Pasojave nga plagosja, që mori gjatë luftës së fundit në Kosovë, Agron Haradinaj, iu mbijetoi për më shumë se 2 dekada.
Por, 56 vjecari një ditë më parë, ndërroi jetë, pas një sëmundjeje të rëndë, që muajve të fundit, e kishte përkeqësuar gjendjen e tij.
Ndërkohë, në kullën e kësaj familjeje, në Gllogjan të Deçanit, shumë familjarë e miq, erdhën për ngushllime, por aty nuk ishte edhe vëllai i Agronit, Nasimi.
Familjarët tek thonë se mungesa e Nasimit, i cili gjendet si i dënuar për pengim të drejtësisë në Hagë, iu ka shtuar dhimbjen, tregojnë për kontributet që dha Agroni, për Kosovën.
Bujar Haradinaj, familjar ka thënë se “Agroni ka qenë një ndër të burgosurit më të ri ntë ish sistemit Jugosllav, u birgos në moshën 16 vjecare, po ashtu bashkë me gjithë familjen, Smajl Haradinaj, Nasimin, Naimin Shqipen edhe Naimen dhe gruan e bacës Smajl, nanën e Agronit kanë qenë një familje e persekutume që iu kanë ndaluar të gjitha të drejtat në atë kohë të shkollimit, të bamës së jetës normale, faktikisht në sistemin jugosllav, pas viteve të 90, pas gjithë asaj periudhe detyrohen të emigrojnë, në Suedi si familje”.
Agron Haradinaj në fillim të luftës, ishte kthyer nga Suedia në Kosovë, për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Haradinaj ka thënë se “Agroni ka qenë një ndër djemtë, që e ka kontribuar shumë në organizimin e UÇK-së, me trajnimin e djemve të ri që kanë ardh në atë kohë, se e dimë që disa prej tyre s’kanë qenë të përgaditur ushtarakisht, pozicionimin e tyre, gjëra shumë ushtarake, Agroni ka ndihmuar shumë në atë drejtim, po ashtu ka marr pjesë në fronte të ndryshme në zonën operative të Dukagjinit”.
Fjalë të mira, për Agronin e familjen Haradinaj, flisnin edhe miqtë e tyre.
Adem Grabovci ka thënë se “Për ne është një ndarje tepër e dhimbshme, Agroni familjes Haradinaj, i ka takuar vetëm për aq sa ka lind në këtë familje dhe është edukuar në këtë familje, dhe është edukuar në frymën patriotike unë kam pasur fatin që ta njohë në vitet e 80 dmth kur ka qenë në moshën shumë të re, të njofë Agronin, dhe atëhere që është quajtur vocrraku i burgut, unë mund të them se Agron Haradinaj është rritë në burgje”.
Trupi i ish ushtarit të UÇK-së, pritet të sillet në ditët në vazhdim nga Gjermania, nga aty ku edhe po trajtohej, derisa familja tashmë ka bërë kërkesë ne Gjykatën Speciale për lejimin e Nasim Haradinajt, në varrimin e vëllait.
Specialja nuk kishte lëshuar leje, që Nasim Haradinaj të e vizitonte, vëllanë gjatë kohës sa ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.