Rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit vazhdojnë të prodhojnë debate jo veç për forcën e partive politike. Përtej entuziazmit për rritjen e një partie dhe rënien e tjetrës, ka dalë në sipërfaqe debati për “kthimin” e partive në rajonet nga të cilat fitojnë më shumë vota. Si çdo debat, edhe ky është përcjellë me keqkuptime të paqëllimshme e të qëllimshme.
Pjesa më e madhe e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), që fituan ulëse në zgjedhjet e 9 shkurtit, vijnë nga rajoni i Drenicës, përkatësisht Drenasi dhe Skënderaj. Asgjë të keqe, në kuptimin që ata janë votuar nga qytetarët. Mbase organizimi më i mirë ose puna në terren në atë pjesë kanë sjellë këtë rezultat. Por, kur bëhet fjalë për shtrirjen e një partie politike, përqendrimi shumë i madh i deputetëve në një zonë është i dëmshëm.
PDK është themeluar nga njerëz, shumë nga të cilët vijnë nga ai rajon. Po ashtu vazhdimisht e mban pushtetin në ato dy komuna. Por, kjo nuk don të thotë që partia duhet të forcohet vetëm atje.
Zgjedhjet e fundit treguan që PDK ka nisur rrugën drejt kthimit në gjenezë. Në kohën e Hashim Thaçit ai e hapi dhe shtriu partinë në mbarë Kosovën, duke e shndërruar në gjithëkosovare. Në këtë mënyrë ai edhe fitoi zgjedhjet dhe qeverisi. Vite më pas, PDK është në tjetër rrugë – të paktën bazuar në emrat e deputetëve që kanë fituar ulëse në Kuvend.
Nëse konstaton se PDK po rajonalizohet kjo nuk don të thotë se po e fyen një rajon të caktuar, në këtë rast Drenicën. Përkundrazi, është alarm për një parti të rëndësishme që kjo nuk është shenjë e mirë. Është e kotë çdo përpjekje për ta vendosur debatin në ndonjë sfond tjetër.
* * *
Përderisa PDK po rajonalizohet, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) po familjarizohet edhe më shumë. Rezultatet e zgjedhjeve e shfaqin këtë parti ashtu çfarë është në të vërtetë. Nga pesë deputetë, sa pritet t’i ketë, tre janë familjarë.
Familjarizmi e ka karakterizuar këtë parti që nga themelimi por tash, duke humbur rëndësinë politike, vërehet më shumë.
Në listën e AAK’së për deputetë kishte emra të respektuar, të cilët do të mund të ishin pjesë e parlamentit. Kishte njerëz të dëshmuar në jetën politike, pa ndonjë skandal e aferë, por kishte edhe figura të reja, të dëshmuara në jetën publike. Megjithatë ata mbetën jashtë, sepse organizimi ishte i atillë që vota të fitojnë më shumë familjarët brenda partisë.
Partitë vazhdimisht do të duhej të reformoheshin dhe të zgjeroheshin me njerëz dhe ide. Por, kur sheh situatën me AAK’në, e deri diku me PDK’në, pyetja më e logjikshme që duhet bërë është që pse dikush duhet të provojë të bëhet pjesë e këtyre partive dhe të synojë parlamentin, nëse nuk është nga rajoni i Deçanit, përkatësisht Drenicës? Këtu nuk bëhet fjalë për kurrfarë mosdurushmërie e asfarë urrejtje për këto rajone, përkundrazi. Është vetëm një realitet. Rezultatet e 9 shkurtit do të duhej të ishin alarm për këto parti.
* * *
Alarm do të duhej të ishte edhe rezultati i zgjedhjeve për ata që kanë mbetur jashtë parlamentit. Përderisa më shumë se një e treta e deputetëve shqiptarë janë figura të reja, të tjerë me përvojë e kontribut në parti kanë mbetur jashtë. Në këtë mënyrë, votuesit i kanë ndëshkuar plot nga ata që për një arsye a tjetër kanë qenë të përkëdhelur të kryetarëve të partive, ata që kanë pasur hapësirë me bollëk në debate televizive dhe në rrjete sociale.
Rezultati do të duhej të ishte edhe reflektim për kryetarët e partive, të cilët nuk kanë fituar siç mund të kenë pritur, ndonëse publikisht thoshin që do të dilnin fitues. Nuk pres që ndonjëri të jep dorëheqje, si marrje përgjegjësie, për shkak se të tilla gjëra në Kosovë nuk ndodhin. Por, të paktën t’ia pranojnë vetes dhe atyre përreth se strategjia e tyre kanë qenë e gabuar dhe përjashtuese.