Kryeministri i Japonisë viziton Ukrainën, ofron mbështetje

Kryeministri japonez, Fumio Kishida, ka zhvilluar një vizitë në Kiev me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të martën e 21 marsit

Kryeministri japonez Fumio Kishida dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Foto: AP

Kryeministri japonez, Fumio Kishida, ka zhvilluar një vizitë të martën në Kiev, duke u angazhuar në një duel diplomatik me presidentin kinez, Xi Jinping, i cili u takua në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin, lidhur me propozimin e paqes së Pekinit për Ukrainën, të cilin vendet perëndimore e kanë hedhur poshtë.

Dy vizitat, rreth 800 kilometra larg njëra-tjetrës, nxjerrin në pah se si vendet po rreshtohen pas Moskës ose Kievit gjatë luftës gati 13-mujore.

Kryeministri Kishida, i cili do të kryesojë takimin e G-7 në maj, është anëtari i fundit i grupit që vizitoi Ukrainën dhe u takua me presidentin Volodymyr Zelenskyy.

Presidentët Xi dhe Putin nuk njoftuan përparime të mëdha drejt zbatimit të marrëveshjes kineze për paqen, megjithëse udhëheqësi rus tha se mund të shërbejë si bazë për t’i dhënë fund luftimeve kur Perëndimi të jetë gati. Ai shtoi se aleatët perëndimorë të Kievit nuk kanë treguar interes.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se çdo plan paqeje që vjen nga takimi Putin-Xi do të ishte i papranueshëm, sepse një armëpushim vetëm do të zyrtarizonte territoret e pushtuara nga Moska dhe do t’i jepte Rusisë kohë për të planifikuar një ofensivë të re.

“Duket sikur Perëndimi me të vërtetë synon të luftojë Rusinë deri në ukrainasin e fundit”, tha Putini, duke shtuar se kërcënimi i fundit është një plan britanik për t’i dhënë Ukrainës predha tankesh që përmbajnë uranium të varfëruar.

“Nëse ndodh kjo, Rusia do t’i përgjigjet në përputhje me rrethanat, duke patur parasysh se Perëndimi po fillon të përdorë armë me një komponent bërthamor”, tha ai, pa dhënë detaje.

Udhëheqësi rus ka paralajmëruar herë pas here se Rusia do të përdorë të gjitha mjetet e disponueshme, duke i përfshirë ndoshta armët bërthamore për ta mbrojtur veten, por gjithashtu në disa raste është tërhequr nga kërcënime të tilla.

Komenti i Presidentit Putin iu referua vërejtjeve të hënën nga zyrtarja e lartë e mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Annabel Goldie, e cila ishte shprehur se “Përveç dhënies Ukrainës të një skuadre të tankeve Challenger 2, ne do të ofrojmë municione, përfshirë predha kundër blindave me përmbajtje uraniumi të varfëruar. Predha të tilla janë shumë efektive në shkatërrimin e tankeve dhe mjeteve të blinduara moderne”.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, tha se plani tregon se britanikët “kanë humbur orientimin”, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha se “shënon një tjetër hap dhe se nuk kanë mbetur shumë të tjerë”. Por, eksperti i armëve, Hamish de Bretton-Gordon, ish-komandant i Regjimentit Mbretëror Britanik të Tankeve, tha se “Presidenti Putin ishte treguar i pamatur në përpjekjet për të sugjeruar se Britania po i dërgon Ukrainës materiale bërthamore”. Ai tha se uraniumi i varfëruar është një komponent i zakonshëm në predhat e tankeve, që ndoshta përdoret edhe nga Rusia.

Pas takimit me kryeministrin Kishida, presidenti Zelenskyy u tha gazetarëve se ekipi i tij i kishte dërguar Kinës formulën e tij të paqes, por nuk kishte marrë përgjigje, duke shtuar se kishte “disa sinjale, por asgjë konkrete për mundësinë e një dialogu”.

Kryeministri Kishida e quajti agresionin e Rusisë një “turp që minon themelet e rendit juridik ndërkombëtar” dhe u zotua “të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën derisa paqja të kthehet në tokat e bukura të Ukrainës”. VoA

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika