Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkuar për ngushëllime te familja e policit, Afrim Bunjaku, që u vra gjatë kryerjes së detyrës nga grupet kriminale serbe në veri.
“Kohën nuk mundemi ta kthejmë prapa, shtëpia qenka plot e tashmë na keni edhe neve”, u është drejtuar Kurti familjarëve.
Afrim Bunjaku mbeti i vrarë, ndërsa Alban Rushiti mbeti i plagosur si pasojë e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, mëngjesin e së dielës.
Policia ka thënë se tre sulmues janë vrarë dhe një është arrestuar.
Sipas policisë, edhe katër persona të tjerë janë arrestuar për posedim të armëve,të municionit dhe të radiolidhjeve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje sulmuesve që të dorëzohen, pasi janë të rrethuar nga zyrtarët policorë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur sulmin si terrorist, duke thënë se krimi i organizuar me “mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”.
Në një komunikatë për media, nga policia thonë se në zonën e fshatit Banjska situata e sigurisë vazhdon të qëndrojë e tensionuar, po ashtu, sulmet me armë zjarri ndaj njësiteve policore po vazhdojnë në intensitet të njëjtë, varësisht nga lëvizjet e grupeve kriminale.