Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka folur mbi eventin “Shije Lezhe në Prishtinë”, që për fillim e ka zgjedhur kryeqytetin e Kosovës për të nisur si hapje e sezonit turistik.
Në emisionin “Five”, në RTV Dukagjini, Ndreu ka thënë se kjo iniciativë ka qenë rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me kryetarin Përparim Rama dhe ministren Rozeta Hajdari, të cilët kanë gjetur mbështetjen e duhur për realizimin e projektit.
Sipas tij, “Bashkimi bën fuqinë”, do reflektohet në këtë aktivitet.
“Është një event që ka zgjedhur Prishtinën së pari për të startuar si çelje e sezonit turistik, është një format të cilin e kemi aplikuar edhe para 2 vjetëve, ku kanë marrë pjesë shumë të ftuar. Sivjet vijmë në një profil tjetër në sheshin Zahir Pajaziti. Për ta dizajnuar këtë projekt jemi dakorduar me kryetarin Përparim Rama edhe me ministren Rozeta Hajdari. Janë pesë aktorë që janë bërë bashkë. Ne e kemi menduar që të vijmë në Prishtinë jo thjesht për të hapur dhe treguar Lezhën sepse shqiptarët e Kosovës e njohin mirë sepse janë 65 për qind e klientelës, por edhe një shenjë mirënjohje dhe falënderimi për kontributin që japin në ekonominë lezhiane. Në këtë kontekst shprehim një ndjenjë respekti dhe mirënjohje dhe vijmë në Prishtinë për të shfaqur ofertën tonë turistike të sivjetme…”, tha ai.
“Çka bën të veçantë Lezhën?
Ndreu, thekson se Lezha është shpallur si një destinacion i veçantë për turistët, duke theksuar karakteristikat unike që e bëjnë qytetin tërheqës për vizitorët nga Kosova dhe më gjerë.
Me një pozicion gjeografik të favorshëm, Lezha është e vendosur në një distancë më të shkurtër nga Kosova, duke e bërë atë një destinacion të preferuar për qytetarët.
Ngjashmëria e zakoneve, gjuhës, traditave dhe mënyrës së pritjes bën që shqiptarët e Kosovës të ndjehen si në shtëpinë e tyre kur vizitojnë Lezhën.
Ai potencon se statistikat tregojnë se vetëm në vitin e fundit, më shumë se 800 apartamente janë blerë nga banorët e Kosovës, ndërsa një numër i madh i bizneseve janë themeluar dhe drejtuar nga ky segment i popullsisë.
“Nga ana gjeografike është më afër Kosovës, e dyta edhe për shkak të ngjashmërisë së zakoneve, gjuhës, traditave, mënyrës së pritjes, e binë më afër mentalitetin e shqiptarëve të Kosovës me të Lezhës, për nga natyra Lezha është një zonë që ka treguar në histori një mikpritje ekselente për gjithkë dhe në mënyrë specifike për shqiptarët e Kosovës të cilët nuk janë më prezent vetëm në një tre muajsh, por janë gjatë gjithë vitit. Vetëm në vitin e fundit pa llogaritur vitet e tjera, janë 800 apartamente që i kanë blerë shqiptarët e Kosovës, janë me dhjetëra biznese që funksionojnë që kanë pronarë shqiptarët e Kosovës, ka prona pafund që janë blerë…”, shtoi ai.
Lezha përmban një gamë të gjerë të atraksioneve turistike, duke përfshirë 30 kilometra vijë bregdetare të ndarë në katër zona të ndryshme.
“Lezha ofron gjithçka, ka 30 km vijë bregdetare, të ndarë në katër zona bregdeti: Zona e Tales, zona e plazhit Lagunës së Vainit, e Shengjinit dhe Zona e Rërës së hedhur. Janë katër zona që janë të ndryshme nga njëra-tjetra, ofrojnë standarde të ndryshme, risi të ndryshme, të gjitha të pëlqyeshme por që japin mundësinë edhe pushuesve të ndryshme që të gjejnë ofertën se si duan. Ne e mbajmë kurorën e më të mirëve, Lezha bën diferencën”, shtoi ai.