Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka uruar festën e Kurban Bajramit.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka cilësuar festën sikurse “traditë shpirtërore islame e cila shënon kulmin e pelegrinazhit dhe sakrificën e besimtarit”.
“Kjo festë është një rast i veçantë për të reflektuar mbi vlerat e larta të flijimit, shërbimit, dhembshurisë, bamirësisë dhe për të ndihmuar ata që kanë më pak. Sakrifica e vërtetë sugjeron që të vendosim nevojat e tjetrit mbi tonat, dhe, nëse është e nevojshme, të heqim dorë nga ajo që është e rëndësishme për ne për të mirën e të tjerëve”, ka shkruar Konjufca.
Po ashtu, edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.
“Uroj që kjo festë të sjellë paqe e lumturi në zemrën e secilit e solidariteti të jetë udhërrëfyes i përhershëm”, ka shkruar ai në Facebook, pak minuta pas përfundimit të faljes së Kurban Bajramit.
Me rastin e festës së Kurban Bajramit, ditën e parë, më 9 korrik 2022, Kryesia e BIK, organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00 deri në orën 12:00.