E premtja në Landovicë të Prizrenit ka nisur me kujtimin e dëshmorëve të këtij fshati që ranë heroikisht gjatë “Epopesë së Vrrinit” para 25 vjetësh.
Për nder të këtij përvjetori, familjarët vizituan varret e dëshmorëve. E, atyre iu bashkuan më pas edhe politikanë.
Sot e asaj dite, Abaz Shala nuk është bërë pishman që një nga djemtë e tij ia fali atdheut.
“Ekerm Rexha komandat Drini i ka thënë se dy vëllezër në një pritë nuk shkojnë e ka ndal ai sot është gjallë. Kur ta lejosh me luftuar je pajtuar edhe ski çka mu mërzit se la rënë liri me të gjithë shokët”, ka thënë Shala.
Betejës pati fatin t’i mbijetojë një nga ushtarët çlirimtar. Ai rrëfen se si bashkë me pesë vëllezërit e tij vendosën t’i bashkoheshin UÇK-së.
“Vetë i pesti vëlla kam qenë në UÇK, lajmin për [ rënien e vëllait dëshmor] e kemi ditë, më vullnet kemi shkuar në [luftë] nuk kemi shkuar fshehurazi, kemi vendosur për t’i larguar padrejtësitë”, ka thënë ai.
Në shënimin e këtij përvjetori mori pjesë edhe i pari i Prizrenit, kryetari Shaqir Totaj. Ai tha se Institucionet e Kosovës nuk kanë pikur nga qielli, por janë këtu falë dëshmorëve.
“Ne sot jemi ardhur këtu për t’i shprehur mirënjohjet tona për ta që dhanë kontributin e tyre në momentet me të vështira, ky shtet këto institucione nuk kanë pikur nga qelli, njerëzit e kanë dhënë jetën”, ka thënë Totaj.
Mirëpo, sekretari i Organizatës së Veteranëve në Prizren, Isa Berisha, vlerësoi se amaneti i dëshmorëve nuk ka shkuar në vend.
“Po si bashkë luftëtarë i të gjithë këtyre, amaneti i dëshmorëve nuk është realizuar për të cilën kanë luftuar dhe janë betuar, mirëpo në saj të luftimeve dhe sakrificës së tyre ne sot e gëzojmë këtë liri”, ka thënë Berisha.
Gjatë Epopesë së lavdishme të Vrrinit nga 1 deri 5 shtator 1998, ranë heroikisht 28 pjesëtarë të UÇK-së.