Kurti bën homazhe në Abri: Po përgatisim padinë për gjenocid ndaj Serbisë

Në 25- vjetorin e masakrës nga forcat e armatosura serbe mbi familjen Muliqi, në Abri të Epërme të Drenasit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga Ministri, Ejup Maqedonci, ka bërë homazhe në nderim të tyre. I prekur nga rrëfimet e trishta për të rënët, Kurti ka kërkuar angazhim më të madh të prokurorisë për të nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë. Kryeministri ka folur edhe rreth padisë për gjenocid ndaj Serbisë, të cilën e ka premtuar qysh moti

“As 17 vjet s’i paska pas”

Ky është konstatimi i kryeministrit, Albin Kurti pasi dëgjon historinë tragjike të Sefullah Muliqit, njërit ndër 23 personat e vrarë nga forcat serbe në Abri të Epërme të Drenasit.

Prindërit e të ndjerit nuk kishin shprehur vullnet të pranonin dëshirën e tij për të veshur uniformën të UÇK-së.

E për t’u mbrojtur, Sefullahu kishte vendosur të shiste lopën e po atë natë, të nisej drejt fshatit Qirez për të blerë armën.

Por, rrugës për tu kthyer në shtëpi, kishte rënë në pritën e ushtarëve serbë.

Përpos Sefullahut, forcat serbe kishin vrarë edhe katër fëmijë të tjerë para 25 vjetësh.

I prekur nga historia, Kurti pasi bëri homazhe, përsëriti edhe një herë tjetër kërkesën për Prokurorinë.

“E lus prokurorinë e shtetit që me krejt çka kanë e dinë, të angazhohen maksimalisht ditë e natë që ata vrasës për të cilët ka edhe dëshmitar të gjallë të ndiqen, të akuzohen e dënohen sepse pa drejtësi, me vetëm të vërteten, plagët vazhdojnë të jenë të hapura e të kullojnë”, ka deklaruar Kurti.

Padia kundër Serbisë për gjenocid në Kosovë kishte qenë njëra prej premtimeve të Kurtit. E sipas tij, angazhimi për ta bërë atë realitet po vazhdon.

“Edhe Ministria e Drejtësisë edhe këshilltarë e mi ligjorë, me ekspertë ndërkombëtarë janë duke i bërë të gjitha përgatitjet që të akuzohet Serbia si shtet përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë e që janë krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocide. Këto janë çështje që zhvillohen së brendshmi dhe në kohën e duhur, jepen njoftimet e nevojshme”, ka deklaruar Kurti.

Për vrasjen e 23 të vrarëve nga forcat serbe në masakrën më 26 shtator 1998 dhe as për vrasjet në Abri të Epërme më 30 mars 1999, nuk ka asnjë të akuzuar e as të dënuar.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika