Kryeministri hungarez dhe Donald Trump pritet të takohen më 8 mars

Këtë javë, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, do ta presë liderin hungarez Viktor Orban në resortin e tij Mar-a-Lago

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, dhe ish-presidenti amerikan, Donald Trump.

Kryeministri nacionalist i Hungarisë, Viktor Orban, do të takohet me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të premten, më 8 mars në Florida, pak pasi ai haptazi mbështeti aleatin e tij të kamotshëm në përpjekjet e tij për të fituar zgjedhjet presidenciale amerikane që mbahen më vonë gjatë këtij viti.

Orban, politikan i krahut të djathtë, i cili vazhdimisht konfrontohet me Bashkimin Evropian për shkak të fushatave të tij kundër migrantëve dhe për shkak të vendimeve që kanë vendosur gjyqësorin, organizatat joqeveritare dhe mediet nën kontrollin e shtetit, është përshkruar nga Trump-i si “lider i madh”.

Politikat konservatore të Orbanit sa i përket familjes kanë bërë që ai të vlerësohet nga figurat populiste në SHBA dhe Hungaria viteve të fundit ka mbajtur takimet e Konferencës Konservatore për Veprim Politik (CPAC).

Muajin e ardhshëm, për herë të tretë do të mbahet kjo konferencë.

Kryeministri hungarez, që ka refuzuar të dërgojë armë në Kiev dhe ka mbajtur raporte të ngushta tregtare me Rusinë që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 2022, vazhdimisht ka thënë se vetëm me kthimin e Trump-it në Shtëpinë e Bardhë mund të arrihet paqja në Ukrainë.

“Nuk është kumar, por është të vësh bast në shansin e vetëm të arsyeshëm dhe ne në Hungari vëmë bast për rikthimin e presidentit Trump”, tha Orban gjatë një forumi ekonomik të hënën, raporton REL.

“Shansi i vetëm për botën që të ketë një marrëveshje relativisht të shpejtë të paqes është ndryshimi politik në SHBA, dhe kjo lidhjet me atë se kush është president”.

Trump, që po garon për një mandat presidencial, shkaktoi zemërim në mesin e aleatëve perëndimorë muajin e kaluar, pasi sugjeroi se SHBA-ja mund të mos mbrojë aleatët e NATO-s që nuk shpenzojnë mjaftueshëm në mbrojtje nga një pushtim i mundshëm rus.

Orban ka deklaruar se zgjedhjet presidenciale amerikane të këtij viti dhe zgjedhjet për Parlamentin Evropian në qershor do të jenë thelbësore pasi konservatorët në Evropë dhe SHBA-ja duhet të luftojë së bashku për të “ripushtuar” institucionet në Uashington dhe Bruksel nga liberalët, të cilët, sipas Orbanit, kërcënojnë civilizimin perëndimor.

Orban, që është në pushtet që nga viti 2010, është përballur me tensione me administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, kryesisht për shkak të zvarritjes së miratimit të pranimit të Suedisë në NATO.

Pas një vonese të gjatë, javën e kaluar Parlamenti hungarez miratoi pranimin e Suedisë në NATO dhe legjislacioni pritet të nënshkruhet nga presidenti hungarez gjatë kësaj jave.

Shija e redaktorit

Ushtria amerikane numër 1 në botë, FSK e fundit në...

Kosova është me fat, sepse miku më i madh i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten bindshëm larg fuqia më e madhe ushtarake...

Shtëpia botuese “Dukagjini” nesër promovon librin “Aneta: një epos heroinash”...

Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në...

Rama uron Kurtin me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së...

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar urime nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë...

Të fundit nga rubrika