Ish-i burgosuri politik Haki Morina ka rrëfyer për momentin e arrestimit nga shqiptarët Sigurimit Shtetëror të Jugosllavisë, të njohur si UDB, në emisionin Debat Plus.
Morina, i cili kishte nisur veprimtarinë anti-jugosllave në fillim të viteve ’80, përshkroi se si ka pasur kontakt të parë me Azem Sylën, dhe se si ky kontakt i kishte ndihmuar të fillonte rekrutimin dhe analizën e mundësive për të kundërshtuar pushtetin jugosllav.
“Ky kontakt ka ardhur si rezultat i bindjeve të mia të mëhershme politike të cilat kanë një origjinë të hershme qysh nga fëmijëria”, ka thënë Morina.
Morina e theksoi se qëllimi i tyre ishte bashkimi kombëtar i shqiptarëve, duke theksuar se shqiptarët e Kosovës nuk gëzonin të drejtat e tjera si popujt e tjerë të Jugosllavisë.
Ai rrëfeu momentet e arrestimit të tij më 3 prill 1981, duke përshkruar se si ishte zgjuar në shtëpi dhe kishte hasur në gryken e automatit të një polici, Ali Godanci, dhe tre pjesëtarëve të UDB-së, përfshirë Ajet Gashin, Ibush Gashin dhe një tjetër me emrin Millaku.
“Isha në shtëpi, në odën time dhe isha në gjumë… po më prek dikush dhe sa po i hapa sytë po e shoh gryken e automatit[kallashnikovit] …tek koka. Ishte një polic, quhej Ali Godanci nga fshati Gremnik i komunës së Klinës, atëherë ishte njëfarë përgjegjësi, nuk e di çfarë roli kishte por mbahej sikur shef… me sa e di unë ka qenë pjesëtarë rezervë dhe për shkak të arrestimeve të shumta atëherë u angazhuan edhe disa kuadro jashtë organizimit të UDB-së për ti ndihmuar ata në veprimtarinë e tyre zbuluese…”, ka shtuar Morina.
Morina shtoi se, pas hyrjes në makinë dhe disa pyetjeve, UDB-ashët e kishin kritikuar për qetësinë dhe saktësinë e përgjigjeve të tij. Ai e përshkroi përvojën e tij në stacionin policor në Klinë, ku ishte vendosur në një “biruc” shumë të vogël dhe të papastër, teksa ka përshkruar kushtet e tmerrshme që kishte përjetuar gjatë arrestimit dhe mbajtjes në këtë vend.
“… Një biruc 1 metër e gjysmë me një metër e gjysmë, që s’ma nxite trupin për tu shtriRË…ishte i lagur me urinime…era ishte e rëndë pranë vetës. Ishte errësirë e plotë, nuk e ndiznin dritën… aty e kam vrejt vlerën e orës së kohës…”, ka thënë ai ndër të tjera.