Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, një përgjigje për TV Dukagjinin ka thënë se qeveria dhe politika nuk përzihen në vendimet e Bankës Qendrore të Kosovës, sepse ky institucion është i pavarur.
Kryeziu tutje ka thënë se qytetarët serbë janë të integruar dhe të gatshëm që të integrohen në sistemin tonë bankar më shumë sesa që ekziston përshtypja.
“BQK është institucion i pavarur i Kosovës, dhe nuk munden politikanët t’i mbivendosen institucioneve të pavarura të shtetit, sepse kështu e humbim karakterin e republikës demokratike për vendin tonë të pavarur”, ka thënë ai.
“Qytetarët tanë serbë janë shumë më të integruar dhe më të gatshëm që të integrohen dhe më tej në sistemin tonë bankar se që ekziston përshtypja. Janë gati 27 mijë pensionistë nga komuniteti serb që pranojnë transfere mujore në xhirollogaritë e tyre bankare. Një dëshmi tjetër është edhe fakti që me fillimin e shtesave për lehona dhe fëmijë nga viti 2021, janë mbi 5 mijë qytetarë nga komuniteti serb në Kosovë që kanë përfituar nga këto shtesa e të cilat i kanë pranuar ose vazhdojnë t’i pranojnë çdo muaj. Në takimet dhe komunikimet me partnerët tanë i kemi diskutuar të gjitha shqetësimet e tyre. Ka shumë propagandë që vjen nga Serbia e që nuk bazohet në fakte, por vetëm në nxitje të frikës”, ka shtuar ai.
Më tutje, ai ka theksuar se vendimet e BQK-së nuk mund të negociohen.
“Kushtetutshmëria, ligjshmëria, dhe vendimmarrja e institucioneve të pavarura nuk mund të negociohen nga politikanët. Qeveria e Republikës sё Kosovës është e përkushtuar qё periudhat eventuale tranzitore tё sigurojnë qё qytetarët tё adaptohen sa mё shpejt, sa mё lehtë dhe pa dёmtime”, ka theksuar Kryeziu.
“Mekanizmat e qeverisë qё kanё pёr obligim zbatimin nё praktikё tё kёsaj rregulloreje do tё fokusohen që nё kёtё fazё tё investojnë mё shumë nё informim dhe edukim tё bizneseve dhe qytetarëve e jo nё masa ndëshkuese. Banka Qendrore tashmë ka rritur intensitetin e informimit në lidhje me pikat kryesore të rregullores. Në të njëjtën kohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ёshtё përkujdesur qё Agjencioni pёr Regjistrimin e Bizneseve tё fillojё operimin edhe nё katёr komuna në veri të Kosovës, nё mënyrë qё bizneset tё mund tё regjistrohen e fiskalizohen”, ka thënë Kryeziu.
Tutje, ai ka treguar se bankat komerciale qё operojnë nё Kosovё kanë marrë sygjermin që t’i hapin degët e tyre në katër komunat veriore të Kosovës.
“Në katër komunat në veri janë katër degë të bankave dhe janë 15 institucione financiare jobankare, ku do të mund të dërgohen dërgesat e pagesat dhe ku do të mund të merren të gjitha ato në euro. Ndërkohë, bankat komerciale qё operojnё nё Kosovё kanë dhe janё udhëzuar tё hapin degё tё reja nё katër komunat veriore tё vendit dhe po ashtu Banka Qendrore i detyron tё njëjtat qё tё ofrojnë xhirollogari bankare bazike e tё cilat nuk bartin asnjё kosto pёr poseduesit e tyre”, ka shtuar ai.
“Jemi të interesuar dhe të angazhuar që gjithçka të shkojë mirë, qetë dhe në siguri. Çdo problem i imagjinuar apo real do ta adresojmë me shpejtësi. Do të mbajmë komunikim të rregullt me partnerë tanë. Do të ketë komunikim të vazhdueshëm me qytetarët nga radhët e komunitetet joshumicë serb”, ka theksuar Kryeziu
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që “nëse dikush ka informacione apo ndonjë indikacion për përshkallëzim duhet që ta ndajë me institucionet e sigurisë. Por paraprakisht ngritet pyetja se kush do ta përshkallëzonte situatën?”.