Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka shpallur fitoren e tij në zgjedhjet e së dielës që janë mbajtur në Hungari.
Gjersa ka përmendur të ashtuquajturit kundërshtarët e tij, listë e ka futur edhe Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, me të cilin sipas kryeministrit hungarez ishte dashur të luftonte për ta fituar garën.
Në fjalimin e tij të fitores, Orban e quajti presidentin e Ukrainës një nga “kundërshtarët”, që duhej të kapërcente gjatë fushatës, raporton CNN.
“Nuk do ta harrojmë kurrë këtë fitore, sepse na u desh të luftojmë ndaj një numri të madh kundërshtarësh, si burokratët në Bruksel, mediat ndërkombëtare apo edhe presidentin ukrainas. Asnjëherë më parë nuk kemi pasur kaq shumë kundërshtarë”, ka thënë ai.
Orban, në këto zgjedhje u përball me një fushatë mirë të organizuar, por partia e tij prapë se prapë fitoi lehtësisht në pjesën më të madhe të vendit.
Madje, lideri i opozitës, Peter Marki-Zay, nuk arriti të fitojë as në rrethin e tij, ku kishte shërbyer si kryetar bashkie.
“Ne kemi arritur një fitore të tillë që mund të shihet nga hëna, por është e sigurt që mund të shihet edhe nga Brukseli”, tha Orban, në fjalimin e tij të dielën mbrëma, duke vënë në pah raportet tensionuese të qeverisë së tij me liderët e BE-së.
Rezultatet tregojnë se partia e Orbanit, “Fidesz” do të ketë 135 vende në parlamentin 199-vendësh të Hungarisë, që do të thotë se Orban do të mbajë një shumicë prej dy të tretash që do t’i lejojë atij të miratojë ndryshime të mëtejshme në kushtetutën e Hungarisë.
Në parlamentin hungarez, u fut edhe partia e ekstremit të djathtë dhe e anti-vaksinave, duke fituar shtatë ulëse.
Viktor Orban, ka fituar 53.35 për qind të totalit të votave, duke e fituar kështu mandatin e katërt radhaz.