Shtatë shtetasit maqedonas që gjendeshin në një hotel afër Manastirit në Banjskë, ku ndodhi sulmi ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të hënën nën shoqërimin e policisë janë kthyer në Maqedoninë e Veriut.
Njoftimi është bërë i ditur nga ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sipas të cilit shtetasit maqedonas janë lënë të lirë pas intervistimit dhe analizave të tjera nga Policia e Kosovës.
“Pas intervistimit dhe analizave të zakonshme nga Policia e Republikës së Kosovës, sot [e hënë] në mëngjes qytetarët tanë janë nisur të sigurt për në shtëpi, të shoqëruar nga Policia e Kosovës. Rrethanat, në të cilat u gjendën, ishin komplekse, duke qenë se ata ishin të akomoduar në një hotel, në afërsi të vendit ku ndodhi sulmi me armë ndaj policisë”, ka njoftuar Osmani në rrjetin social Facebook.
Osmani ka thënë se lidhur me këtë rast ishte në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Kosovës, të cilat “garantuan sigurinë e qytetarëve tanë”.
Ai nuk ka dhënë detaje të tjera mbi qëndrimin e shtetasve të Maqedonisë së Veriut në afërsi të Manastirit në Banjskë.
Lidhur me tensionet në Banjskë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, të dielën në mbrëmje deklaroi përmes një njoftimi se “dënon ngjarjet” në Kosovë, duke theksuar “mbështetje të plotë për KFOR-in për të gjitha aktivitetet e ardhshme që synojnë garantimin e paqes dhe të stabilitetit në Kosovë dhe rajon”.
“Bëj thirrje për uljen e tensioneve në Kosovë dhe për vazhdimin e dialogut dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura në mënyrë paqësore dhe demokratike. Përshpejtimi i integrimeve euroatlantike në Ballkanin Perëndimor është vendimtar. Është e vetmja mënyrë për të siguruar progres dhe stabilitet në rajon… Rajoni duhet të ecë përpara, qytetarët meritojnë prosperitet, një të ardhme më të mirë dhe një standard më të mirë jetese”, thuhet në reagimin e Kovaçevskit në Facebook.
Ai tha se situata e sigurisë në Maqedoninë e Veriut është stabile dhe se qytetarët nuk kanë arsye për shqetësime.
“Të gjitha institucionet përgjegjëse për sigurinë po monitorojnë me vigjilencë situatën. Gjithashtu, sipas informacioneve të shkëmbyera ndërmjet shërbimeve të inteligjencës në vend dhe informacioneve të marra nga shërbimet e aleatëve tanë në aleancën e NATO-s, nuk ka indikacione që tregojnë për shkelje të sigurisë në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në reagimin e kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski.