Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka renditur një listë me shkeljet, për të cilat thotë se ka bërë Serbia vetëm dy javë pasi i tha po Marrëveshjes Themelore të shkurtit 2023.
Me anë të një postimi në platformën X, Kryeziu tha se është një zhvillim i dukshëm që BE-ja pranon se procesi i dialogut nuk ka ecur mirë. Megjithatë, sipas tij, mungesa e progresit nuk është për shkak të të dyja palëve.
“Që atëherë, 90 ushtarë të KFOR-it u plagosën në veri të Kosovës nga anëtarë të dhunshëm të bandave nën vëzhgimin e krerëve të Listës Serbe në maj të vitit 2023. Në shënjestër ishin edhe gazetarët dhe Policia e Kosovës. Paradoksalisht, vetëm një muaj pasi BE-ja vendosi masa ndaj Kosovës, jo ndaj Serbisë”, shkroi ai.
Kryeziu tha se në qershor të vitit 2023, tre policë kosovarë u rrëmbyen nga forcat speciale të Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe, siç potencon ai, pavarësisht provave të paraqitura nga institucionet të cilat dëshmojnë se Serbia ka shkelur integritetin tonë territorial, asnjë masë nga BE-ja nuk është ndërmarrë kundër Serbisë.
Ai ka përmendur edhe vrasjen e rreshterit policor Afrim Bunjaku në sulmin e shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Sipas tij, Milan Radoiçiq, lider i grupit të sulmit të shtatorit, i afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili pranoi planin dhe pjesëmarrjen në sulm, është ende i lirë dhe tani takohet me ambasadorin e Serbisë në SHBA.
“Këtë muaj, më shumë se një mijë qytetarë të Kosovës janë ndaluar arbitrarisht dhe keqtrajtuar nga autoritetet serbe në kufi, pa asnjë arsye. Në mesin e tyre ishin edhe 10 oficerë të Policisë së Kosovës, katër të komunitetit serb, duke përfshirë edhe zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë, një kosovar, i cili është shtetas i Britanisë, Sadiki Duraku, është duke u mbajtur dhe akuzuar padrejtësisht, por sërish nuk ka sanksione ndaj Serbisë”, ka shkruar ai.
Ai shton se në mënyrë hakmarrëse, këto veprime erdhën vetëm një ditë pasi Asambleja Parlamentare votoi pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Ky anëtarësim kundërshtohet ashpër dhe publikisht nga Serbia. Kjo dhe shumë të tjera dëshmojnë se nuk bëhet fjalë për ‘faj të të dyja palëve’, por për balancimin jo të drejtë të të dyja palëve”, ka shkruar ai.
It is a notable development that the EU admits that the dialogue process has not gone well. However, the lack of progress is not due to both sides.
Here is a list of violations by Serbia of the Basic Agreement, just 2 weeks after saying YES, on February 2023. pic.twitter.com/SjgSWMoOrP
— Perparim Kryeziu (@KryeziuPerparim) April 30, 2024