Kur “wokeizmi” shkatërron kauzat e drejta

Në Kosovë, një vend që ende lufton për të drejtat e grave në mënyrë praktike, jo thjesht retorike e teorike, protesta e organizuar më 8 mars në Prishtinë tregoi një fenomen shqetësues: përvetësimin e kauzave nga një grup që duket më i interesuar për “performancën” e aktivizimit të tyre sesa për të bërë ndryshime reale.

Në vend që të fokusohej në problemet specifike që gratë në Kosovë përballen çdo ditë —papunësia, dhuna në familje, diskriminimi institucional — protesta u shndërrua në një cirk ideologjik, ku dominonin flamujt e Palestinës (së bashku me shallin “keffiyeh” rreth qafës), simbolika LGBT dhe këngë revolucionare – “Rroftë Palestina, poshtë sionizmi”.

Po ç’lidhje kanë këto me 8 Marsin dhe të drejtat e grave në Kosovë? As vetë organizatorët, që mbajnë një frymë të zbehtë (neo) marksiste-leniniste, nuk do të mund ta shpjegonin këtë lloj “tallavaje” ideologjike, që u përhap rrugëve dhe shesheve e kryeqytetit gjatë së shtunës – tipike për rrymat radikale të ashtuquajtura të majta.

Nëse një grua e thjeshtë kosovare, që vuan nga padrejtësitë e jetës së përditshme, do të ndalej në shesh dhe do të dëgjonte thirrjet e shihte simbolet e protestës, vështirë se do të gjente aty zërin e saj – epo ndoshta do fillonte te mendonte për shkatërrimin e sionizmit dhe imperializmit.

Historiani amerikan, Christopher Lasch, në veprën e tij Revolt of the Elites, do na thoshte me një ton kritik se, shumë prej këtyre lëvizjeve moderne të majta janë shkëputur nga nevojat reale të popullit dhe janë bërë argëtime intelektuale për elitat urbane.

Kjo është pikërisht ajo që ndodhi në Prishtinë, një grup aktivistësh të zhytur në pseudo-diskurse ideologjike u përpoqën të importojnë debate që nuk kanë lidhje me përditshmërinë e grave kosovare.

Përzierja e (sh)kujdesur e kauzave vetëm sa e dëmton qëllimin e protestave të tilla, duke e larguar vëmendjen nga problemat e përditshme të grave kosovare dhe duke bërë që çështjet reale që i prekin jetët e tyre të margjinalizohen.

Në fund, 8 Marsi dhe çdo ditë tjetër nuk duhet të jetë një shfaqje për aktivistët “woke” të Prishtinës, por moment për të ngritur zërin mbi problemet që prekin vërtet gratë në Kosovë.

Të fundit nga rubrika