Kryetarja e Qytetit të Shkupi Danella Arsovska ka dorëzuar në Këshillin e Qytetit nismë për të ndërruar emrin e rrugës “Adem Demaçi” dhe kthimin e emrit të vjetër “Brigada e Dytë Maqedonase”.
Ajo ka bërë thirrje që të votohet ky propozim përmes të cilit sipas saj do të përmirësohet padrejtësia ndaj 230 heronjve.
“I bëj thirrje të gjithë këshilltarëve të Qytetit të Shkupit të votojnë për këtë propozim, përmes të cilit do të përmirësohet padrejtësia ndaj 230 heronjve, pjesëtarë të brigadës së dytë maqedonase që kanë dhënë jetën për Maqedoninë”, thuhet në arsyetimin e Arsovskës, shkruan Alsat M.
Kryetarja e Shkupit apeloi që kjo nismë të mos politizohet dhe të mos keqpërdoret për rritjen e tensioneve ndëretnike.
Ndërkohë Arsovska i ka propozuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që në Prishtinë të emërtojë një rrugë me emrin e revolucionarit maqedonas Todor Aleksandrov, i cili sipas saj ka bashkëpunuar me Hasan Prishtinën, Hasan Bejta dhe Bajram Currin në luftën kundër okupimit të mbretërisë jugosllave.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar të premten që punimet për ndërtimin e një rruge që e lidh Prizrenin me Tetovën, të nisin sa më shpejt.
Duke folur gjatë një vizite për përurimin e riemërimit të një rruge më 11 gusht në Maqedoninë e Veriut, Kurti tha se rruga Prizren-Tetovë do ta ndihmonte dukshëm zhvillimin e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Aksi që e lidh Prizrenin me Tetovën është marrëveshje mes dy qeverive tona, nga mbledhja e përbashkët, e nënshkruar nga dy kryeministrat, pra nga unë dhe nga homologu maqedonas [Dimitar] Kovaçevski. Andaj, dëshirojmë që ky studim fizibiliteti të pasohet sa më shpejtë me punimet dhe realizimin e këtij projekti madhor”, tha Kurti.
Në shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës dhe ajo e maqedonase nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin e rrugës që do ta lidhte Prizrenin në jug të Kosovës me Tetovën në veriperëndim të Maqedonisë së Veriut.
Kurti theksoi se pret që edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut “të angazhohet për këtë projekt”, për të cilin tha se ka një studim fizibiliteti.