Drejtoresha e Shëndetësisë në komunën e Hanit të Elezit, Kimete Kuka, ka thënë se rreth 112 persona deri më tani kanë kërkuar ndihmë mjekësore, të cilët kanë qenë më simptoma të njëjta.
Pas raportimit se qindra qytetarë kanë kërkuar ndihmë për trajtim mjekësor në komunën e Hanit të Elezit, është raportuar se dyshimet e para janë helmim nga uji i pijes.
Megjithatë, Kuka ka theksuar se ende asgjë nuk është konkrete.
Ajo ka potencuar se rezultati i mostrave që janë marrë për analizë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), në mënyrë që të kuptohet shkaku kryesor i këtij helmimi, do të kthehen brenda dy apo tri ditësh.
“Prej dje diku rreth orës 16:00, fluksi i pacientëve është rritur dhe kanë qenë kryesisht të një fshati këtu në rrethinë në Gorancë. Për moemntin dicka konkrete nuk ka, dyshimet janë tek uji. Deri në këto momente numri i pacientëve me simptoma të njëjta që janë diarre dhe vjellje, është diku 112 pacientë”, ka thënë Kuka.
Ndonëse pacientët kanë marrë trajtimin e duhur mjekësor, Kuka ka theksuar se në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ku po trajtohen të njëjtit, ka mungesë të stafit.
Ajo thotë se ndonëse janë duke punuar me kapacitete të pakta dhe staf të mangët, megjithëkëtë është mirëmenaxhuar situata.
“Janë lajmëruar edhe organet kompetente të cilët kanë marë edhe mostrat e ujit të cilat rezultate do të dalin për 2 ose 3 ditë. Rastet kanë qenë të menaxhuara brenda QKMF-së, për fat të mirë nuk ka pasur raste që janë dërguar diku në spitale. Kryesisht janë të fshatit Gorancë, ka pasur edhe prej fshatrave të tjera që dyshohet se kanë qenë mysafir në atë fshat dhe të njëjtit janë infektuar me simptoma të njëjta”.
“Kemi një staf të mangët si qendër, por jemi munduar që së paku sot ta funksionalizojmë sepse atë qendër e kemi vetëm 2 herë në javë funksionale”, shtoi ajo.
Ajo po ashtu, ka potencuar se burimi i ujit në këtë fshat nuk ka lidhje me ujësjellësin e komunës së Kaçanikut.
“Burimet e ujit janë të ndryshme, burimet nga ky fshat vijnë nga dy burime të ndryshme që janë në një rezervuarë. Zakonisht ky fshat ka pasur probleme me ujë por si fshat janë të organizuar dhe secili i ka burimet e veta alternative”.
Ndryshe, që nga dita e diel e 10 korrikut, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Han të Elezit kanë kërkuar ndihmë mbi 100 banorë të fshatit Gorancë.
Këtë e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini, kryetari i kësaj komune, Mehmet Ballazhi.
Ballazhi, ndër të tjera, ka shtuar se prej së dielës duke filluar nga ora 20:00, qytetarët kanë filluar të shkojnë në QKMF me simptoma të vjelljes, barkqitjes dhe temperaturës.
Ai, gjithashtu, ka shtuar se qytetarët për momentin janë jashtë rrezikut për jetë dhe gjendja e tyre është stabile.