Zyra e kryeministrisë së Kosovës, ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti ka pranuar një letër falënderimi nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen dhe Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, për përfshirjen në aktivitetin e zotimit për ndihmë Ukrainës.
“Duam t’ju falënderojmë ngrohtësisht për kontributin në aktivitetin e zotimit ‘Stand up for Ukraine’, më 9 prill 2022”, thuhet të kenë shkruar në letër Von Der Leyen dhe Trudeau.

Ata kanë njoftuar se nga ky aktivitet janë mbledhur 9.1 miliardë euro për njerëzit që po ikin nga invazioni i Rusisë, dhe po kërkojnë strehim në Ukrainë dhe jashtë saj.
“Përveç furnizimit me burimet aq shumë të nevojshme për njerëzit e prekur nga invazioni, pjesëmarrja e 40 qeverive dhe institucioneve, ashtu si edhe sektorit privat dhe shoqërisë civile, ka dërguar edhe mesazhin e unitetit dhe solidaritetit me Ukrainën”, kanë shkruar Von der Leyen dhe Trudeau.

Në fund të letrës sipas njoftimit të kryeministrisë, Von der Leyen dhe Trudeau, kanë thënë se “mobilizimi i fortë i solidaritetit global me Ukrainën dhe popullin e saj do të vazhdojë”.