Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se është rikthyer furnizimi i rregullt me energji elektrike në tërë vendin.
Sipas njoftimit thuhet se duke u nisur nga situata botërore me krizën energjetike që ka prekur edhe rajonin, të gjitha institucionet përgjegjëse po punojnë intensivisht dhe në koordinim për sigurinë e furnizimit me energji elektrike.
“Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike”, thuhet në njoftim.
Po ashtu është bërë e ditur se institucionet do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur furnizimin e rregullt me energji elektrike gjatë ditëve në vijim.
Ministria e Ekonomisë u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të marrin masa kursimi dhe të jenë sa më të kujdesshëm në përdorimin e energjisë elektrike.
“Bashkëpunimi me Shqipërinë do të pasohet nga të tjera masa në adresim të krizës energjetike dhe gjendjes së emergjencës ku ndodhemi”, vijon njoftimi.
Ndryshe, Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS), ka njoftuar se të hënën e 15 gushtit do të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike.
Përmes një komunikate për media, KEDS-i, ka njoftuar se këto kufizime, në bazë të planit të dërguar gjatë ditës së hënë konsumatorët do të kenë nga gjashtë orë energji elektrike dhe dy orë kufizime.
“Prej nesër, vendi do të furnizohet vetëm nga prodhimi vendor. Kjo, pasi KEDS dhe KESCO nuk kanë mundësi financiare më që të nominojmë energji jashtë asaj që prodhohet nga gjeneratorët vendorë. Deri tek kjo situatë ka ardhur për shkak të çmimeve enorme që ekzistojnë në tregjet ndërkombëtare dhe mosmbulimit të kostos së sistemit. Kjo ka sjellë situatë të rëndë financiare edhe për KOSTT-in, të cilën ENTSO nuk e lejon më të bëjë devijime. Kjo bën që secila kërkesë mbi prodhimin vendor të kufizohet në pamundësi të mbulimit nga importi”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, energjia elektrike e blerë deri më tani ka shkaktuar humbje enorme.
Dy kompanitë, pra KEDS dhe KESC, siç thuhej në njoftim, nuk mund të bartin më të vetme barrën e krizës botërore energjetike dhe pasojat e saj në Kosovë.