Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, është pritur me ceremoni shtetërore nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri irlandez dhe një pjesë e kabinetit të tij ndodhen në vizitë zyrtare në Kosovë, ku priten takime me kryeministrin Kurti dhe presidenten e vendit Vjosa Osmani.
Pas takimit me Kurti, i pari i Qeverisë së Kosovës dhe homologu i tij nga Irlanda do të mbajnë një konferencë për media nga ora 10:30.
Ndërkaq, në orën 11:00, Osmani pret në takim kryeministrin irlandez në ambientet e presidencës.
Ndryshe, Varadkar po bën vizitën e parë ndonjëherë të një kryeministri irlandez në Kosovë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike.
“Nga data 10 deri më 11 janar 2024, në Republikën e Kosovës do të qëndrojë për vizitë zyrtare Kryeministri i Irlandës, zotëri Leo Varadkar së bashku me një delegacion shoqërues. Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë”, thuhet në njoftimin e policisë.