Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi kritikon ministrin Murati dhe apelon për bashkëpunim në mes të nivelit lokal dhe qendror

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, shprehu kënaqësinë e AKK-së për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e tatimit në pronë në vlerë prej 100 eurosh. Ai ndau shqetësimin e AKK-së rreth veprimeve arbitrare të nivelit qendror dhe të mungesës së konsultimeve me autoritetet lokale për këtë çështje

Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, përmes një lidhjeje videotelefonike në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini, ka bërë të ditur se AKK-ja ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullim të faljes së 100 eurove për tatimin në pronë.

“AKK-ja e ka mirëpritur këtë vendim dhe pothuajse kemi qenë të sigurtë në këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të nenit 5 të ligjit të ri për tatimin në pronën e paluajtshme. Ne kemi mirëpritur, sepse përndryshe komunat do të humbin rreth 30 milionë euro, dhe këto mjete financiare niveli qendror nuk e ka pasur as në mendje që t’i kompensojë apo t’i përkrahë komunat”, ka thënë Ibrahimi.

Tutje, ai ka theksuar se “niveli qendror po merr vendime në mënyrë arbitrare, pa asnjë konsultë me hisedarët kryesorë, sa i përket këtij ligji, dhe ministri Murati ka marrë vendime me grupe teknike, pa u konsultuar fare me kryetarë të komunave apo me drejtorë komunalë të financave apo me Asociacionin e komunave të Kosovës, si përfaqësues legjitim i autoriteteve lokale në Republikën e Kosovës. Në vend që ministri Murati të mendojë për themelimin e bashkëpunimit ndërinstitucional mes komunave dhe nivelit qendror, ai merret me statuse në Facebook duke ofenduar, duke denigruar kryetarët e komunave dhe komunat në përgjithësi”.

Ndër të tjera, kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi, i ka bërë thirrje ministrit Murati që të bashkëpunojë me komuna dhe të konsultohet në mënyrë që të ndërtojë ura komunikimi e raporte më të mira në mes të nivelit qendror dhe atij lokal.

“Ka ndërmarrë veprime me hipokrizi, pastaj veprimet e komunave sa i përket Gjykatës Kushtetuese janë veprime koti, duke marrë edhe rolin e gjykatësit në atë kuptim, dhe apeli i AKK-së është që Ministria e Financave e udhëhequr nga ministri Murati, në vend që të bëjë këso statuse në Facebook, është mirë që të konsultohet me komuna, të ndërtojë ura komunikimi e mirëbesimi”, vijon ai.

Ai ka thënë se “ne ndiejmë shumë keqardhje që faturat e tatimit në pronë janë ngritur nga Ministria e Financave në fillim të këtij viti, kur janë dorëzuar tek qytetarët, ne e dimë që faturat e tatimit në pronë në disa raste janë dyfishuar e trefishuar dhe këto janë bërë edhe veprime të tjera të cilat i ka ndërmarrë minsitria e udhëhequr nga ministri Murati”.

“Si pasojë, kjo na obligoi si AKK, që lëndën përmes komunës së Prizrenit të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese dhe dje erdhëm para një vendimi i cili është i mirëpritur. Po shpresojmë që një vendim pozitiv apo pro komunave do të ndodhë edhe në fund të muajit nëntor”, ka theksuar Ibrahimi.

“Nuk është mirë edhe para qytetarit që institucionet e Republikës së Kosovës të shkojnë të ankohen në institucionet e drejtësisë, por më mirë është që të bashkëpunojmë që nga fillimi në hartimin e akteve ligjore dhe nënligjore të cilat prekin komunat, sesa të vijmë deri tek kjo situatë”, vijon ai.

Ndër të tjera, ai ka bërë të ditur se dhjetëra kërkesa i janë adresuar nga kryetarët e komunave ministrit Murati, mirëpo “nuk kemi kthim të përgjigjes”.

“Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim për pezullimin e këtij neni deri në vendimin final, edhe tri komunat (Drenasi, Graçanicës dhe Obiliqit) të cilat kanë marrë vendime të tilla, nuk e besoj se mund t’i zbatojnë deri sa të gjendet zgjidhja finale, apo deri sa të vijmë deri tek verdikti final i Gjykatës Kushtetuese që është premtuar që do të ndodhë në fund të muajit nëntor të këtij viti”, ka përfunduar Ibrahimi.

Ndryshe, ligji për tatimin në pronë hyri në fuqi më 14 gusht.

Më herët gjatë këtij viti, ministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kishte deklaruar se në bazë të ndryshimeve ligjore, 85 për qind e tatimpaguesve nuk do të paguanin asgjë për vitin 2023, 10 për qind të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro dhe vetëm 5 për qind e tatimpaguesve do të paguanin më shumë se 100 euro.

Por, vendimi për faljen e tatimit në pronë pasoi rritjen e këtij tatimi në vitin 2023. Rritja u shkaktua pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe të objekteve të banuara që bëri Ministria e Financave vitin e kaluar.

 

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika