Në Cetinjë të Malit të Zi, qytetarë të shumtë kanë protestuar para seancës së parë pranverore të Kuvendit.
Ata protestuan kundër kryeparlamentarit të Kuvendit, Andrija Mandiq. Njëri nga protestuesit, Radovan Peroviq, i cili tha se Mandiq ka qenë fashist që nga vitet e ’90-ta.
“Ne u mblodhëm këtu në Cetinje liridashëse për të protestuar kundër Andrija Mandiqit, i cili ka qenë fashist që nga vitet ’90. Ne e dimë se me kë ishte dhe kë mbështeti, ky popull nuk e meriton këtë”, ka thënë ai, para gazetarëve.
Sipas tij, Cetinja nuk do ta tolerojë Mandqin dhe se i njëjti i mohon malazezët, shqiptarët, kroatët e boshnjakët.
“Ata prishën të gjithë historinë. Ky është flamuri ynë, flamuri i lirisë, Mandiq është kundër Malit të Zi të pavarur. Ai mohon malazezët, kroatët, shqiptarët, myslimanët. Idhujt e tij janë Karaxhiç dhe Mlladiç, kriminelë lufte, me në krye Sheshelin”, ka thënë më tej ai.
Më tutje ai ka theksuar se “nëse dikush di pak histori, ata (serbët) kanë pasur një flamur me kokë derri, ndërsa ne kemi pasur këtë flamur”.
E deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Ivan Vukoviç dhe Oskar Huter, u larguan për pak kohë nga ndërtesa e Kuvendit dhe i përshëndetën protestuesit.
Kurse Mandiq pas seancës së Kuvendit ka theksuar se “kishim protestë, por pamë që nuk kishte shumë njerëz, gjë që tregon se Cetinja nuk është aq kundër Andrija Mandiqit”.
Ai ka thënë para mediave se e respekton Cetinjen dhe historinë e saj.