Ku qëndrojnë palët rreth arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi në Gazë?

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit përmes Reuters.

Ndërmjetësit e Shteteve të Bashkuara dhe të Lindjes së Mesme gjatë ditëve të fundit janë shprehur optimistë se janë afër arritjes së një marrëveshjeje dymujore armëpushimi në Gazë dhe lirimin e më shumë se 100 pengjeve që mbahen nga Hamasi, grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Por, të martën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, refuzoi dy kërkesat kryesore të grupit radikal palestinez – që Izraeli të tërheqë forcat e tij nga Gaza dhe të lirojë mijëra të burgosur palestinezë – duke vënë në pah se mes dy palëve ka ende dallime të mëdha.

Lufta u nxit pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, kur radikalët vranë afër 1.200 persona, shumica civilë dhe rrëmbyen afër 250 të tjerë. Pothuajse gjysma e pengjeve u liruan gjatë armëpushimit njëjavor nëntorin e kaluar, në këmbim të lirimit të 240 të burgosurve palestinezë.

Ofensiva izraelite ka vrarë mbi 26.700 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, institucion që nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve. Afër 85 për qind e popullatës prej 2.3 milionë banorësh të Gazës janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe Kombet e Bashkuara thanë se çereku i popullsisë po përballet me uri.

Lufta po ashtu ka trazuar rajonin, me grupet e mbështetura nga Irani në Liban, Siri, Irak dhe Jemen që po i sulmojnë caqet izraelite dhe amerikane në mbështetje të palestinezëve. Sulmet janë përballur me kundërpërgjigje, që ka rritur frikën se konflikti mund të zgjerohet në rajon.

Në këtë tekst mund të mësoni për qëndrimet e palëve sa i përket përfundimit të konfliktit.

Netanyahu kërkon “fitore të plotë”

Netanyahu vazhdimisht është zotuar se do të vazhdojë luftën derisa Izraeli të shkatërrojë aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit dhe kthimin e të gjitha pengjeve, dy synime vështirë të arritshme, për të cilat shumë izraelitë druhen se nuk mund të realizohen njëkohësisht.

Duke folur në një akademi fetare paraushtarake në Bregun e pushtuar Perëndimor, kryeministri izraelit tha se ne “nuk do të tërheqim ushtrinë izraelite nga Rripi i Gazës dhe nuk do të lirojmë mijëra terroristë”.

Një qëndrim i tillë duket se bën të pamundur arritjen e ndonjë marrëveshjeje me Hamasin, por mund të jetë edhe një qëndrim që synon të forcojë pozicionin e Izraelit në bisedimet indirekte që po vazhdojnë.

Netanyahu po përballet me presion nga familjet e pengjeve dhe nga publiku më i gjerë për të arritur një marrëveshje me Hamasin, që pengjet të kthehen në shtëpi. Shumë izraelitë druajnë se koha po mbaron.

Në të njëjtën kohë, koalicioni i tij qeverisës – i dominuar nga ultranacionalistët e linjës së ashpër që kundërshtojnë arritjen e një marrëveshjeje – mund të bjerë, nëse ai vlerësohet se është shumë i butë me Hamasin.

Ushtria izraelite ka arritur që me sukses të shpëtojë vetëm një peng dhe Hamasi ka thënë se disa pengje janë vrarë gjatë sulmeve ajrore apo gjatë operacioneve të dështuara të shpëtimit. Në dhjetor, forcat izraelite gabimisht vranë tri pengje që kishin ikur dhe të cilët, në momentin kur u vranë, po valëvisnin një flamur të bardhë.

Hamasi dëshiron që lufta të përfundojë

Hamasi ka refuzuar që të lirojë më shumë pengje derisa Izraeli t’i japë fund ofensivës së tij dhe të tërhiqet nga Gaza. Grupi radikal dëshiron një marrëveshje më të gjerë që do të përfshinte një armëpushim afatgjatë dhe rindërtimin e Gazës.

Udhëheqësi kryesor politik i grupit, Ismail Haniyeh, tha të martën se prioriteti i tij ishte “tërheqja e plotë” e forcave izraelite nga Gaza. Ai tha se çdo marrëveshje duhet po ashtu të çojë te rindërtimi, heqja e bllokadës izraelito-egjiptiane ndaj territorit dhe lirimi “i të gjithë të burgosurve tanë heroikë”.

Ndërmjetësit kërkojnë të gjejnë një mes

Shtetet e Bashkuara, që kanë ofruar mbështetje thelbësore ushtarake për ofensivën, mbështet gjerësisht qëllimet e Izraelit në këtë luftë. Uashingtoni dëshiron që të gjitha pengjet të lirohet dhe të sigurohet që Hamasi më kurrë nuk do të mund të kryejë sulme, sikurse më 7 tetor.

Por, administrata e presidentit Joe Biden, po ashtu ka interes të madh për të ulur intensitetin e luftës, e cila ka shkaktuar një paqëndrueshmëri në rajon dhe ka ndarë demokratët në zgjedhjet presidenciale amerikane që do të mbahen më vonë gjatë këtij viti.

Shtetet arabe, përfshirë edhe ndërmjetësit kyçë, Egjiptin dhe Katarin, kanë bërë thirrje për një armëpushim që në ditët e para të luftës, duke shprehur frikën se konflikti në Gazë mund të shkaktojë paqëndrueshmëri më të gjerë.

Ndërmjetësit amerikanë dhe arabë duket se po kërkojnë një mes, sipas të cilit, pengjet do të liroheshin në faza gjatë një periudhe dymujore në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë. Po ashtu ata po kërkojnë që në Gazë të lejohen dërgimi i më shumë ndihmave humanitare dhe tërheqjen e pjesshme të forcave izraelite.

Një pauzë prej dy muajsh mund të blinte kohë për negociata për një marrëveshje më të madhe, në mënyrë që të adresohej konflikti dekadësh midis izraelitëve dhe palestinezëve.

Diplomatët amerikanë dhe arabë kanë folur për një marrëveshje të mundshme, sipas së cilës, Arabia Saudite do të njihte Izraelin dhe do t’i bashkohej shteteve arabe dhe Autoritetit Palestinez të mbështetur nga Perëndimi për të ndihmuar në rindërtimin dhe qeverisjen e Gazës, në këmbim të një rruge kredibile drejt krijimit të një shteti palestinez, përkrah Izraelit.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika