Arbresha Kryeziu nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka deklaruar se në marrëveshjen e 18 marsit të arritur në Ohër të Maqedonisë, nuk bëhet fjalë për “Zajednicë”, por për vetëmenaxhim.
E ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Kryeziu ka deklaruar se është arritur që të zhbëhet ideja e një Asociacioni dhe të krijohet ideja e “vetëmenaxhimit”.
“Nuk ka Zajednicë dhe është tepër shumë e rëndësishme edhe një fakt tjetër që kemi arritur që ta zhbëjmë në vete atë idenë e Asociacionit ose Zajednicës që në fakt ka qenë qëllimi kryesor i Serbisë që prej 2013-tës e tutje. Dhe kemi mbërritur te një term që po quhet “vetëmenaxhim”. Dhe që po ashtu me propozim të kryeministrit Kurti është arritur dakordimi që kurdo që të fillojnë diskutimet mbi ndërtimin e kësaj instatnce të re që po quhet ‘vetëmenaxhim” të ketë përballë tri shtylla të rëndësishme”, ka deklaruar ajo, gjersa ka theksuar se elementet përbëjnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, të jetë në përputhje me qëndrimin e Brukselit zyrtar dhe qëndrimin e SHBA-së në janar të këtij viti.
Krahas kësaj, deputetja Kryeziu ka deklaruar se me marrëveshjen e Ohrit, Kosovës i janë hapur dyert në mekanizmat ndërkombëtar dhe drejt rrugës së njohjes De Facto.
“Nga marrëveshja e fundit e 18 marsit, gjithmonë duke u paraprirë nga ajo e 28 shkurtit. Janë dy elemente shumë të rëndësishme, të cilat i shohim që kanë dalë në pah dhe që rrjedhin pikërisht nga këto dy takime shumë të rëndësishme. Pra, që është e para njohja De Facto, të cilën e kuptojmë përmes katër neneve të para dhe tjetra, që Kosovës i janë hapur mundësitë për të ecur përpara, dhe nuk vazhdon të mbetet e izoluar në aspektin e integrimit dhe antarësimit nëpër organizata e mekanzima të shumtë ndërkombëtare e që mendoj që është një hap tjetër i rëndësishëm e që po mendoj se ka qenë arsyeja pse një plan i tillë ka qenë i pranueshëm për Qeverinë Kurti kur ka nisur. Pra, që prej 18 gushtit kur fillimisht është prezantuar korniza e përgjithshme e planit e mandej drafti i parë që u dorëzua më 9 shtator dhe më 6 dhjetor drafti i dytë dhe te më pastaj janë dorëzuar komentet nga kryeministri Kurti diku në fund të janarit”, ka deklaruar ajo.
Bashkimi Evropian e ka quajtur si shumë të suksesshëm takimin e 18 marsit në Ohër, në mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq.
BE-ja ka thënë se të palët janë pajtuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.