Kryetari i Bashkisë së Kukësit në Shqipëri, Safet Gjici, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, pas publikimit të një videoje intime të tij në zyrën e godinës së bashkisë.
Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, Gjici ka bërë me dije se ka rënë pre e një kurthi, të “orkestruar” nga kundërshtarët e tij.
“Ndjesë të thellë publike çdokujt që sot ka parë atë material të shëmtuar video. Pas një fushate dhe përballjeje jo të lehtë me kundërshtarët e mi, pas të cilës rezultova fitues, fatkeqësisht unë rashë pre e një kurthi të përgatitur me detaje nga e njëjta dorë njerëzish, me të cilët, u përballa në zgjedhje. Ia arritën ta bëjnë në një formë tjetër të pistë atë që s’e bënë dot me votën e kuksianëve”, ka deklaruara ai.
Ai është shprehur se nuk ka vlerë asnjë lloj shpjegimi, pasi ka pasur një marrëdhënie intime me vajzën në video dhe se ndjen keqardhje të thellë për tradhtinë e njerëzve që i besuan votën.
Po ashtu, Gjici ka kërkuar ndjesë për të gjithë mbështetësit, duke thënë se nderi i jetës së tij u njollos nga një mendjelehtësi e pafalshme.
Pas publikimit të videos në rrjetet sociale, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur procedimin penal ndaj presidentit socialist, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë reagim nga Partia Socialiste.
Videoja e cila ka qarkulluar në rrjetet sociale është filmuar më 6 qershor 2023 në orën 16:00 dhe në të shihet Gjici duke kryer marrëdhënie intime me një grua në zyrën e tij.
Gjici është rizgjedhur në krye të detyrës në zgjedhjet e 14 majit, ndërsa videoja e shpërndarë rezulton të jetë filmuar vetëm pak ditë pas marrjes së mandatit të dytë.