Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për propagandë të qëllimshme ndaj partisë së saj.
Çitaku njoftoi se PDK do të ngrejë padi për shpifje ndaj deputetes së LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni.
Ajo e akuzoi Kryeziu-Hysenin për deklarata të rreme ndaj zyrtarëve të PDK-së, Bernard Nikaj dhe Petrit Selimi. Sipas Çitakut, këto akuza kanë për qëllim njollosjen e individëve dhe partisë së saj.
Çitaku: Sanksionet Kosovës ia ka sjellë vetë Kurti, PDK do ta padisë për shpifje deputeten e VV-së
“PDK do të ngrisë padi për shpifje ndaj deputetes Kryeziu-Hyseni. Kosova ndodhet nën sanksione të njëjta si Rusia dhe Bjellorusia për shkak të Qeverisë së Vetëvendosjes”, ka thënë Çitaku.
VV-ja akuzon PDK-në se kërkoi nga BE-ja të mos hiqen masat ndëshkuese
Në përgjigje, deputetja Kryeziu-Hyseni reagoi përmes një postimi në Facebook.
Ajo e quajti reagimin e Çitakut si një përpjekje për të mbuluar akuzat për lobim që ndërlidhen me sanksionet ndaj Kosovës.
“Dy zotërinjtë e PDK-së nuk kanë reaguar për lobimin e tyre që mos t’i hiqen masat Kosovës, por paska reaguar një lobuese tjetër nga PDK, Vlora Çitaku.
Secila fytyrë që del për të folë më e pakëndshme për historinë e Kosovës. Ndoshta është e udhës të reagoj kjo që është e njohur për këso projektesh, dikur mbronte e shtynte tutje projektin e shkëmbimit territorial sot kinse demanton atë të lobimit për mosheqje të masave për Kosovën. Konsistente në projektet e veta”, ka shkruar Kryeziu-Hyseni.