Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dakordimet e tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më 27 shkurt në Bruksel dhe 18 mars në Ohër janë konstatuar si Marrëveshje nga ndërmjetësuesit, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, dhe për atë arsye duhet të zbatohen në terren.
Kurti ka theksuar se pret që BE-ja të dëshmohet si ndërmjetësuese dhe të imponojë zbatimin e Marrëveshjes Kosovë-Serbi dhe jo të mbesin vetëm si tekst në letër.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të vendosë sanksione ndaj Serbisë në rast se refuzon të zbatojë marrëveshjet në terren.
“BE-ja duhet të dëshmohet tani, kemi marrëveshje, kishim marrëveshje më 27 shkurt patëm sërish në Ohër. Që të dyjat janë marrëveshje, janë konstatuar që është marrëveshje. Në anën tjetër keni deklaratat e palës serbe e cila tregon se si nuk e ka ndërmend të zbatojë diçka, ne nuk mund të merremi me këtë, prandaj ekziston lehtësuesi apo ndërmjetësuesi. BE-ja është ajo që duhet të sigurojë që marrëveshjet e dakorduara të zbatohen në terren. Nuk ka kuptim që të mbesin tekst në letër”, ka thënë Kurti.