Kurti: 30 profesionistë ushtarakë po e sulmojnë Policinë, i ftoj sa më parë të dorëzohen

Kryeministri Albin Kurti në konferencë për media ka treguar për sulmin kriminal në veri të Kosovës, ku u vra një polic dhe një tjetër u plagos. Sulmi është kryer nga një grup i organizuar dhe i armatosur dhe të njëjtit tashmë janë rrethuar brenda manastirit të Zveçanit

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, kryeministri Albin Kurti ka dhënë detaje nga sulmi kriminal në veri të vendit, ku u vra një polic i Kosovës dhe një tjetër u plagos.

Ai tha se brenda manastirit janë ende 30 persona të armatosur rëndë, të cilët po e sulmojnë vazhdimisht Policinë e Kosovës.

Kurti tha se kriminelët janë të rrethuar nga Policia e Kosovës dhe se të njëjtit duhet të dorëzohen në organet e sigurisë së Kosovës.

Kurti tha se ata paraqesin një formacion të organizuar që kanë ardhur të luftojnë në Kosovë.

“Sulmet ndaj policisë sonë janë duke vazhduar, janë 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë ushtarakë a policë, të cilët ndodhen në rrethimin e forcave tona policore, i ftoj të dorëzohen në organet tona të sigurisë. Ata po e sulmojnë policinë, edhe pasi e kanë vrarë Afrim Bunjakun e që e kanë plagosur Rashitin….Automjetet janë pa targa, që nuk i posedojnë serbët lokalë, e asnjë civilë në republikën tonë. Janë dy kamionë që janë vendosur te ura për ta bllokuar qarkullimin. Një aty mban një armë krahu, që nuk është tipike për policinë”, tha ai.

Kurti po ashtu tregoi se Policia e Kosovës është sulmuar me granata dore e me zolla, duke e quajtur sulm terrorist dhe mirë të organizuar nga grupet kriminale të Serbisë.

Po ashtu, kryeministri i Kosovës ka bërë thirrje te qytetarët e Kosovës ta ruajnë qetësinë dhe të mos marrin asnjë veprim, por t’i presin organet e sigurisë së Kosovës ta kryejnë punën e tyre.

“Janë sulmuar me granata dore e me zolla, sot është ditë e rëndë për vendin, nga sot policisë do t’i mungojë një pjesëtar i përkushtuar i saj, ashtu si do t’i mungojë familjes e shoqërisë. Vrasja e tij duhet të kthehet në angazhim edhe më të shtuar në luftimin e krimit e terrorizmit. Sulmet e grupeve të armatosura po vazhdojnë akoma, e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar nga mbështetja e Beogradit po e sulmon shtetin tonë. E mbrojmë ligjshmërinë, e mbrojmë qytetarin dhe pavarësinë tonë. Kriminelët do të kapen e dënohen. Shteti është i gatshëm për t’iu përgjigjur krimit e kriminelëve, terrorit e terroristëve”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se sulmi i sotëm ku u vra polici i Kosovës nuk ka të bëjë me organizim e banda të kontrabandës, por me një formacion ushtarak e policor, të cilët kërkojnë luftë.

“Kjo ka të bëjë me një formacion ushtarako-policor, që kanë ardhur të luftojnë në Kosovë. Nuk ka të bëjnë me banda të kontrabandës, këto janë formacione ushtarake policore dhe i takon ekspertëve se çfarë janë këto uniforma e këto pajisje”, tha ai.

Tutje, ai tha se izolimi i grupit kriminal në manastir, i ka bërë organet e sigurisë së Kosovës më të kujdesshme.

“Kjo na ka bërë më të kujdesshëm për shkak se ndodhemi në rrethinën e një manastiri që një formacion terrorist duan ta shndërrojnë në vend krimi”, tha ai.

Kurti tha se përveç se në Manastir, personat të armatosur ka edhe jashtë manastirit në objektet përreth.

“Nuk e dimë çfarë ka brenda në manastir, këto fotografi janë jashtë manastirit, këta persona janë edhe në shtëpitë rrotull, nuk janë të gjithë në manastir e sa janë. Njoftimet janë duke ndryshuar disa herë brenda orës, për atë se çfarë do të bëhet në vijim, ne dëshirojmë që në njërën anë ta kemi ligjshmërinë të pacenuar, dhe duhet të kemi kujdes për sigurinë dhe minizimin e çfarëdo pasoje për zbatimin e ligjit që do të jetë i pakompromis”, tha ai.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika