Kundërpërgjigja amerikane ndaj Gardës Revolucionare të Iranit dhe grupeve paraushtarake

Shtetet e Bashkuara filluan të premten sulme ajrore në Irak dhe Siri ndaj forcave të Gardës Revolucionare të Iranit dhe grupeve paraushtarake që i mbështesin, në kundërpërgjigje për vdekjet e tre ushtarakëve amerikanë nga sulmi me dron

Shtetet e Bashkuara filluan të premten sulme ajrore në Irak dhe Siri ndaj forcave të Gardës Revolucionare të Iranit dhe grupeve paraushtarake që i mbështesin, në kundërpërgjigje për vdekjet e tre ushtarakëve amerikanë nga sulmi me dron të dielën në një bazë amerikane në Jordani. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, ka patur rreth 40 të vrarë në objektet e goditura. Sulmet ajrore filluan pak pasi presidenti Joe Biden mori pjesën në ceremoninë solemne në bazën ajrore Dover, për pritjen në atdhe të trupave të ushtarakëve të vrarë amerikanë.

Duke përdorur avionë bombardues me rreze të gjatë, ushtria amerikane goditi të premten në tre vendndodhje të ndryshme në Irak dhe katër në Siri.

Sulmet u urdhëruan si kundërpërgjigje nga presidenti Joe Biden.

U goditën në total rreth 85 objektiva të lidhura me Gardën Revolucionare të Iranit dhe grupet paraushtarake që e mbështesin.

Këto nuk do të jenë sulmet e fundit, tha të premten nëpërmjet telefonit gjeneral lietnant Douglas Sims, drejtor i operacioneve për Shtabin e Përgjithshëm.

“Në këto momente, të gjithë avionët janë kthyer të padëmtuar. Nuk do të jap detaje të tjera për kohën se kur do të bëhen sulmet e tjera”, tha ai.

Ndër objektivat ishin qendrat e komandës dhe kontrollit, qendrat e zbulimit, depot e raketave dhe dronëve, objekte të logjistikës dhe furnizimit me municione për grupet paraushtarake dhe sponsorët e tyre nga Garda Revolucionare e Iranit.

Më pak se tre orë përpara sulmeve ajrore, presidenti Biden dhe zonja e parë Jill Biden morën pjesë në ceremoninë solemne për pritjen në atdhe të trupave të tre ushtarakëve të vrarë amerikanë.

Ata u vranë të dielën nga një sulm me dron në një bazë amerikane në Jordani. Shtetet e Bashkuara fajësuan për sulmin “Rezistencën Islamike në Irak”, një organizatë mëmë për grupet e mbështetura nga Irani.

Koha e përzgjedhur për sulmet ajrore amerikane u përcaktua kryesisht nga moti, i tha Zërit të Amerikës nëpërmjet telefonit zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.

“Nuk pati absolutisht asnjë lidhje me kohën e ceremonisë solemne sot në bazën ajrore Dover”, tha Kirby.

Në ceremoninë solemne në bazën ajrore Dover në Dellauer, morën pjesë familjarët e të rënëve, drejtuesit ushtarakë, ndër ta edhe sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, si dhe ligjvënësit e shtetit Xhorxhia nga ku ishin të tre ushtarakët e ndjerë: rreshteri William Jerome Rivers, rreshterja Kennedy Ladon Sander dhe rreshterja Breonna Alexsondria Moffett.

Presidenti Biden foli më herët gjatë javës me familjarët e tyre.

“Do të doja të mos më duhej ta bëja këtë telefonatë. E di se nuk ekziston diçka që mund të thuhet apo mund të bëhet për ta lehtësuar dhimbjen. E kam përjetuar vetë”, u tha presidenti Biden nëpërmjet telefonit prindërve Oneida Oliver Sanders dhe Shawn Sanders.

Me mijëra ushtarakë amerikanë të vrarë jashtë vendit ndër vite, jo në të gjitha ceremonitë solemne kanë marrë pjesë presidentët. Kjo është ceremonia e dytë e tillë për presidentin Biden.

Në gusht të vitit 2021, ai mori pjesë në ceremoninë për 13 ushtarakët e vrarë në Kabul gjatë tërheqjes nga Afganistani të forcave amerikane.

Dhe tashmë presidenti përballet me luftën mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë që rrezikon të zgjerohet në një konflikt më të gjerë rajonal.

“Mendoj se shumë vende në rajon po presin se ç’do të ndodhë. Nuk mendoj se ndokush dëshiron ta shndërrojë në një konflikt të përgjithshëm ku secili duhet të marrë një anë”, tha James Robbins, nga Instituti i Politikave Botërore.

Ndërkohë presidenti Biden dhe zyrtarët amerikanë thonë në mënyrë të përsëritur se: Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë luftë me Iranin./VOA

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika