Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në lidhje me sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian për Kosovën, konsideron se vetë BE-ja duhet të japë arsyetimin për mosndryshim qëndrimesh pavarësisht marrëveshjes së Bratisllavës.
Në emisionin “Five”, Kryeziu ka thënë se pavarësisht marrëveshjes së Bratisllavës dhe progresit të bërë në atë marrëveshje e cila ka katër pika, BE-ja ende nuk ka ndryshuar qëndrim për Kosovën.
“Arsyetimin më të mirë duhet ta japë BE-ja për mosndryshimin e qëndrimit të tyre pavarësisht marrëveshjes së Bratisllavës dhe progresit të bërë në atë marrëveshje e cila ka katër pika, reduktimi i policisë në veri, dakordimi për vlerësim të vazhdueshëm të situatës, korniza ligjore për zgjedhjet, takim koordinues të ekipit të dialogut. Të gjitha janë bërë “, ka thënë Kryeziu.
Sipas tij, vendimet e BE-së si ato fillestare e aktuale janë të padrejta jo vetëm për Kosovën, por edhe në raport të formulës së trajtimit që e ka përdorur në raport me Kosovën dhe Serbinë.
Ndër të tjera, sa i përket dialogut, Kryeziu ka thënë se njohja de-jure nga Serbia sigurohet atëherë kur ka presion të shtuar mbi Serbinë në moment të duhur.
“Për një kohë të gjatë kemi qenë njëzëri që marrëveshja duhet të ketë njohjen reciproke de-jure, për shkak të rrethanave në kontekstin e kohës, kemi ardhur te një marrëveshje që ka një njohje de-facto. Njohja de-juro nga Serbia sigurohet atëherë kur ka presion të shtuar mbi Serbinë, në moment të duhur. Marrëveshja bazike është platforma që na çon te njohja de-jure, por fillimisht e ka trajtën e njohjes de-facto”, ka thënë Kryeziu.
Zgjedhjet në veri, Kryeziu: Ndonëse ne nuk jemi shkaktarë të tyre, po ofrojmë zgjidhje
Ndërkaq në lidhje me zgjedhjet në veri, Kryeziu ka thënë se ato nuk janë rezultat i qeverisë Kurti, por janë shkaktuar nga qeveritë e mëhershme.
“Nuk kemi pasur zgjedhje në veri për shkak të qeverisë sonë, dikush tjetër ka qenë shkaktar ne po ofrojmë zgjidhje”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se Serbia ishte sjellë me diktat duke kërkuar nga serbët të heqin dorë nga institucionet e Kosovës dhe për këtë Kosova ka krijuar një bazë ligjore që të organizohen zgjedhje në mënyrë demokratike.
“Ne jemi në situatën që jemi sot për shkak të diktatit që ka bërë Serbia duke shkaktuar zgjedhje, është e padrejtë që edhe Kosovës t’i kërkohej që përmes një udhëzimi politik t’i kërkojë dorëheqjen e kryetarëve. Kosova nuk është si Serbia, Prishtina nuk operon si Beogradi, nuk kemi kryetarë si ata të Listës Serbe”, ka theksuar ai.
Sipas tij, këto zgjedhje nëse mbahen do të organizohen në mënyrë që vullneti politik i qytetarëve atje të mos jetë nën ndikimin e diktatit të Serbisë.