Kryeziu: Pengimi i zgjedhjeve është sulm ndaj demokracisë, Kosova ofron kushtet e nevojshme për mbajtjen e tyre

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka dënuar incidentet e së martës në veri, duke thënë se "Bandat kriminale mund edhe të mos marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike" teksa ka shtuar se institucionet e Kosovës kanë treguar gatishmërinë për të ofruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtje të zgjedhjeve

Përparim Kryeziu, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës





Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se institucionet e Kosovës kanë treguar gatishmërinë për t’i ofruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtje të zgjedhjeve, duke theksuar se “zgjedhjet janë manifestim i fuqishëm i demokracisë”.

Kryeziu ka thënë se pengimi apo pamundësimi i tyre është sulm ndaj demokracisë.

“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë treguar gatishmërinë për të ofruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtje të zgjedhjeve. Zgjedhjet janë manifestim i fuqishëm i demokracisë. Pengimi apo pamundësimi i tyre është sulm ndaj demokracisë”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Ai ka thënë se pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në veri të vendit, mbajtja e zgjedhjeve tashmë është obligim kushtetues i institucioneve të Republikës, duke thënë se bandat kriminale mund edhe të mos marrin pjesë në zgjedhje, “por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike”.

Ai ka dënuar inicidentet e djeshme në veri, duke thënë se veprimet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri.

“Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri. Presim vlerësimin e situatës në veri nga organet tona të sigurisë për hapat e mëtejmë”.

Ndërkaq, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë (ShBA), Jeff Hovenier, ka thënë se për momentin, nuk janë krijuar kushtet e duhura që të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, të planifikuara për 18 dhjetor. Ai, gjithashtu, ka theksuar se siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të vetëpërmbahen”, ka shkruar të mërkurën Hovenier, në Twitter.

Hovenier, po ashtu, dënoi incidentet e djeshme në veri, duke thënë se përdorimi i dhunës dhe i frikësimit nuk është një metodë e përshtatshme proteste.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ata që ushtruan dhunë gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës. Përdorimi i dhunës dhe i frikësimit, duke përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes dhe rrezikimin e jetëve nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë”, ka vijuar tutje Hovenier.

Ndryshe, të martën, në Zubin-Potok dhe Mitrovicë Veriore, persona të maskuar kanë dëmtuar zyrat e komisioneve komunale zgjedhore, duke përdorur mjete të rrezikshme.

Pastaj në orët e vona është larguar mjeti shpërthyes, i cili gjendej në këtë objekt.

Ndërsa, lidhur me mjetin shpërthyes që tashmë është deminuar, zyrtarët policorë në mënyrë jozyrtare, thanë se bëhet fjalë për një granatë që nuk ka qenë e shpërthyer më parë.

Para kësaj, Policia e Kosovës kishte vendosur shirita te zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor të Veriut të Mitrovicës.

Policia e Kosovës kishte njoftuar se nga shpërthimet, nuk pati të lënduar.

Krerët e Kosovës, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, i dënuan sulmet në veri, duke thënë se janë të orkestruara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

ShBA-ja thotë se s’ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të planifikuara në veri

 





Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika