhëheqës i opozitës, ju e kundërshtuat marrëveshjen e 2009-ës për zonat detare midis Greqisë dhe Shqipërisë. A jeni i gatshëm tani, realisht i gatshëm, të nënshkruani një marrëveshje arbitrazhi dhe t’ia referoni çështjen Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë apo jo?

Kryeministri Edi Rama:  Dëgjoni, ky është sërish një shembull i mirë për t’ju shpjeguar sesi e shoh unë politikën. Kur u nënshkrua kjo marrëveshje midis paraardhësit tim dhe, më duket, Karamanlisit dhe Dora e firmosi me kundërshtarin tim të dashur, unë nuk e kisha idenë, askush nuk e kishte idenë çfarë ishte. Doli si lajm dhe të gjithë ishin në rregull, me idenë që është një marrëveshje midis Greqisë dhe Shqipërisë, pra s’ka asgjë të keqe. Më pas, disa njerëz nga shoqëria civile, konkretisht, një ish-ushtarak i lartë nisi të shkruante gjëra që ishin shumë shqetësuese. Kur ka arsye për t’u ngritur kundër shqiptarëve në Greqi, ka shumë njerëz atje që e bëjnë. E njëjta gjë ndodh në Shqipëri kundër grekëve, gjen shumë njerëz që e bëjnë. Klima u helmatis e u ndez shumë. Njerëzit e partisë sime thoshin se ky ishte një rast i mirë për t’u vërsulur. U thashë “jo, sepse kjo do të ishte shumë e lehtë. Nëse fillojmë të hapim një betejë politike për këtë, çfarë do të themi, ku do dalim?” Në të njëjtën kohë, argumentet ishin tejet shqetësuese, ndaj iu thashë: “Dëgjoni, e vetmja gjë që mund të bëjmë është ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese”. Meqë ra fjala, në atë kohë, Gjykata Kushtetuese kishte gjithnjë vendime mjaft të balancuara ose, kryesisht, me shumicë, nga ana tjetër, ndaj iu thashë: “Është një gjykatë e balancuar. Janë njerëz të arsyeshëm, kështu që janë ata të cilët duhet t’i hyjnë me themel, pasi marrëveshjet detare nuk janë të lehta dhe nuk ka shumë njerëz që e njohin legjislacionin e detit, sepse është një qoshe e veçantë në universin e ligjit”. E çuam në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese mori një vendim 9 me zero, 9 me zero kundër qeverisë, diçka shumë e rrallë. Kjo mbeti çështje e hapur dhe kur u bëra kryeministër, nisa të flas për të, e më kujtohet kur bëra diskutimin e parë, kur (kryeministri) Samaras më kërkoi se ç’mendoja. Më pas, kur i bëmë këto diskutime me Aleksisin (Tsipras), i thashë: “Përse të mos shkojmë në Gjykatën Ndërkombëtare?” Kjo është diçka për të cilën vendet tona… Këtu jemi të ngjashëm. Ju mund të jeni në Bashkimin Europian dhe ne jemi kandidatë, ju jeni përpara nesh, sepse historia është treguar më bujare me ju sesa me ne, e keni pasur BE-në përpara nesh prej një kohe të gjatë, por në këtë pikë vazhdojmë të jemi të ngjashëm. Prodhojmë ende më shumë histori nga ç’mund të tresim. Kur bëhet fjalë për të tilla gjëra, sigurisht që mund të shpallesh në çast tradhtar, qoftë nga ana greke apo ajo shqiptare. Të dyja palët akuzojnë për tradhti, megjithëse nuk mund të ketë tradhti konsensuale në të dyja anët. Njëri duhet të jetë tradhtari, tjetri përfituesi apo jo? Kështu i shprehja këto,  por “Jo, jo, jo.” Aleksisi ishte i ftohtë (mbi këtë ide). Nisëm të zhvillonim negociata pas negociatave për këtë. Shkuam në një pikë të mirë, më duhet të them, por, pastaj, poezia, proza e Syriza-s mbaroi dhe ne rifilluam. Jam shumë, shumë, shumë i kënaqur që arritëm në këtë marrëveshje që, më mirë, t’ia lëmë Gjykatës Ndërkombëtare.

Gazetari: Keni arritur tashmë një marrëveshje me palën greke?

Kryeministri Edi Rama:  Jo, jo, kemi arritur në një marrëveshje në parim, se marrëveshja duhet të kalojë hapat. Pra, jemi marrë vesh në parim (për të shkuar në gjykatën ndërkombëtare). Tani duhet të kryer procedura. Presidenti duhet të japë një autorizim të ri për grupin negociator që të fillojë punë dhe, pastaj, duhet të përgatisim diçka të quajtur marrëveshje e përbashkët…

Gazetari: Marrëveshja e Përbashkët Kompromisi për t’iu drejtuar gjykatës

Kryeministri Edi Rama:  Po. Pra, kjo është diçka që duhet arritur dhe shpresoj…

Gazetari: A jeni optimist, që do të realizohet?

Kryeministri Edi Rama:  Shpresoj.

Gazetari: Ka zëra dyshues. I dini ata zëra dyshues që thonë se Edi Rama preferon miqësinë strategjike të Presidentit Erdogan dhe Presidenti Erdogan nuk dëshiron një marrëveshje midis Greqisë dhe Shqipërisë, sepse një marrëveshje e tillë mund të përdoret si model për një marrëveshje të ardhshme në Egje midis Greqisë dhe Turqisë. Është kjo një tjetër histori konspirative?

Kryeministri Edi Rama:  Kjo është një goxha teori konspirative. E para, sepse kur unë e kundërshtova marrëveshjen në gjykatë, nuk e kisha takuar kurrë Presidentin Erdogan dhe nuk kisha asnjë lidhje me askënd në Turqi, se ishim në opozitë. E dyta, po, kemi një marrëveshje partneriteti strategjik me Presidentin Erdogan, por nuk mendoj që duhet të zgjedhim mes Presidentit Erdogan apo Qirjakos Mitsotakis, midis Greqisë dhe Turqisë. Ne i duam të dyja.  Fakti që ju nuk e keni shumë qejf njëri-tjetrin nuk duhet të përbëjë problem për ne që t’ju pëlqejmë të dyve, mendoj. Presidenti Erdogan kurrë, asnjëherë – po jua them këtë dhe është fjala ime kundër teorive konspirative – nuk më ka kërkuar, madje as më ka pyetur, çfarë po ndodh me këtë. Kurrë! Asnjëherë! Ai nuk ka nevojë për Shqipërinë për të bërë betejat e tij. Duke qenë se po flasim për Presidentin Erdogan, po jua them, ndjesia ime është që Presidenti Erdogan nuk është anti-grek. Presidenti Erdogan është ai, që ju e dini shumë mirë besoj, pati kurajën kur ende nuk ishte ky që është sot, por ishte vetëm kryeministër, të hidhte në tryezë një marrëveshje për Qipron, ju kujtohet, që ishte diçka mjaft e rrezikshme për karrierën e tij në Ankara dhe e bëri. Asokohe ai u – nuk do të përdor atë fjalën e forte, por diçka e ngjashme, ju mund të gjeni në greqisht një fjalë më të butë –nga Bashkimi Europian! Pastaj gjatë krizës së rëndë që kaloi Greqia, nuk e pashë të shfrytëzonte rastin që ta rëndonte ca më shumë, sepse, po të donte të shkatërronte Greqinë apo nëse ai ka ndërmend të shkatërrojë Greqinë, do ta kishte përdorur atë moment për ta bërë (krizën) më të dhimbshme, duke përdorur refugjatët e me radhë. Nuk e bëri. Vërtet, nuk e kam parë kurrë tek ai një njeri që ushqen ndjenja të këqija ndaj Greqisë dhe popullit grek. Natyrisht, ai ka mendimin e tij lidhur me situatën mes jush, me çështjen e detit, po nuk i hyj kësaj, se nuk më takon mua, por, mesa di, pala turke ka kohë që kërkon të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare, kështu? Kjo është pra! Ne jemi të kënaqur që pala greke pranoi që të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare me ne dhe shpresoj të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare edhe me Turqinë dhe çështja të zgjidhet nga një palë e tretë, me të cilën të dyja palët bien dakord. Në të kundërt, do të vazhdojmë të jemi tradhtarë mes tradhtarësh të tradhtarëve, e kjo nuk është një ide e mirë.

Gazetari: Kryeministër, do doja t’ju falënderoja për këtë intervistë të gjatë dhe, së fundi, dua t’ju pyes se kur prisni të mbahet ekspozitën e ardhshme artistike në Athinë?

Kryeministri Edi Rama:  Nuk e di. Kam disa tani, njëra pas tjetrës. Do doja të kthehesha në Athinë për të ekspozuar. Do ta bëj me kënaqësi të madhe, por është ende shumë e freskët ajo që bëra dhe mora një ndjesi shumë të mirë atje, e cila nuk është ndikuar nga gjithë këto gjepurat (e fundit) rreth saj. Dua vetëm t’u them miqve të Syriza-s ta lënë artin mënjanë dhe mos ta përdorin edhe ekspozitën time për t’i thënë Mitsotakis sa budalla është, sepse nuk është ide e mirë të luftosh kështu.

Gazetari: Është politikë, Kryeministër, është politikë dhe ju e thatë edhe më parë që politika është helm në shumë raste.

Kryeministri Edi Rama:  Jo, politika është gjëja më e mirë që mund t’ju ndodhë njerëzve, kur njerëzit e përdorin për të zgjidhur së bashku gjëra që nuk i zgjidhin dot të vetëm; kështu e shihnin politikën grekët e vjetër. Në të kundërt, kur politika përdoret për t’iu kundërvënë njerëzve, bëhet e keqe. Unë e dua politikën. Pa politikë, shumë gjëra nuk do të ekzistonin sot. Po kjo nuk është politikë, është budallallëk. T’i kundërvihesh çdo gjëje, të sajosh probleme me çdo gjë për kundërshtarin tënd. Duhet të ketë një arsye se pse Qirjakosi fitoi sërish, apo jo? Nuk mendoj se ekspozita ime do e sjellë Syriza-n në pushtet apo jo?

Gazetari: Po. Pra, ju faleminderit vërtet. Ju uroj çdo të mirë. Shpresoj t’ju shoh në Athinë.

Kryeministri Edi Rama:  Jeni i ftuar të vini kur të doni, miku im, kur të doni dhe keni fituar të drejtën e trokitjes së parë në derën time, kështu që sa herë të ketë ndonjë gjë rreth meje në Greqi, ju do jeni zgjedhja ime e parë për të folur.

Gazetari: Është kënaqësi dhe nder të flasësh me ju. Faleminderit.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika