Letra e kryediplomates, Donika Gërvalla, dërguar Këshillit të Evropës në mes të majit – e pakoordinuar me Presidencën – ka bërë që presidentja Vjosa Osmani të drejtojë kritikat kah Qeveria.
Për këtë “krisje” të raporteve në mes të Vjosa Osmanit e Albinit Kurtit ka folur edhe politologu, Fidan Ukaj, i cili ka thënë kjo ka ndodhur për shkak të kryeneçësisë së Kurtit ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas Ukajt, në mes të Kurtit e Osmanit do të ketë ndarje përfundimtare.
“Mendoj që ndarja përfundimtar në mes të presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti kanë qenë pikërisht dallimet që i kemi pasur me SHBA-të. Mosdëgjimi i Kurtit në raport me SHBA-të, kur ata kërkuan sa i përket targave një afat kohor, po ashtu temave të tjera. Kryeneçësia e Kurtit, po ashtu veçimi i zoti Hovenier e Escobar, duke e veçuar presidenten, duke i thënë garantuese. Mendoj që aty është pikënisja e përçarje që deri më tani ma mbetet brenda institucioneve, e tani ka dalë në publik. Është vetëm fillimi i të gjitha atyre që do të dëgjojmë në vazhdimësi. E që mendoj ndarja përfundimtare”, ka thënë Ukaj, në “FIVE” të Dukagjinit.
Por, me këtë qëndrim të Ukajt, nuk pajtohet njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani.
“Në vitin 2020, kur është prishur Qeveria Hoti, Vjosa Osmani atëherë nuk e mbajti anën e SHBA-ve, por e zgjodhi anën e Albin Kurtit, i cili vendosi të acarojë raportet deri në atë masë sa i quajti që i bën edhe grusht shtet duke e rrëzuar nga pushteti. Atëherë Osmani nuk dukej se shqetësohet fortë për këtë”, ka thënë Ramadani.
Duke folur për kritikat e Osmanit ndaj Qeverisë, Ramadani ka theksuar se me letrën dërguar KiE-së është nxjerrë nga pakoja Asociacioni, ashtu siç potencoi edhe presidentja gjatë së mërkurës.
“Motivet e presidentes mund të jenë të shumë, mund të jenë të ulëta, mund të jenë fisnike. Megjithatë, ajo dje e ka thënë një të vërtetë e cila qëndron, për shkak se me letrën që ia kanë dërguar Këshillit të Evropës, Kurti dhe Qeveria e tij përfundimisht e kanë nxjerrë çështjen e Asociacionit nga pakoja. Diçka që Qeveria Kurti vazhdimisht e ka potencuar që nuk do ta bëjë, sa herë është përballur në pyetje me gazetarë rreth Asociacionit, gjithmonë e ka dhënë të njëjtën përgjigje, Asociacioni nuk mund të nxirret nga pakoja. Dhe pakoja mund të aplikohet në tërësi.
Me letrën që ia kanë KiE-së, Asociacioni është nxjerrë nga pakoja. Megjithatë ne e dimë që çështja e politikës së jashtme, e dimë që presidentja është me Kushtetutë udhëheqëse e politikës së jashtme, Qeveria e Kosovës me rezolutë sipas Kuvendit, tash e disa vite i ka kompetencat për të vepruar edhe kokë në vetë në rast të politikës së jashtme”, ka thënë Ramadani.