Fondacioni “Hasan Prishtina” ka organizuar një tubim paqësor, për të kundërshtuar heqjen e emrit të heroit kombëtar Hasan Prishtina nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Drejtori i fondacionit “Hasan Prishtina”, i cili është edhe stërnipi i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina, në protestën paqësore që është mbajtur sot para Kuvendit të Kosovës, ka thënë se kjo nismë e keqe ka filluar që një vit, dhe kjo ka më shumë karakter politik.
“Kjo nismë e keqe ka filluar që një vit dhe kjo ka më shumë karakter politik. Në paaftësi për t’i zgjedhur problemet politike, këta sulmojnë figurat. Emri i Hasan Prishtinës nga universiteti hiqet me kërkesa të pabaza. Mënyra se si ka ardhur kjo kërkesë nga rektorati përmes ministrisë deri në Kuvend është një forme ilegale me të cilën duhet të merret prokuroria. Rektori Qerim Qerimi për bindjen time ka filluar këtë qëllim mbrapsht dhe me porosi nga politika për benefite të tij personale, për benefite të politikës, gjithmonë duke e shfrytëzuar këtë në prag të zgjedhjeve. Ju bëj thirrje, hiqni dorë dhe mos i bini në Kuvend paaftësitë e juaja për menaxhim, po hiqni dorë nga kjo nismë e mbrapsht mizore”, ka thënë ai.
Ndërsa, përfaqësuesi i Parlamentit Studentor në UP, Florend Ramusa, e ka kundërshtuar këtë nismë, duke thënë se i janë bashkuar këtij tubimi për t’u solidarizuar me fondacionin.
“Ne si studentë e kundërshtojmë këtë nismë të mbrapsht që nga viti i kaluar, kemi përdorur mekanizma të ndryshme, qoftë me protesta dhe peticione, kemi mbledhur me mijëra nënshkrime dhe sot iu kemi bashkuar kësaj nisme”, ka shtuar Ramusa.
Edhe stërnipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini, është shprehur se si familjarë e kanë parë të arsyeshme që emri i Hasan Prishtinës të jetë i përjetshëm në Universitetin e Prishtinës.
“Kjo të mos jetë politike, kjo është një dëshirë e jona që këta emra të mëdhenj t’i mbajmë me krenari. Meqenëse sot kemi ardhë me përkrahë emrin e Hasan Prishtinës, ne si familjarë e kemi pa të arsyeshme që emri i tij të jetë i përjetshëm në UP”, është shprehur Boletini.
Megjithatë, në komisionin për Arsim do të shqyrtohet vendimi i Qeverisë për miratimin e statutit të ri të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku do të marrin pjesë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, dhe rektori i UP-së Qerim Qerimi./KP